Malazezët dënojnë ndërrimin e emrit të Rrugës “Radovan Zogoviq”

Prishtinë, 11 shkurt 2016 – Ndërrimi i emrit të rrugës “Radovan Zogoviqi”, në Prishtinë, ka nxitur reagime shumë të ashpra të malazezëve të Kosovës.

Shoqata e tyre e cilëson si “akt barbar” dhe si “akt çnjerëzor” heqjen e tabelës me emrin e poetit malazez Radovan Zogoviq dhe vendosjen në vend të saj të tabelës me emrin e kompozitorit shqiptar, Lorenc Antoni.

“Malazezët e Kosovës e dënojnë ashpër aktin barbar të udhëheqjes së komunës së Prishtinës, e cila në mënyrën më brutale e ka hequr emrin e Radovan Zogoviqit, njërit prej poetëve më të mëdhenj malazezë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

“Hejqa e emrit të Radovan Zogoviqit, poetit e krijuesit të kryeveprës së vërtetë ‘Këngët e Ali Binakut’ është akt çnjerëzor i udhëheqjes së komunës së Prishtinës, e cila ka shkelur kështu edhe mbi figurat e Lorenc Antonit dhe Ali Binakut”, thuhet në reagim.

Shoqata e Malazezëve të Kosovës e akuzon udhëheqjen komunale të Prishtinës se me këtë veprim ajo “ka shkelur mbi të gjitha vlerat civilizuese” dhe “ka përshtyrë Lirinë” .

Ajo i akuzon drejtuesit e komunës se “me këtë akt të turpshëm kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë, kurse opinionit vendor e ndërkombëtar i kanë përçuar mesazh të qartë se, për ta, malazezët janë të padëshirueshëm në Prishtinë”.

Shoqata e Malazezëve të Kosovës thotë se ky akt mund të jetë edhe produkt i “ideologjisë fashizoide”.

“Koha do të dëshmojë nëse këtë e kanë bërë thjesht nga padituria ose nga urrejta dhe ideologjia fashizoide”, thuhet në reagim.

Shoqata e Malazezëve të Kosovës u bën thirrje Qeverisë së Malit të Zi, Qeverisë së Kosovës, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve te shkences e kulturës dhe artistëve e inteltualëve kosovarë që të gjykojnë veprimin e udhëheqjes komunale të Prishtinës dhe të ndikojnë që sa më shpejt të rikthejnë në vendin e vet tabelën me emrin e Radovan Zogoviqit. (r.m.)

Comment

*