Maqedoni: Edhe mërgimtarët në krizë

Për tërë vitin e kaluar në emër të transfereve private në Maqedoni janë regjistruar 1.62 miliardë euro. Transferet konsiderohen si burim për mbulimin e deficitit tregtar të vendit. Në muajin prill të këtij vitit janë regjistruar 123 milionë euro transfere nga mërgimtarët që janë për 30 milion më pakë krahasuar me periudhën e njëjtë të viti të kaluar

 

Zejnulla Veseli

SHKUP, 2 korrik – Në muajin prill të këtij vitit janë regjistruar 123 milionë euro transfere nga mërgimtarët ose nga të huajt në Maqedoni. Edhe pse shuma është gati 20 milionë më shumë se transferet në tremujorin e parë, shqetëson fakti se është për 30 milionë më e ulët krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar. Ekspertët ekonomik vërejnë se trendi i hyrjeve më të ulëta të parave të mërgimtarëve pasqyrohet në shifrat e transfereve private, ndërsa situatën në raportin e fundit mbi indikatorët makroekonomik e vërteton edhe Banka Popullore e Maqedonisë.
“Të dhënat e fundit mbi flukset hyrëse neto nga operimet valutore tregojnë mundësinë për hyrje paksa më të dobëta të transfereve private në krahasim me projeksionet”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Popullore.
Statistikat nga fillimi i vitit tregojnë se në janar kanë hyrë 98.4 milionë euro, në shkurt transferet kanë qenë 101.8 milionë euro, kurse në mars të këtij viti janë rritur në 104 milionë euro. Sa për krahasim, në dhjetorin e vitit të kaluar transferet totale kanë qenë 153.7 milionë euro.
Sipas analistëve ekonomikë, remitancat nga jashtë është e vështirë të parashikohen. Trend i rënies në kuartalin e parë të këtij viti mund të arsyetohet me prolongimin e krizës në eurozonë, prej ku Maqedonia merr pjesën e konsiderueshme të remintencave. Por, përkundër kësaj, stagnimi i ekonomisë vendore mund të jetë bazë për mërgimtarët të dërgojnë më shumë remintenca.
Nga Banka Popullore nuk publikojnë të dhëna se çka saktësisht hynë në trensfere, por sipas analizave të bëra në pjesën më të madhe bëhet fjalë për të holla që mërgimtarët tanë i dërgojnë nga jashtë ose i harxhojnë kur vijnë në shtëpi. Një pjesë e shumës janë edhe devizat e kursyera ose të holla që të huajt i këmbejnë dhe i harxhojnë këtu.
Për tërë vitin e kaluar në emër të transfereve private në Maqedoni janë regjistruar 1.62 miliardë euro. Transferet konsiderohen si burim për mbulimin e deficitit tregtar të vendit. Njohësit e rrethanave ekonomike thonë se ndryshimi i konsiderueshëm i shumës së trensfereve private mund të ndikojë në ekonominë e vendit.
Trendi i cili ka filluar këtë vit, sipas tyre, për momentin nuk është shqetësues, posaçërisht pasi janë të dhënat më pozitive për deficitin tregtar nga fillimi i vitit deri tani. Një hulumtimi i “American College” i realizuar muaj më parë tregon se kohëve të fundit çdo e pesta familje në Maqedoni pranon mesatarisht nga 2.070 euro nga të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit. Sipas analizës, këto të holla ndihmojnë që të ulet varfëria, por pak përdoren për vetëpunësim, gjegjësisht për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Pozitive është se në kuartalin e parë të vitit 2013 deficiti tregtar është ulur, jo sepse është rritur eksporti, por sepse importi është ulur më shumë se eksporti. Por, presioni që transferet e reduktuara potencialisht do ta bënin ndaj llogarisë rrjedhëse, do të hapë pyetjen se si ajo do të financohet. Kjo është një pyetje e vështirë për bartësit e politikave në kushte kur investimet e huaja direkte ende në mënyrë të ngadalshme vijnë në ekonomi, ndërsa huamarrja në tregun ndërkombëtar është e vështirë dhe e shtrenjtë”, tha drejtuesi i hulumtimit Marjan Petervski

Comment

*