Maqedonia ngel “zorrë qorre” e Ballkanit

As me “TAP-in” as me “Rrjedhjen Jugore” – Një nga përparësitë krahasuese të Maqedonisë është pozita gjeografike e saj, pozitë e cila i mundëson të jetë ndërmjetësuese midis lindjes dhe perëndimit, por sipas ekspertëve, fatkeqësisht kjo nuk është shfrytëzuar sa duhet dhe deri më sot Maqedonia nuk është përfshirë në asnjë nga linjat kryesore të gazsjellësve

 

Zejnulla Veseli

Shkup, 3 korrik – Pas dështimit të hapjes së negociatave për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian si dhe rrethanave të rënduara ekonomike e politike, së fundi erdhi edhe një goditje e radhës. Aprovimi i projektit të shekullit për rrjedhën e gazit nga deti Kaspik drejt Evropës, të njohur edhe si projekti TAP, Maqedonia përfundimisht mbeti jashtë hartës në të cilën do të kalojnë tubacionet e gazit që do ta furnizojnë Evropën. Megjithëse kalimi i tubacioneve të gazit të TAP-it dhe “‘Rrjedhës Jugore”, përmes Maqedonisë, sipas ekspertëve ekonomik vlerësohej si rruga më e shkurtër, në projektet më të fundit të rrjedhës së gazit, Maqedonia sërish u anashkalua nga këto projekte të cilat do të kishin ndikim të madh në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe rritjen ekonomike të vendit.
Akademiku dhe njohësi i mirë i çështjeve ekonomike, Abdylmenaf Bexheti konsideron se Maqedonia po anashkalohet nga trajektoret e projekteve kapitale dhe strategjike për disa arsye midis të cilave më të rëndësishme janë mungesë kapaciteti për konsistencat e politikave dhe përkushtimi për realizimin e detyrimeve nga projektet multilaterale ndërkombëtare.
“ Provë për këtë janë dhe investimet skajshmërish të pa balancuara në projektet e korridoreve transportuese me ekuivalencë te njëjtë korridori 10-të me investime të dëshmuara praktike dhe korridori 8 -të me investime deklarative dhe faktikisht të anashkaluar”, thotë akademiku Bexheti.
Po e njëjta sjellje sipas akademikut Bexheti është edhe për projektet e gazsjellësit, herr me ,,projekte të lindjes,, e herë të ,,perëndimit,, në varësi nga disponimet politiko-strategjike dhe pothuajse me asnjë realizim e përkushtim real.
“ Mega projektet e tilla kërkojnë kapacitet dhe përkushtim real si dhe realizim investimesh kapitale për pjesën e detyrimeve që i takon ,,konzorciumit,, dhe vendit tranzitor kurse Maqedonia në 7-8 vitet e fundit s’ka realizuar asnjë projekt kapital dhe strategjik por projekte fragmentare me përfitime ditore politike qe janë tipike për politikën por jo për zhvillimin e qëndrueshëm dhe konzistent. Nga kjo ka humbur edhe kredibiliteti dhe besueshmëria e institucioneve për projekte të këtilla me detyrime multilaterale “, thotë Bexheti.
Një nga përparësitë krahasuese e Maqedonisë sipas profesorit të fakultetit ekonomik nëUniversitetin e Evropës Juglindore në Tetovës (UEJL), Nasir Selimi është pozita gjeografike e saj, pozitë e cila i mundëson të jetë ndërmjetësuese midis Lindjes dhe Perëndimit. “Fatkeqësisht, vendi ynë këtë pozitë të volitshme gjeografike nuk e ka shfrytëzuar sa duhet, sepse deri më sot nuk është përfshirë në asnjë nga linjat kryesore të gazsjellësve në rajon”, thotë Nasir Selimi, ekspert ekonomik.
Përfshirja e Maqedonisë në këto linja, sipas Selimit, do të ishte e një rëndësie shumëdimensionale, e sidomos do të kishte ndikim të madh në rritjen ekonomike.
“Në rastin konkret, shtimi i prodhimtarisë dhe aktivitete tjera ekonomike në Maqedoni do të kishin koston e prodhimit më të ulët, gjë që njëherë do të mundësonte që prodhuesit tanë të jenë më konkurrent në tregun ndërkombëtar”, thekson Selimi.
Sipas tij, pasi Maqedonia nuk është e mbuluar tërësisht me rrjetin e gazsjellësit, dhe po të kyçej Maqedonia në këto dy projekte, sigurisht se kjo do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës edhe atë me angazhimin e ndërmarrjeve vendore.
“Gjithashtu, përfitimet do të vinin edhe nga arkëtimi i të ardhurave që do të derdheshin në emër të pagesës së rentës vjetore. Përfitimet tjera do të kishin edhe familjet dhe amvisëritë e vendit,pasi shfrytëzimi i gazit si energji për ngrohje të hapësirave të banimit është gjithkund më e lirë në krahasim me llojet tjera të energjive”, thekson Selimi
Ndërkaq, eksperti ekonomik Zoran Ivanovski, paralajmërimet e shpeshta të qeverisë se së shpejti do të nënshkruan marrëveshje me kompaninë ruse të gazit “GAZPROM” për kyçje të Maqedonisë në “Rrjedhjen Jugore” janë vetëm paralajmërime të pabaza.
“Edhe pas deklaratës së tretë për të njëjtën punë nga ministri të Financave Stavrevski, nënshkrimi i marrëveshjes për kyçjen e Maqedonisë në “Rrjedhjen Jugore”, dështoi. Kjo nuk është edhe aq befasuese, kur dihet se edhe më parë u paralajmëruan hyrje të shumë e investitorëve të huaj dhe në fund të njëjtin kanë hequr dorë. Kyçja e Maqedonisë në projektin e kompanisë ruse të gazit do të kishte e një rëndësie të madhe si për vendin në përgjithësi në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe për amvisëritë, të cilët do të kishin qasje të drejtpërdrejtë te energjia e lirë “, thotë Ivanovski.
Ai thotë se nuk e konteston aspak dëshirën e qeverisë për të bërë pjesë ë këtij projekti të gazifikimit, porse kyçja e personave jo kompetent në realizmin e saj e shton edhe më shumë pesimizmin se në të ardhmen mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive sa i përket kyçjes në “‘Rrjedhjen Jugore”. Ky dështim i fundit të nënshkrimit të marrëveshjes, sipas Ivanovskit, flet për rrugëtim në një labirint që ende nuk është gjetur dalja.

Comment

*