Maqedonia në gjeopolitikën ruso-kineze të vaksinave!

Emin AZEMI

Të favorizosh serbishten në njërën anë, dhe të deformosh historinë shqiptare, në anën tjetër, është treguesi më sinjifikativ i një politike hermafrodite, e cila kur të përkthehet në gjeopolitikë del të jetë një mishmash, ku vaksinat më tepër përdoren për të imunizuar varshmërinë ndaj aleancave serbo-kineze, se sa për të  luftuar një virus vdekjeprurës, që nuk njeh as komb,as fe, as racë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, më 18 janar të këtij viti, me plot entuziazëm të papërmbajtur pat shprehur lumturinë e tij  për premtimin që i kishte dhënë presidenti serb Vuçiq sa i përket ndihmës që fqinji verior  do të jep në dërgimin e 8000 vaksina Pfizer, ndërsa për të tjerat “duhet të shohin në marrëveshjet nëse guxojnë të dhurojnë edhe prej tyre”, pat deklaruar i lumturuar  Zoran Zaevi.

Por premtimi në stilin “dajem ti srpsku reč”, doli të jetë një bllof, të cilin nuk po arrin ta shpjegoj as Zaevi, i cili si duket ende është nën ndikimin e emocioneve pas vendimit për futjen e serbishtes në shkollat fillore të Maqedonisë.

Pra, sipas premtimit, siç raportojnë mediat në Shkup, Serbia do të duhej të dhuronte një sasi vaksinash në Maqedoninë e Veriut, por gjithçka është shtyrë pa afat.

Madje, sipas planit paraprak, sot (të enjten), në vendkalimin kufitar Tabanoc, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhej t’i dorëzonte Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut , Zoran Zaev, kontingjentin e parë të vaksinave si dhuratë për fqiun jugor.

Por, kjo nuk ndodhi “për shkak të domosdoshmërisë së prokurimit të dokumentacionit teknik shtesë dhe vaksinat do t’i dorëzohen Maqedonisë Veriore në ditët në vijim”.

Ndërkohë brenda muajit pritet të arrijnë në Maqedoni 200 mijë vaksinave kundër Covid19 nga kompania farmaceutike kineze Sinofarm, por siç kanë nisur punët mbrapsht me Serbinë mund të pritet çdo befasi edhe nga kinezët, paçka se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nëpërmjet një shkrimi në Facebook tha se “të gjitha vendet e BE po ballafaqohen me rrezikun dhe mungesën e vaksinës”. Sipas tij kur të fuqishmit kanë probleme, kush jemi ne që të jemi imun ndaj tyre.

E  ndodhur papritmas në gjeopolitikën ruso-kineze të vaksinave, Maqedonia e Veriut po del që nuk ka një strategji efikase për qytetarët e saj në rast të emergjencave të caktuara, siç është edhe pandemia aktuale.

Nëse në planin global e gjeopolitik vazhdojnë të zhvillohen beteja të pareshtura kundër varshmërisë energjetike të Perendimit nga gasi rus, Maqedonia e vogël sa një gogël nuk po arrin të etablohet si një faktor serioz edhe në raport me fqinjët.

Në mendësinë e politikanëve maqedonas, prej Kolishevskit, Gligorovit e deri te këta të fundit, vazhdimisht është ushqyer iluzioni i rrejshëm titist sipas parullës “mirë me të gjithë”, por keq me shqiptarët.

Tani kur një grusht banorësh që potencialisht mund të jenë cak i sulmit të pamëshirshëm të virusit vdekjeprurës, po del se iluzionet jo gjithmonë mund të prodhojnë realitete objektive, dhe më së paku kur inferioriteti ndaj mohuesve të maqedonizmit (duke e familjarizuar serbishten në shkollat maqedonase), kompensohet me superioritet kundrejt shqiptarëve, historia e të cilëve bastardohet në përmasa raciste nëpër tekstet shkollore.

Të favorizosh serbishten në njërën anë, dhe të deformosh historinë shqiptare, në anën tjetër, është treguesi më sinjifikativ i një politike hermafrodite, e cila kur të përkthehet në gjeopolitikë del të jetë një mishmash, ku vaksinat më tepër përdoren për të imunizuar varshmërinë ndaj aleancave serbo-kineze, se sa për të luftuar një virus vdekjeprurës, që nuk njeh komb, fe, as racë.

Comment

*