Maratona e internimeve

Albana Melyshi Lifschin
(Fragment nga rrëfimi i nënës)

Pas internimit në Lezhë ku qëndruam 6 muaj, na transferuan në Berat. Aty u strehuam në lagjen Mangalem, në shtëpitë e shëmbura të Pashajt. Ishin të braktisura, shumë të vjetra e të kalbura. Edhe ato që kishin mbetur në këmbë dukeshin sikur do binin nga çasti në çast. Në Berat atë kohë shihje gjithandej banesa të shëmbura , rrënoja si ato të fill pas luftës. Fëmijët duke luajtur gjenin në rrënoja filxhanë, pjata, lugë e pirunj, të paprekura të nxjerra mbi dhe, dhe i sillnin tek nëna. Nëna kishte frikë se mos fëmijët nga skamja bëheshin hajdutë dhe një herë u bërtiti:
– Ku i morët këto sende? Kush ua dha? Mos ma nxini faqen!
-Po s’besove, hajde ta tregojmë se ku i kemi gjetë. Këtu moj nanë, sa më shumë të gërmosh aq më shumë gjen nga këto. Nëna u bind që fëmijët thoshin të vërtetën. Ne të shkretët nuk kishim asnjë enë kuzhine dhe ato ishin të askujt. Dhe për t’i blerë duheshin para.
Për çudi në këto gërmadha na doli fati i një “strehimi”. Një nevojtore kishte shpëtuar pa u shembur. Ishte e vogël , e mbuluar me beton dhe kishte derë! Sipërfaqja e saj ishte 3×2, sa për të futur kokën. Morëm ca tulla të thyera dhe mbuluam vrimën e WC dhe mbi të ngjeshëm baltë për ta bllokuar plotësisht.
Gjithësesi, në Berat ndiheshim më mirë se në Lezhë. Dega e brendëshme na mbante nën kontroll. Na mblidhnin rregullisht në xhaminë e Mangalemit. Kishin frikë se fëmijët e të internuarve duke u rritur mund të arratiseshin, siç kishte ndodhur. Beratasit ishin njerëz të butë e mikpritës.
Atje na siguruan bukën, 800 gr. për familje. Për të jetuar na duhej jo vetëm buka e thatë por edhe lakra, preshi, kripa, (mishin e peshkun kishim kohë që i kishim harruar). Por për të blerë ato na duheshin para. Në qytet nuk kishte vënd pune për të internuarit. Për të gjetur punë vetëm nëpër fshatra, do të thoshte të dilje nga shtëpia me leje, të kishe moshë për ” krah pune”, të kaloje urën e Beratit, të veje pas malit të Shpiragut dhe vetëm kjo të merrte një orë e gjysëm dhe po aq kthimi në banesën e kalbur.
Nëna ishte e re , 42 vjeçe. Unë po rritesha pranë saj, nuk më ndante nga vetja po as nuk më linte të ngarkohesha me pesha të rënda se më thoshte:”Je akoma fëmijë dhe të del kurrizi”.
Të dy vëllezërit e mi më të vegjël se unë, donin të bënin diçka, por ishin të parritur për punë. Kështu nëna ishte i vetmi krahë pune.
Ishte muaji korrik kur na erdhi nga fshati një grua e panjohur. Ajo i kërkoi nënës t’i korrte grurin. Nëna u gëzua dhe pranoi menjëherë. Unë iu luta të më merrrte me vete dhe shkova me të.
Fshatarët ta jepnin korrjen e grurit ”qesim” siç i thoshin, dmth jo me normë, por me sipërfaqe toke të caktuar. Nënën e mbuluan djersët nga korrja pa pushuar,se donte ta mbaronte parcelën pa u errur, të mos na zinte nata pa hyrë në qytet. Ajo korrte dhe unë e mblidhja duar-duar. E zonja e shtëpisë u kënaq shumë nga puna e nënës. Ajo mori një gjel deti dhe e futi në furrë, dhe përgatiti një drekë aq të shijshme e të pasur, sa e kujtoj dhe sot. Dhe na mbushi një trastë të madhe me gjysmën e gjelit që mbeti,me ushqime, me miell, niseshte, lakra grosh e me fruta . Ajo grua e mirë nuk harroi t’i jepte nënës edhe 100 lekë për korrjen e grurit dhe sistemimin e tij. Morëm rrrugën për në shtëpi pa perënduar dielli. Pa hyrë ende në qytet, nëna donte të bënte edhe një turrë drush që t’i shiste për 40 lekë. Me 40 lekë e kalonim ditën të katërt. Duke llogaritur edhe 100 lekë nga korrja e grurit dhe ushqimin që na dha ajo grua e mirë, atë ditë na u duk vetja të pasur!
***

Comment

*