Mark Gjonaj: Diaspora është thesari i Shqipërisë

Anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, tha nga Tirana se “Diaspora është thesari i Shqipërisë”.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për “Zërin e Amerikës” nga Shqipëria, që po e viziton prej disa ditësh për shkak të tërmetit.

“Ndihma jonë nga SHBA është një dëshmi se kush jemi ne. Ne kurrë nuk e harrojmë vendlindjen, ne kurrë nuk do ta harrojmë mëmëdheun – tha zoti Gjonaj.

Veprimtari i njohur komunitetit shqiptaro – amerikan tha se ishte mjaft i prekur nga pamjet dhe pasojat e rënda në njerëz dhe objekte, që shkaktoi tërmeti.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë ato imazhe me humbje jetësh. Pastaj ishte një humbje e madhe pasurish dhe shtëpish. Të gjithë këto familje kanë nevojë për ndihmë, për një shtëpi apo një strehë mbi krye” – tha zoti Gjonaj.

Ai theksoi se detyra më e ngutshme është kapërcimi i traumës së fëmijëve. Ata janë më të dëmtuarit dhe kthimi i tyre në normalitet është puna më e vështirë.

“Jeta në Shqipëri ka ndryshuar pas këtij tërmeti. Ju lumtë atyre shqiptarëve që dhurojnë fonde në SHBA dhe vende të tjera. Ndihma nevojitet të jetë sa më e gjatë, sepse nevoja për fonde ndihmëse ka për të qenë shumë e gjatë” – tha zoti Gjonaj për “Zërin e Amerikës”. (VOA)

Comment

*