Mark Gjonaj, me 5,500 firma, gati për betejën e 12 shtatorit

Asambleisti Mark Gjonaj dhe familja qendrojnë pranë djalit të tij, Nicholas, që shton edhe firmën e tij mes peticioneve për kandidaturën.
(Nga e majta) Roza Gjonaj, Joseph Gjonaj (16), Nicholas Gjonaj (18), Asambleisti Gjonaj dhe Roberta Gjonaj.

Bordi i Zgjedhjeve kërkon vetëm 450 firma votuesish që një kandidat të ketë emrin në fletëvotim për garën e kandidatëve demokratë për Këshillin Bashkiak.
Mark Gjonaj ka siguruar më shumë se 5,000 emra mbi numrin e kërkuar duke dëshmuar forcën e tij si kandidat.
Në 12 shtator, demokratët do të votojnë për kandidatin që duan në Distriktin 13.
Kandidati shqiptaro-amerikan nisi disa javë më parë fushatën për mbledhjen e peticioneve të banorëve të këtij distrikti. Numri i 5,500 firmave është meritë e stafit të palodhur e dinamik të tij, e përkrahësve të tij entuziastë dhe e energjisë dhe përkushtimit të vetë kandidatit që ka qenë i kudogjendur në këta muaj të fushatës.
Gjonaj është anëtari i parë shqiptaro-amerikan që dimë, në Asamblenë e Shtetit të New York-ut. Nisur nga puna e madhe që ka bërë në Albany nuk ka dyshim që zgjedhja e tij do të jetë një lajm i mirë për distriktin po edhe për vetë Këshillin Bashkiak të Qytetit.
“Mbështetja më e rëndësishme që mund të gëzojë një kandidat është ajo e fqinjëve të tij”, tha në një deklaratë sot Mark Gjonaj, pas dorëzimit të peticionit me firma. “Jam pabesueshmërisht mirënjohës për dhjetëra vullnetarët që pa u lodhur trokitën në dyer dhe morën pjesë në veprimtari për të mbledhur këto firma. Pa punën e madhe dhe përkushtimin e tyre, kjo nuk do të ishte bërë e mundur”.
Sigurisht pjesë më e vështirë e garës është ende përpara. Ata që firmosën për kandidatin shqiptaro-amerikan duhet edhe të votojnë më 12 shtator bashkë me shumë të tjerë. Gara brenda Partisë Demokrate do të jetë sfida më e rëndësishme se vështirë që në këtë zonë të fitojë një republikan.
“Vera vetëm sa ka filluar dhe unë mezi pres që të vazhdoj së takuari banorët e Distriktit 13”, tha Mark Gjonaj, “për të dëgjuar më shumë për çështjet që kanë më së shumti rëndësi për ta.
Distrikti 13 mbulon: Allerton, City Island, Country Club, Edgewater Park, Ferry Point, Locust Point, Morris Park, Pelham Bay, Pelham Gardens, Pelham Parkway, Schuylerville, Silver Beach, Spencer Estates, Throggs Neck, Van Nest, Waterbury LaSalle, Westchester Square, Zerega. (Ruben Avxhiu)

Për të punuar si vullnetar për fushatën e Mark Gjonaj, dërgoni email në: [email protected]
Për të dhuruar vizitoni: nycvotes.org

Comment

*