Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë, në Këshillin Bashkiak të New York-ut

Ruben Avxhiu

Djali i emigrantëve bën për herë të dytë histori, pas një gare të vështirë përballë katër kandidatëve

 

Mark Gjonaj ka siguruar dy rekorde në historinë e shqiptarëve të Amerikës. Është i pari që është zgjedhur anëtar i Asamblesë së New York-ut, praktikisht Kongresit të shtetit dhe mbrëmë, në 7 nëntor 2017, u bë shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Qytetit të New York-ut.

Gjonaj doli fitues në një garë të vështirë ku merrnin pjesë edhe katër kandidatë të tjerë. Partia Demokrate është shumë e fortë në Distriktin e 13, por demokratët e mundur prej tij në garën brenda partisë refuzuan ta mbështesin dhe kandiduan edhe në zgjedhjet e përgjithshme duke e përçarë votën demokrate.

Më e dalluar këtu ishte Marjorie Velasquez, që preferohej nga këshilltari bashkiak në largim i distriktit, James Vacca.

Ajo u paraqit si kandidate e Partisë së Punëtorëve, një forcë e vogël e majtë dhe u përpoq që të shkëpuste sa më shumë votues sidomos gra dhe hispanikë nga demokratët tradicionalë.

Rivali kryesor në garë ishte John Cerini i Partisë Republikane.

Në fund, Mark Gjonaj ngadhënjeu me 10,173 vota apo 49%, i ndjekur nga John Cerini me 36%, Velasquez me 13%, John Doyle me 2% dhe Alex Gomez me 1%.

Ja tabela e rezultateve të votimit.

 

 

Diferenca vetëm me rreth 3,000 vota nga vendi i dytë dhe epërsia në fondet e mbledhura për fushatën dëshmojnë edhe për rolin e shqiptaro-amerikanëve në këtë fushatë të vështirë.

Komuniteti u mobilizua për djalin e emigrantëve shqiptarë që realizoi dy herë ëndrrën amerikane, duke u bërë një biznesmen i njohur në Bronx e New York e së dyti duke u zgjedhur si përfaqësues i popullit në organet e pushtetit lokal.

Gjonaj u përball në këtë fushatë me shumë sulme negative, disa prej të cilave fyese për komunitetin shqiptar, por këmbënguli që të mos përgjigjej më të njëjtën mënyrë duke preferuar të përqendrohej në një mesazh pozitiv dhe optimist për të popullin e zonës së tij. Kjo e bën sot fitoren e tij akoma edhe më të bukur.

Shqiptarët kanë bërë pjesë e këtij metropoli prej më shumë se një shekulli. Ata kanë luajtur rol të dorës së parë në ringjalljen ekonomike e sociale të disa lagjeve njujorkeze sidomos në Bronx. Kjo fitore nga Mark Gjonaj dhe fakti që shqiptarët do të kenë një nga komuniteti i tyre në Këshillin e Bashkisë është një gjurmë më shumë në jetën e kryeqytetit të botës. Në New York, shqiptarët janë në shtëpinë e tyre.

One Response to “Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë, në Këshillin Bashkiak të New York-ut”

Read below or add a comment...

  1. Meckojati says:

    Urimet me te Mira per ju MARK GJONAJ! Ju uroj nga zemra dhe te keni suksese ne detyren e re ne bashine e New York ,respekt per ju.!!

Comment

*