Marku i papërmbajtshëm, e detyroi Charltonin ta dorëzojë luftën

Londër, 20 shkurt 2021 – Boksieri shqiptar Florian Marku arriti të mbajë edhe një herë tjetër lart flamurin kuqez. Në duelin që u zhvillua sonte në Londër, Marku e mposhti boksierin anglez Rylan Charlton.

Në raundin e tetë të meçit, trajneri i boksierit anglez e hodhi peshqirin e dorëzimit, pasi e pa se boksieri i tij nuk do të mund t’i përballonte grushtat e njëpasnjëshëm të kampionit shqiptar.

Kjo është fitorja e tetë e Florian Markut në boks. Ai ka pasur vetëm një barazim, në muajin dhjetor, por ende nuk e ka pësuar asnjë humbje.

Me këtë fitore të madhe boksieri shqiptar ia hapi vetes rrugën për t’u ndeshur me boksierë edhe më të rëndësishëm në Angli.

Pas meçit, Marku tha se sonte u tregoi të gjithëve se ishin gabim që e nënvlerësuan para duelit.

“Nuk ishte meç i vështirë, por Rylan ishte fantastik. Respekte për të. Unë e dua këtë sport. Nëse dikush më mposhtë unë vetëm e uroj atë. Unë mund të luftoj, mund të bëj gjithçka. Isha kickbokser, por tani jam bokser dhe mund ta bëjë këtë shumë mirë. Jam shumë i lumtur, pasi shumë njerëz folën kundër meje. Sonte u tregova të gjithëve se ishin gabim”, tha Marku pas triumfit të madh.

(r.m.)

Comment

*