Marrëveshja Kosovë – Serbi, refleksionet në Izrael e Palestinë

Adil FETAHU

Marrëveshja për çështje ekonomike, e lidhur në Shtëpinë e Bardhë në Vashington, midis Kosovës e Serbisë, nën patronatin (lexo: diktatin) e ShBA-ve, sot e shumë kohë do të komentohet nga aspekte dhe kënde të ndryshme, nga politikanë e analistë (dhe banalistë) të ndryshëm; herë do ta quajnë historike; herë në dobi të Kosovës e në dëm të askujt; herë në dobi të Serbisë e në dëm të Kosovës. Pak kujt do t’i shkojë mendja ta lidhin refleksionin e kësaj marrëveshjeje në Izraelin, që duket se ka pasur përfitimin më të madh politik prej saj.

Nëse Kosova ka përfituar në raport me Izraelin, pasi që Izraeli u obligua ta njohë pavarësinë e Kosovës, Serbia ka bërë një hap prapa në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare. Sepse u obligua ta transferojë ambasadën e vet prej Tel Avivit në Jerusalemin kontestues midis Izraelit e Palestinës. Statusi i Jerusalemit tërë kohën ka qenë tema më e nxehtë e konfliktit midis Izraelit e Palestinës, sepse të dy vendet e konsiderojnë si vend të shenjtë të tyre.

Izraeli, me ndihmën e Amerikës, po përpiqet ta çimentojë sovranitetin e tij mbi Jerusalemin dhe po bën përpjekje diplomatike që sa më shumë shtete, sidomos të Europës, t’i transferojnë ambasadat e tyre nga , Avivi në Jerusalem. Deri tash, asnjë shtet europian nuk e ka bërë këtë. Duket se Kosova dhe Serbia do të jenë të parat nga shtetet e Europës që do ta përmbushin këtë kërkesë izraelite. Trampi e lavdëroi gatishmërinë e Kosovës, që si shteti i parë me shumicë muslimane, do ta njohë Izraelin në kufitë aktual dhe do ta vendosë ambasadën në Jerusalem!

Natyrisht, sapo të vihen marrëdhëniet diplomatike, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe njohjen e Izraelit në kufijtë e tashëm, të përcaktuar njëanshëm me pushtimin e tokave të Palestinës dhe me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, Kosova rrezikon ta humbë miqësinë jo edhe aq të zhvilluar me shumë shtete muslimane të Lindjes së Mesme dhe të Azisë, veçmas me Turqinë, të cilat e përkrahin Palestinën. Ç’është më keq, disa prej tyre mund të reagojnë me tërheqjen e njohjes së Kosovës? Nga ana tjetër, ky veprim i Kosovës do të jetë në kundërshtim me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për të mos e përkrahur aneksimin e Jerusalemit.

Kombet e Bashkuara, me disa rezoluta, nuk e njohin aneksimin izraelit të tokave palestineze, duke theksuar se Palestina duhet të jetë e pavarur në kufijtë e vitit 1967 e me Jerusalemin Lindor kryeqytet të saj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qysh në shtator të vitit të kaluar, pati deklaruar se nëse Izraeli e njeh pavarësinë e Kosovës, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Deri më tash në Jerusalem janë vendosur vetëm ambasada e ShBA-ve dhe e Guatemalës.

Dëmin më të madh lidhur me raportet e krijuara në trekëndëshin Kosovë – Izrael – Serbi do ta pësojë Serbia. Jo vetëm për shkak se Izraeli do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që është dhembja më e madhe e Serbisë, por edhe për shkak se mund të humbë shumë në marrëdhëniet bilaterale me miqtë e saj në shtetet arabe, me të cilat ka marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike, të ndërtuara në saje të gënjeshtrave serbe që me aq shije i gëlltisin shtetet arabe.

Turqia ka reaguar menjëherë, duke shprehur keqardhjen e saj për marrëveshjen që Serbia ta transferojë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Edhe ambasadori i Palestinës në Beograd ka thënë se transferimi i ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do t’i dëmtojë marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë e Palestinës.

Natyrisht, këtu nuk e kam fare hallin e Palestinës, e cila sot e kësaj dite është shumë e përkushtuar në përkrahje të Serbisë kundër Kosovës, por, sikur thotë urtia popullore, ”Rri shtrembët, e fol drejt”!

Trampi, me Marrëveshjen midis Kosovës e Serbisë, ia ka bërë një shërbim të mirë Izraelit dhe sidomos këshilltarit dhe dhëndërrit të tij ebreit, Xhared Kushner, dhe ka përforcuar përkrahjen e lobit ebreit të Amerikës për zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është i njohur si lavdëraç i pashembullt, sic shihet në fotografinë në një karrige “të thjeshtë” përpara tavolinës së Trampit, duket sikur një nxënës i dobët në provim para profesorit të mërrolur e pa sens pedagogjik. Kjo fotografi e Vuçiqit aq e paska nevrikosur Moskën zyrtare, aq sa zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në rrjetet sociale, e ka ofenduar Vuçiqin duke i thënë troç: “Sram vas bilo” (marre ju qoftë). Megafoni i Vuçiqit, Gjuriqi, i është përgjigjur me të njëtjën shprehje Zaharovës, duke u arsyetuar se Vuçiqi nuk ka folur në Shtëpinë e Bardhë, para Trampit, asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë!

Kështu është politika ndërkombëtare. E tërheq një kashtë, dalin gjashtë. I tërheq penjtë në Uashington, lëvizin figurat në Tel Aviv, në Moskë dhe anembanë botës!

3 Responses to “Marrëveshja Kosovë – Serbi, refleksionet në Izrael e Palestinë”

Read below or add a comment...

  1. Viktori says:

    Une kam krye shkollen e larte politike jashte Kosoves e njohe politiken nderkombtare e posaqerisht me interes konfliktin Izraelit arab; nuk e quaj palestinez sepse nuk ka palestinez por jane arab qe jetojne ne dy enklava Gaza ne kufi me Egjyptin edhe Bregu perendimor ne kufi me Jordanin.Flasin arabisht ;kulture e tradite me tiparet arabe
    Mos harmoni ne keto dy enklava arabe jetojne druzet dhe te tjere qe deshirojne te jetojne ne bashkesi me Izraelin.Ef veten keta arab e quajne filistajn te tjärat palestinske as njera nuk jane emera arab .Palestina prejade lat. E filistin helene latine.

    Per marreveshtjet te nenshkruara ne WashingtinDC
    ne patrionatin e Presidentit Trump koha asht tregusi me mire, por une besoj se keto marreveshtje ne mes dy paleve do te japin frytin e vet.

    • Viktori says:

      Ne shqiptaret kudo ne trojet tona, jashte flasim shqip apo jo. Izraelitet flasin hebrejisht edhe jidicsh ne Mea Sharim.Mire cfare gjuhe flasin palestinezet e tu? E dini jui se ata flasin arabisht ska gjuhe palestineze.Jane dikund 27 shtete arabe kudo enklavat arabe n Izrael qe shperngulen asgja nuk humbin

  2. Illo Foto says:

    Kjo eshte analize e sakte , por nuk shtron nje pyetje te domosdoshme : Ende Kosova do te mbete ne nivel bisedimish . Sa do vijoi kjo stataquo ? Kaluan 20 , po mund te kalojne dhe shume 20- ta dhe Kosova te mbetet kjo , qe eshte , sepse te medhejte e politikes keta do te jene . C’do marrveshje eka nje dhimbje , por koha , nuk pret , qe Kosova te flasi nga tribuna e OKB. Korigjimet e tjera i ben koha . I. Foto

Comment

*