Marrëveshjet për termocentralin e ri nënshkruhen në dhjetor

Prishtinë, 21 nëntor 2017 – Mungesa e energjisë elektrike dhe çmimi i lartë i saj është shndërruar në pengesë për të bërë biznes në Kosovë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se humbjet vjetore të bizneseve për shkak të mungesës së energjisë shkojnë deri në 300 milionë euro.

“Ka raporte të shumta për humbjet ditore që i kanë bizneset. Në raportin e USAID-it thuhet se ka 300 milionë euro humbje të bizneseve nga energjia elektrike”, ka potencuar Lluka në forumin e biznesit “Pengesa qindra milionëshe: Energjia Elektrike” e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ.

Lluka është shprehur se Kosova i vetmi vend në Evropë ku faturat tarifat e bizneseve janë më të shtrenjta se të shtëpive.

“Deri tani vlera e energjisë së importuar është 550 milionë euro. Nga 38 për qind kanë rënë në 32 për qind humbjet, e këto janë pjesë e faturave të bizneseve dhe shtëpive. Kosto është 13 deri 14 për qind më shtrenjtë se në rajon. Kosova i vetmi vend në Evropë ku faturat tarifat e bizneseve janë më të shtrenjta se të shtëpive”, ka thënë ministri Lluka.

Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se është shqetësuese që jemi në shekullin e XXI dhe ende na ndjekin trendet e ndërprerjes së energjisë elektrike.

“Shqetësuese është se që nga viti 2002 flitet në media për ndërtimin e kapaciteteve të reja, derisa ne po humbim kohë në vendet fqinje janë ndërtuar kapacitete të reja”, ka thënë Gërxhaliu.

Në këtë forum ministri Lluka foli edhe për qëllimin e tyre si mistri që deri në fund të vitit 2017 të nënshkruhet një marrëveshje komerciale për termocentralin Kosova e Re.

“Qëllimi jonë është që gjatë këtij viti të nënshkruhet një marrëveshje komerciale për termocentralin. Në momentin e nënshkrimit fillojnë edhe procedurat e tenderimit, në vitin 2019 fillon ndërtimi dhe diku në fund të vitit 2021 në fillim të vitit 2022 përfundon”, është shprehur Lluka.

Ai më tutje ka shpjeguar edhe se në Kosovë e blejnë një megavat gjatë ditës për 100 deri në 110 euro, kurse gjatë natës e shesin 15 euro një megavat.

Ai ka folur edhe për mos-zbatimin e marrëveshjes për energji të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia. Lluka tha edhe se pret që deri në qershor të vitit 2018 të ketë diçka konkrete me Serbinë sa i përket transmisionit me Shqipërinë.

Ilir Rexhepi, këshilltar i lartë në GIZ ka potencuar se furnizimi me energji elektrike, tarifat janë identifikuar si pengesa në Kosovë.

“Problemi mund të ketë zgjidhje nëse i qasemi në mënyrë shumë dimensionale”, ka thënë Rexhepi.

Në bazë të hulumtimit që e ka realizuar Oda Ekonomike në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ del se 66 për qind e bizneseve e shohin sistemin tarifor si pengesë të madhe e të bërit biznes. E 60 për qind e bizneseve të intervistuara (308 biznese janë intervistuar nga OEK) kanë thënë se energji është pengesë e madhe në koston totale të operimit.

Po ashtu 53 për qind e bizneseve kanë thënë se situata e energjisë elektrike ndikon shumë në profitabilitetin e biznesit të tyre.

Një tjetër pyetja që janë përgjigjur bizneset ka qenë për “zhvillimet në rrjetin e KEDS-it, a kanë përmirësuar konkurrueshmërinë e bizneseve”.

88 për qind kanë thënë se investimet e KEDS-it nuk kanë pas ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.

/Kallxo.com/

Comment

*