Martin Shkreli drejton fshehtas nga burgu, kompaninë e tij, me celular kontrabandë

Nga Ruben Avxhiu

Gazeta e njohur amerikane “The Wall Street Journal” ka ripërtërirë sagën e Martin Shkrelit, ekzekutivit famëkeq të farmaceutikës që po vuan dënimin në një burg federal.
Një shkrim i posabotuar shkruan se shqiptaro-amerikani ende drejton kompaninë e tij ndonëse ndodhet në burg. Këtë e realizon me një telefon celular të futur kontrabandë.
Lajmi ka bërë valë në rrjetet sociale, me një numër reagimesh të zemëruara, po edhe me një grup të vogël por të përkushtuar përkrahësish që sheh një element të fortë zbavitjeje te aventurat e Shkrelit.
Ish-ekzekutivi që mori emër të keq kur çoi në mënyrë stratosferike çmimin e një ilaçi dhe e mbrojti me cinizëm dhe mospërfillje vendimin e tij, u kthye në një simbol të grykësisë të industrisë farmaceutike amerikane.
I dënuar për manipulimet e tij në bursë, ai ka bërë disa herë lajm nga burgu, po tani duket se ka premtuar se do të kthehet përsëri në lojë si një multimilioner.
Ai vuan dënimin në një dhomë burgu bashkë me 11 të burgosur të tjerë, në Fort Dix, New Jersey.
Kompania e Martinit është Phoenixus AG, e njohur dikur si Turing Pharmaceutical Inc. Jo më larg se javën e kaluar ai ka biseduar në telefon me drejtues të firmës, nga e cila është tërhequr zyrtarisht duke dhënë udhëzime.
Nuk dihet se çfarë pasojash mund të ketë nga ky zbulim, që ende nuk është vërtetuar nga autoritetet. Po “The Wall Street Journal” është nga gazetat më serioze amerikane.
Martin Shkreli u dënua vjet nga një gjykatës federal në Brooklyn me shtatë vjet burg Martin Shkrelin, duke i dhënë më në fund masën e dënimit disa muaj pasi ekzekutivi i firmave farmaceutike ishte shpallur fajtor për shkelje rregullash dhe mashtrim të klientëve të tij financiarë.
Prokurorët federal kishin kërkuar të paktën 15 vite burg për të, kurse avokatët e tij ikërkuan Gjykatësit Amerikan të Distriktit Kiyo A. Matsumoto që të mjaftohej me një dënim 12 deri në 18 muajshe burg. Sidomos duke pasur parasysh që ai i ka kryer tani 6 muaj burg që do të zbriten nga dënimi.
Një rol jo të vogël në vendimin për 34-vjeçarin që dikur lavdërohej si një gjeni në Wall Street ka luajtur sjellja e tij e pazakontë publike, me të cilën ka provokuar vazhdimisht opinionin publik amerikan.
Duke injoruar lutjet dhe këshillat e përfaqësuesve të tij ligjorë dhe të kompanisë, ai ka këmbëngulur që të mos heqë dorë nga truket e tij publike. Një i tillë ishte oferta për 5,000 dollarë për një qime floku nga Hillary Clinton, që solli rritjen e sigurisë për isj-kandidaten presidenciale dhe refuzimin e gjykatësit për ta lejuar që Shkreli të priste vendimin në liri.
Djalë i një çifti emigrantësh shqiptaro-amerikanë, Martin Shkreli u pasurua shpejt duke luajtur me investimet në fushën e farmaceutikës, por u shpall nga media si “njeriu më i urryer në botë”, kur pasi bleu të drejtat e një lloj barne për të sëmurët me kancer ia rriti çmimin 750 herë brenda natës.
Kërcime të tilla të çmimeve kanë mjaft precedente në farmaceutikën amerikane, por ekzekutivët e kësaj industrie nuk para dalin në publik dhe e shoqërojnë vendimin me një fushatë të mirë të marrëdhënieve publike.
Shkreli, i dashuruar papritur me rolin e djalit të keq të Wall Street-it, zgjodhi të tallet me kritikët, të përqeshë gazetarët dhe të përfshihet në debate të kota në internet me do të panjohur që hynte për ta sharë.
Në fund, dënimi me burg erdhi për mashtrim në tregun e sigurimeve, mashtrim të investitorëve të fondeve gardh dhe përdorimi i paligjshëm i aseteve të një kompanie për të paguar borxhet e kompanive të mëparshme.
(Ruben Avxhiu)

Comment

*