Matteo Mandalà promovohet anëtar i jashtëm i ASHAK-ut

Prishtinë, 27 tetor 2017 – Prof. Matteo Mandalà, studiues i gjuhës, letërsisë e kulturës arbëreshe dhe i asaj shqiptare në përgjithësi, u promovua si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkenicave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Të enjten, atij iu dorëzua fletëdëshmia e pranimit në institucionin kulmor të dijes e të arteve të Kosovës.

Kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, me rastin e dorëzimit të fletëdëshmisë, e vlerësoi lart kontributin e profesor Mandalàsë në fushën e  albanologjisë.

“Prof. Matteo Mandalà, studiues i letërsisë arbëreshe dhe i asaj shqiptare në përgjithësi, por edhe i gjuhës, dialektologjisë, kulturës dhe traditave arbëreshe, profesor i Universitetit të Palermos, është një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës dhe kulturës arbëreshe, por edhe i filologjisë shqiptare në përgjithësi”, tha akademik Islami.

Ai tha se të qenit e Prof. Matteo Mandalàsë dhe të prof. Francesco Altimarit anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës i bën nder kësaj akademie.

“Bota e Arbëreshëve të Italisë, prof. Francesco Altimarin dhe Prof. Matteo Mandalànë, i konsideron themelues të filologjisë moderne arbëreshe, personalitete nga më të vlerësuarit e studimeve për gjuhën, letërsinë e vjetër arbëreshe dhe shqiptare përgjithësisht, nga fillimet e deri më sot, për kulturën dhe traditën arbëreshe dhe për arsimimin, vetëdijesimin e qenies dhe identitetit arbëresh në Itali. Andaj, ishte një kënaqësi, por edhe nder e privilegj, që t’i kemi në mesin e anëtarëve të jashtëm, më të respektuar, të shkencave të albanologjisë”, theksoi Islami.

Prof Mandalàsë iu dorëzua fletëdëshmia në një ceremoni rasti, gjatë punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Studimet albanologjike në vendet ku flitet gjermanisht”, të organizuaar nga ASHAK.

Matteo Mandalà është zgjedhur anëtar i jashtëm, në Kuvendin e fundit zgjedhor të Akademisë, në dhjetor të vitit 2016, me propozim të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Deri më sot, anëtarë të jashtëm të ASHAK-ut janë zgjedhur emra të mëdhenj të albanologjisë, ballkanologjisë e linguistikës, figura të njohura të shkencave të natyrës e të shkencave shoqërore, si edheemra eminentë të botës së artit.

ASHAK, që nga themelimi i saj, para 42 vjetësh, pranon edhe anëtarë të jashtëm. Sipas Ligjit, antëtarë të jashtëm mund të zgjidhen punonjësit e shkencës ose të artit që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, të cilët kanë krijuar vepra të rëndësishme për Kosovën, ose vepra me vlerë të përgjithshme për shkencën ose artin. (r.m.)

Comment

*