Mazhoranca s‘i ka numrat, shtyhet votimi i statusit të gjyqtarëve e prokurorëve

Tiranë, 9 korrik 2018 – Partia Socialiste e tërhoqi nga votimi Projeltligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të mungesës së votave të nevojshme në Kuvend,.

Ky ligj kërkon 84 vota dhe Partia Socialiste nuk mund t’i sigurojë ato, pa përkrahjen e partive opozitare, PD-sdhe LSI-së.

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, la të kuptohet se, krahas komunikimeve zyrtare, mazhoranca po punon për të bindur edhe deputetë të veçantë të opozitës.

“Për çështjen e Shkollës së Magjistraturës, edhe LSI edhe PD duhet të qëndrojnë konsekuent asaj që kanë pasur edhe dy vite më parë, dakordësinë për të vijuar procesi i pranimeve”, tha Balla.

“Besoj që në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë me prirje evropiane që duan që reforma e drejtësisë të vijojë”, theksoi ai.

Por, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, rikonfimoi edhe një herë qëndrimin e partisë së tij kundër kësaj nisme.

“Në thelb, ndryshimet në dy nene që kërkohen nga dy deputetë të mazhorancës, është fakti që në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë gjyqësor, është që ne të kthehemi 180 gradë mbrapa që t’i japim edhe një herë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë emërimet e magjistratëve, që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016”, tha ai.

“Unë, personalisht dhe në emër të LSI-së, nuk kam pranuar të votoj nenin 1 që ka të bëjë me nenin 160 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i japim edhe një herë mundësi KLD-së, të anatemuar nga ana jonë, nga ndërkombëtarët dhe nga vetë mazhoranca, dhe për shkak të këtij Këshilli që ishte bërë barrierë për gjithë sistemin e drejtësisë, që nga emërimet nepotike, që nga çdo propozim të bërë nga ministrat e drejtësisë”, therksoi ai.

“Kur kam qenë ministër drejtësie, i kam propozuar 44 gjyqtarë për t’u proceduar dhe nga këta 24 për shkarkim, më ka mbështetur në 4 apo 5 raste. E njëjta gjë ndodh edhe me ministren e kësaj mazhorance. Si mundet grupi parlamentar i LSI-së apo unë si ish-ministër i drejtësisë, t’ua japim edhe një herë mundësinë një pjese të këtyre anëtarëve të KLD-së që do t’i quaja llumi i sistemit të drejtësisë”, u shpreh Naço, transmeton Ora News. (r.m.)

Comment

*