MB: Kujdes! 7 të burgosurit e arratisur janë të rrezikshëm dhe të armatosur

Të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës këtë mbrëmje janë Fran Marashi, Eduard Lulo, Admir Tafili, Artur Gora, Gëzim Guri, Reiz Haxhiraj dhe Gëzim Toma. Mbledhje e menjëhershme e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla

 

Denion Ndrenika

Autoritetet në Shqipëri ngritën në nivelin më të lartë gatishmërinë pas arratisjes së 7 të dënuarve për vepra të rrezikshme kriminale nga burgu i Drenovës në Korçë në juglindje të vendit.
Trupat e RENEA-s (Repartet e Eliminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur), FNSH-së (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë) si dhe policia kanë ngritur në tërë vendin pika kontrolli dhe veçanërisht në zonat kufitare për të shmangur kalimin për në shtetin maqedonas apo në Greqi të të arratisurve.

Të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë janë Fran Marashi, Eduard Lulo, Admir Tafili, Artur Gora, Gëzim Guri, Reiz Haxhiraj dhe Gëzim Toma.
Ministria e Brendshme bëri thirrje “të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm”.

Të 7 të arratisurit janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda.

Ngjarja që ndodhi rreth orës 19:00 u njoftua rreth orës 20:30 me kohën e Shqipërisë, përkatësisht 14:30 në Nju Jork. Të arratisurit kanë qëlluar me armë disa herë dhe janë duke udhëtuar me dy automjete.
Ata u morën armët rojeve të sigurisë së burgut dhe duke i kërcënuar dhe goditur dolën jashtë dhe duke përfituar nga errësira vazhduan rrugën sipas të dhënave të raportuara deri pranë Pogradecit. Rrethanat janë ende të paqarta për arratisjen e të 7 të dënuarve që janë edhe të armatosur, veçanërisht se si kanë mundur të futen në këtë burg të sigurisë së lartë armë, veç atyre që mendohet se u janë marrë rojeve të sigurisë.

Mediat raportuan se të arratisurit kanë kanosur me armë patrullën e policisë në Pogradec, si dhe kanë vazhduar arratisjen drejt qytetit të Librazhdit.
Rreth orës 20:30 filloi një mbledhje e menjëhershme e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Njoftimi zyrtar

Ministria e Brendshme njoftoi se shtatë persona janë arrratisur nga Burgu i Drenovës, në rrethin e Korçës, rreth orës 19:30 të ditës sotme. Sipas informacioneve paraprake personat e arratisur, pjesa më e madhe të dënuar me burgime të përjetshme mendohet se janë të armatosur. Të arratisurit, sipas saktësimit të të dhënave prej ministrisë së Brendshme janë:
1.Admir Bahri Tafili, vitlindja 1975, lindur e banues në Shkodër;
2.Fran Pal Marashi, vitlindja 1978, lindur e banues në Shkodër;
3.Gëzim Gjergj Guri, vitlindja 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër;
4.Gëzim Ndue Toma, vitlindja 1982, lindur e Banues në Dibër;
5.Reiz Namik Haxhiraj, vitlindja 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës;
6.Eduard Kujtim Lula, vitlindja 1982, lindur e banues në Përmet;
7.Artur Demir Gora, vitlindja 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës.

Njoftimi i ministrisë së Brendshme vijonte me ecurinë e operacionit: “Policia me të marrë njoftim për ngjarjen ka marrë masa të menjëhershme, duke ngritur postoblloqe në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit si dhe me zonën kufitare. Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEAS janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është ngritur një shtab pune me drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese në vend, që po koordinon të gjitha veprimet e policisë dhe agjencive të tjera shtetërore, për kapjen e këtyre personave.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm. Në të njëjtën kohë MPB u kërkon të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë në numrin 129”.

Të rrezikshëm

Të paktën dy prej tyre, Fran Marashi dhe Admir Tafili janë përfshirë në vrasjen në ngjarje të ndryshme të të paktën 6 personave. Fran Marashi ka qenë i pranishëm në ngjarjen e rëndë të njohur si “Masakra e Urës Vajgurore” të ndodhur në 17 qershor 1997 ku militantët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike përdorën armatim të rëndë, përfshi kundratanket. Në këtë ngjarje humbën jetën 4 punonjës të policisë (Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano) dhe u plagosën 6 të tjerë, gjithashtu punonjës policie (Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Ëngjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo).

Kurse, Admir Tafili është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve të ish-shefit të krimeve të Policisë së Shkodrës, Prel Pjetrushi, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi (më 18 mars 2011) për të marrë hak, siç u tha, për vrasjen e babait të tij si dhe Drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari në 2 gusht 2000. Atë ditë policia e Shkodrës nën drejtimin e Prel Pjetrushit ndërmori operacionin për kapjen e peshkatarit Bahri Tafili, i ati i Admirit që kërkohej për vrasjen e Skënder Gecit. Bahri Tafili mbeti i vrarë në operacion bashkë me drejtorin policor Arben Zylyftari.

Fran Marashi dhe Admir Tafili kanë bërë disa herë përpjekje për arratisje nga burgu. Admir Tafili u arratis në 2 tetor 2010 pasi mori leje të përkohëshme nga burgu i Shën Kollit në Lezhë ku vuante dënimin.

D.M.

Comment

*

Current day month ye@r *