MB Lleshaj sfidon deputetin demokrat Murrizi mbi akuzat e tenderave të uniformave policore

Replika në Kuvend mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe deputetit Myslym Murrizi, pas akuzave të këtij të fundit për një tender korruptiv sipas tij, për uniformat në Ministrinë e Brendshme me vlerë 23 mln euro.

Ndërsa Lleshaj e sfidoi t’i çonte provat në Prokurori, Murrizi tha se nuk ia përmendi atij emrin, madje shtoi se vetë ministri ishte në gjumë, kur vinin paratë e fituar nga ky tender në ministri.

“Z. Murrizi, po të ishit mjaftuar me pjesën e dytë të fjalës suaj, do të isha dakord edhe unë që me çështjet të cilat ju adresoni, duhet të merren ata që kanë profesion të merren, që janë prokurorët. Ju vendosët që fillimisht ta bëni prokurorin vetë, pastaj të kërkoni ndërhyrjen e Prokurorisë.

Unë po ju them diçka, fare të thjesht, të gjitha ato gjëra që ju cituat këtu, nuk i komentoj për arsye se nuk i di, sepse unë nuk merrem me asnjë shifër, me asnjë tender, me asnjë firmë, me asnjë sozi, me asnjë gjë me të cilat ju merreni dhe është zgjedhja juaj që të merreni me këto gjëra. Por do t’ju ftoja fare thjesht, mos i bëni ftesë Prokurorisë, ftesë publike, retorike, politike, por në qoftë se nuk e dini, jua tregoj unë adresën e Prokurorisë!

Shkoni trokisni atje, ҫojini ato gjëra që keni, sepse i bëni shërbim publikut nëse besoni që janë të vërteta, dhe kështu zgjidhet puna. Trokisni tek dera e Prokurorisë dhe lërini ata ta bëjnë prokurorin mos e bëni ju, se kam frikë se mos gaboni.

Unë refuzoj të merrem me këtë dhe sfidoj këdo që i thotë vetes shqiptar, që të mundohet të gjejë qoftë edhe një nanogram lidhje midis atyre pisllëqeve, që përmendni me figurën time si Ministër i Brendshëm. Nuk mund të ketë kurrë në botë një lidhje dhe për këtë ju sfidoj të trokisni në Prokurori. Në qoftë se doni të bëni ose të konsumoni politikë tradicionale, bajate, jepini, jeni i mirëpritur t’i jepni dhe gëzojeni atë. Faleminderit!”,- tha Lleshaj.

Në replikë, Murrizi u shpreh:

“Zoti Lleshaj unë nuk vi nga rruga, s’kam frikë, prokurorinë e shoh në sy si çdo burrë e grua me karrige, të garantoj që do i coj në SPAK të gjitha, s’kam thënë që ju firmosni tendera. Unë e di kush është shefi i tenderave në ministrinë tate, ty se di kush ta ka kafshuar gjuhën. Ti je në gjumë kur vijnë këstet në ministri, mos më ngri supet se po të kem gjëra konkrete për ty t’i them e s’më trembet syri”,- tha Murrizi.BalkaNWeb

Comment

*