Mbahet debati i kartërt presidencial i Demokratëve në SHBA

Ruben Avxhiu

Senatorja Elizabeth Warren kryeson garën, Biden dhe Sanders nuk dorëzohen, Buttigieg, Klobuchar dhe Yang në ngritje

 

Nga Ruben Avxhiu

Demokratët në SHBA patën mbrëmjen e 15 tetorit debatin e tyre të katërt presidencial.
12 vetë ishin kësaj here në skenë duke provuar edhe njëherë sesa të vështira janë organizimi i këtyre debateve, ku shumë kandidatë nuk arrijnë të flasin sa duhet dhe shumë tema ose mbeten jashtë ose preken vetëm përciptazi.
Vetëm një prej tyre do të marrë votën e partisë për t’u përballur me Presidentin Donald Trump, në nëntor 2020. Demokratët në Kongres kanë nisur një procedurë shkarkimi të mundshëm të këtij presidenti po gjasat janë që ai të jetë aty, në betejën përfundimtare të nëntorit.
Megjithëse është vështirë të shquesh apo të shquash në një debat me 12 vetë, disa gjëra duket se kanë precipituar më qartë.

 

Senatorja Warren, zyrtarisht në krye të garës

Elizabeth Warren është tani udhëheqësja zyrtare e garës. Kjo përveçse nga anketimet dhe interesi i medias u provua edhe nga debati i sotëm. Ajo foli shumë më tepër se kandidatët e tjerë. (Imagjinoni, Senatorja Warren foli për gati 23 minuta; krahasuar me miliardierin Tom Seyer që foli pak më shumë se 7 minuta.) Warren ishte gjithashtu në shënjestrën e rivalëve të saj, si ndodh zakonisht me kandidatin që është në krye.

 

Rënia e zv-Presidentit Joe Biden, hap garën për qendrën e partisë

Kandidati më i sigurtë i Demokratëve Joe Biden duket se është dëmtuar nga konflikti me Presidentin Trump lidhur me angazhimet e djalit të tij në bizneset në Ukrainë e në Kinë.
Mbase edhe për arsye të tjera, Elizabeth Warren e ka zëvendësuar në krye të garës. Po sikur të mos mjaftonte kjo, rënia e tij ka trimëruar kandidatë të tjerë të qendrës, si kryebashkiaku Pete Buttigieg dhe Senatorja Amy Klobuchar.
Buttigieg, një veteran i luftës në Afganistan, bëri sidomos përshtypje në reagimin për braktisjen e kurdëve nga administrata Trump.
Kur u sulmua nga ish-kandidati për senator, Beto O’Rourke, ai u përgjigj prerazi: “Nuk pres mësime kurajoje nga ty, as në politikë e as personale”.
Bashkë me Klobuchar ishin dy kandidatë që bënë shumë përshtypje në këtë debat. Nëse Biden vendos të tërhiqet për ndonjë arsye, qendra e partisë do të ketë të paktën dy trashëgimtarë.
Biden sigurisht nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai hoqi dorezat kundër Senatores Warren në debat, tha me forcë se kurrë nuk kishte biseduar me të birin për çështje politike dhe nuk i kishte ofruar ndërhyrje në favor të biznesit.
Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të, mirëpo me procesin e paditjes së Presidentit Trump në Kongres, Biden do ta ketë të vështirë të përqendrohet vetëm në fushatë.

 

Bernie Sanders fiton mbështetjen e kongresisteve AOC dhe Ilhan Omar

Warren udhëheq po ajo nuk e ka ende në xhep krahun e majtë të partisë. Bernie Sanders, i cili para dy javësh pësoi një sulm në zemër, jo vetëm që nuk ka dalë nga gara, po u kthye mbrëmjen e të martës me forcën që e karakterizon.
Në fund të mbrëmjes ai korri një sukses të papritur: mbështetjen e kandidaturës së tij nga dy kongresistet radikale Alexandra Ocasio-Cortez (e njohur edhe si AOC) dhe Ilhan Omar.
Duke iu bashkuar Rashida Talibit, Sanders ka tani me vete tre të katërtat e të ashtuquajturës Skuadra e demokrateve të Kongresit Amerikan. Këto katër kongresiste janë kthyer në një forcë të re që po përpiqet ta zhvendosë Partinë Demokrate majtas.
Warren dhe Sanders ishin përsëri të kujdesshëm me njëri-tjetrin, sikur të ekzistojë një marrëveshje e pashpallur. Warren si kryesuese e garës ka më pak asrye të përplaset me Sandersin. Ajo shpreson se 76-vjeçari do të tërhiqet në një moment të caktuar të garës dhe ajo ka nevojë për mështetësit e tij të flaktë që duken nganjëherë se po të mos fitojë Sanders, nuk do të votojnë fare në 2020. Klikoni këtu për të lexuar shkrimin e kaluar, mbi këtë temë nga autori Ruben Avxhiu.
Një personazh interesant që ka marrë më pak vëmendje sesa meriton është Andrew Yang që është i vetmi që mbështet idenë e një rroge universale. Në planin e tij çdo familje amerikane do të marrë 1,000 dollarë në muaj shtesë rroge. Ideja nuk është e re dhe është pritur si me tallje ashtu edhe me interes.

 

Shumë pak për politikën e jashtme

Për shumë shqiptarë që i ndjekin këto debate për të zbuluar ndonjë shenjë të ndryshimeve të ardhshme të politikës amerikane nëse një demokrat zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë, nuk pati asgjë për t’u shënuar.
Ashtu si edhe në debatet e mëparshme, politika e jashtme ishte kryesisht vërtet “e jashtme”. U fol pak për Lindjen e Mesme për shkak se ka qenë në lajme së fundi, me luhatjet dhe pasigurinë në qendrimet e Shtëpisë së Bardhë. Po ashtu u përmend edhe Rusia shkarazi për shkak të ndërhyrjes në zgjedhje në 2016 etj. Tulsi Gabbard, një politikane e rrallë amerikane që mbështet diktatorin e kriminelin e luftës në Siri, Bashar Al-Asad u sulmua për këtë çështje dhe u përpoq pa sukses të rifitonte sigurinë e demokratëve.
Asnjë pyetje për Kinën. Sigurisht jo për Europën e Ballkani as që është në radar.
Të paktën 8 kandidatë prej këtyre që u përplasën sot janë kualifikuar për debatin e pestë në muajin e ardhshëm. Kualifikimi varet nga rezultatet në anketime dhe numri i mbështetësve që kanë dhuruar para për ta.
Votimet brenda partisë fillojnë në fillim të vitit 2020.

 

Sa minuta foli çdo kandidat.

Comment

*