Mbesa interviston gjyshërit Rina dhe Naum Prifti, me rastin e 65-vjetorit të martesës

Nga Rea Kondi

 

Shumë të dashur gjysh Naumi dhe nëna Rina, duke festuar përvjetorin e martesës suaj mes dollive dhe kujtimeve, kam dëshirë të di më shumë për fillesën e dashurisë suaj. Pak kush në botë ka rastin që të intervistoj një çift të martuar për 65 vjet me radhë. Si mund ta përshkruani takimin tuaj të parë?

Ne ishin në moshën adoleshente (siç je ti sot) kur u njohëm në shkollën shtatëvjeçare të Ersekës. Unë dhe dy shokë të ngushtë ishim shumë të dhënë pas librave dhe të frymëzuar prej leximit të tyre zgjodhëm edhe të dashurat e zemrës sipas modelit të romaneve francezë. Ia rrëfyem njeri-tjetrit të zgjedhurat e afeksionit rinor dhe vendosëm tua shprehnim ndjenjat tona vajzave përkatëse. Dy shokët e mi u treguan të përmbajtur e nuk patën guxim t’i ndalonin subjektet e afeksionit të tyre e te deklaronin ndjenjat romankike. Unë isha i vetmi që e çova misionin deri në fund. E ndala Rinën në rrugë kur po kthehej nga shkolla për në shtëpinë e saj në Ersekë dhe i deklarova me pasion se ajo ishte e zgjedhura e zemrës sime. E pësova keq prej aktit të shfaqjes së ndjenjës romantike. E zgjedhura e ëndërrimeve të mia m’u përgjegj: Këput qafën! dhe ia mbathi vrapit për në shtëpi. Unë mbeta si hu pa ditur nga t’ia mbaja. Në atë moment do të desha të hapej dheu dhe të zhdukesha ne vend nga përgjigjia e saj e rreptë. Mirëpo me t’u khyer në shtëpi u ula e shkrova disa skica lirike për dashurinë, për vajzën e bukur, për natyrën. Ia lashë në bankë e më duket se kështu e fitova zemrën e saj.

 

Ju keni qenë bashkë për gjashtë dekada e gjysmë. Për çfarë jeni mirënjohës në gjithë këto vite?

Rina dhe unë e njohëm njeri-tjerin herët, në shkollën shtatëvjeçare dhe iu përkushtuam me ndjenja të pastra lidhjes sonë martesore. Ne e adhuronim njeri-tjetrin dhe i kuptonim dëshirat e ëndrrat e secilit. Përpiqeshim me të githë mundesite tona t’i kalonim pengesat e mungesat e fillimit të jetës bashkëshortore, sic ishin banesat e papërshtatshme, lëvizjet nga një qytet në tjetrin. Ne u bëmë tri herë prindër, të tri vajzave tona të dashura, Loretës, Julikës, dhe Rafaelës. Në sajë të dashurisë reciproke, të mirëkuptimit, harmonisë dhe përgjegjësise familjare nëpër dhjetëvjeçarët e martesës sonë ne ndjemë gëzimin e ardhjes së pjesëtarëve të rinj si edhe percjelljen eventuale të prindërve tane, kaluam kohën e rëndë të transferimeve e presioneve të regjimit hoxhist, festuam fejesa e martesa të vajzave në Tiranë dhe arritëm të shikojmë ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, përballuam emigrimin përtej Atlantikut ku përjetuam pikëllimin më të skajshëm të lamtumirës me Erin dhe ngazëllimin e lndjes tënde, e dashur mbesa jonë Rea!

 

Cili është kujtimi më i çmuar për ju të dy?

Një nga kujtimet më të çmuara është vizita jonë në maternitetin e Tiranës, ku një infermiere-mami lajmëroi lindjen e vajzës sonë të parë, Loretës. Pas disa vitesh na gëzoi ardhja e vajzës së dytë, Julikës, dhe në fund edhe vajza e “pleqërisë”, Rafaela.

 

Pas kaq shumë përvjetorëve, si ka mbetur në kujtesë dita e bashkimit tuaj 65 vjet më parë?

Unë i shoqëruar nga djali i kumbarit të familjes sonë, Pirro Gjoshe, moshatari im, shkuam si krushq në shtëpinë e doktor Mihal Caushit në Ersekë. Familja e Rinës nuk bënte dot dasmë sepse disa muaj më parë Milla, motra e saj 15 vjeçare kishte ndërruar jetë. Për këtë arsye, Rina kishte veshur një fustan blu të errët. Kur doli tek dera me flokët e saj të verdha, te leshuar valë-valë mbi supet e saj ajo m’u duk si perëndeshat ne fotografite e librave. Se bashku me daden e saj, Viktoria, u nisëm në këmbë. Rruga Ersekë-Rehovë ishte rreth 2 km. Nuk e mbaj mend pse nuk u interesuam të gjenim ndonjë shok a mik që të na çonte në fshat me automjet. Ndoshta nga romantizmi, ndoshta nga rinia. Unë s’isha veçse 20 vjeç e Rina 17. Atë rrugë une e njihja me pëllëmbë se ecja te pakten dy here ne dite. I njihja të gjithë gurët e sokaket e saj, pemët frutore, shkurret me mana e lajthi, plepat e lartë, krojin me ujin  e ftohte e hijen e dëshiruar. Nuk patëm dasmorë apo sazexhinj të këndonin për ne, por pa muzikë nuk mbetëm. Cicerimat e cukitjet na shoqëruan gjatë rrugëtimit tone dhe per mua ajo ishte muzikë ‘dasme’. Prandaj nuk më erdhi keq që përpara portës së shtëpisë askush nuk këndoi këngën tradicionale te krahines sikurse:

“Nuse ku kalle këmbët aty të rençin dhëmbët.

Dhëmbët e dhëmballat, eshtrat e kokallat!”

 

Cili është kujtimi më i paharrueshëm nga dita e dasmës?

Sipas një besimi popullor nga vendi i Rinës, nëse nusja arrinte t’i shkelte këmbën dhëndrrit gjatë valles rrethore pas vënies së kurorës ajo do dominonte gjatë jetës martesore. Rina ma shkeli këmbën sa mundi më shumë, por meqë ky ishte zakon i panjohur nga anët tona, unë nuk u shqetësova e pastaj për mua shkeljet e saj ishin përkëdhelje të mirëpritura.

 

Cilat janë cilësitë që pëlqeni më shumë te njeri-tjetri?

Mua më shumë se gjithçka më pëlqen sinqeriteti i Rinës.

Ndërsa une admiroj maturine dhe urtësine e Naumit. 

Ne të dy e quajmë veten me fat që u njohëm shumë të rinj dhe u lidhëm me martesë, që u gëzuam me fëmijë. nipa e mbesa dhe e ruajtëm unitetin familjar në vite.

Kur më pyesin sa vite ke martuar, unë përgjigjem me humor se më duket se kam lindur i martuar. Asnje nga ne nuk mund ta imagjinonte jetën ndryshe!

27 Korrik 2017

Rina dhe Naum Prifti u martuan si sot, 65 vjet më parë, në 27 korrik.

 

 

 

Comment

*