Mbetet në fuqi dënimi i UEFA-s për Skënderbeun

Nion (Zvicër), 4 maj 2018 – Komisioni i Apelit të UEFA-s la në fuqi vendimin e dhënë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s që Skënderbeu të përjashtohet 10 vjet nga garat europiane dhe të paguajë 1 milion euro gjobë, për shkak të dyshimeve pwr trukime ndeshjesh.

Dëshmitë që dhanë më parë futbollistet Shkëmbi, Latifi, Berisha, Nimaga dhe Lilaj nuk ndikuan në ndryshimin e vendimit të Apelit të UEFA-s, që la në fuqi dënimin e rëndë ndaj klubit korçar.

Klubi i Skënderbeut reagoi menjëherë, duke shprehur mospajtim me vendimin e Apelit të UEFA-s, të cilin e cilësoi si paragjykues.

Klubi korçar deklaroi se brenda afateve ligjore do të paraqesë ankim në Gjykaten e Arbitrazhit Sportiv, e njohur ndryshe si KAS, ku do të parashtrohen të gjitha faktet dhe provat për rrëzimin e dënimit të rëndë që ka dhënë UEFA.

Klubi i Skënderbeut deklaroi se është i sigurt në pafajësinë e plotë të cilido lojtar apo zyrtar të klubit dhe do të ndjekë të gjitha rrugët e mundshme ligjore për mbrojtjen e integritetit dhe arritjeve historike, raporton ABC News.

Fati i kampionëve të Shqipërisë do të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. (r.m.)

Comment

*