Mbi 350 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve të Kosovës

Prishtinë, 3 janar 2018 – Një qytetar nga komuna e Shtimes është plagosur nga një plumb qorr, gjatë festimeve me të shtëna armësh, natën e Vitit të Ri.

Raste të tilla në Kosovë kanë ndodhur shpesh gjatë festave apo ahengjeve familjare, sepse festimet me të shtëna armësh tashmë janë krejtësisht të zakonshme, ndonëse një mënyrë e tillë e festimit është e ndaluar me ligj.

Statistikat flasin për numër të madh të armëve ilegale në duart e qytetarëve të Kosovës. Gjatë vitit 2017, në Kosovë janë konfiskuar rreth 1.500 armë ilegale dhe një sasi e madhe e municionit.

Por, njohës të çështjeve së sigurisë në Kosovë thonë se qytetarët mbajnë pa leje rreth 350 mijë armë të vogla e të lehta.

Numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë, në veçanti për vetë qytetarët, thonë njohës të çështjeve të sigurisë. Sipas yyre, armët ilegale janë një prej problemeve kryesore nga aspekti i sigurisë publike në Kosovë.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë ka thënë se përdorimi i armëve, posaçërisht nga të miturit, është shunë shqetësues për sigurinë në vend.

“Nga raporti i UNDP-së llogaritet që janë 350 mijë armë të vogla dhe të lehta në formë ilegale në duart e qytetarëve. Policia disa herë ka shkatërruar një numër të tyre , prezenca mbetet jashtëzakonisht e madhe”, ka thëmë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

“Janë dy mënyra të ndryshme për ta larguar këtë dukuri negative. E para është rritja e vetëdijesimit sidomos tek prindërit, që të mësojnë fëmijët e tyre për pasojat e armëve ilegale, si dhe të ndërtohet një program nacional kombëtar për të shkëmbyer armët ilegale me elemente tjera, që mund t’i hyjnë në punë familjeve”, ka shtuar ai.

Autoritetet e rendit tregojnë se vazhdimisht janë lansuar fushata për vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun që paraqet posedimi dhe përdorimi i kundërligjshëm i armëve.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se policia, përmes operacioneve aktive policore, ka konfiskuar çdo vit 1.200 deri 1.500 armë ilegale të llojeve të ndryshme.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete në funksion të krijimit të një sigurie më të madhe për qytetarët, duke konfiskuar edhe një sasi të konsiderueshme të armëve, mjeteve të pashpërthyera dhe municioneve të ndryshme gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës”, ka thënë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

“Inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione që mund të çojnë në identifikimin apo gjetjen e armëve, municioneve apo mjeteve tjera që cenojnë sigurinë e qytetarëve, ta njoftojnë policinë dhe të bashkëpunojnë me organet kompetente”, ka theksuar Hoxha.

Posedimi i armëve në Kosovë është i kundërligjshëm dhe sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës. (r.m.)

Comment

*