Mbi 80 mln euro perfitime shtesë për Shqipërinë nga rinegocimi i marrëveshjes me TAP-in

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe drejtori menaxherial i TAP, Ian Bradshaw kanë nënshkruar një marrëveshje me konsorciumin TAP, për përfitimet vendase dhe angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit dhe ofrimimin e shërbimeve mirëmbajtëse për sistemin e gazsjellësit TAP në territorin shqiptar.
Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej Drejtorit Menaxherial, z. Ian Bradshaë. Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.

Përfitimi nga këto dokumente që do të kalojnë procedurat ligjore për tu miratuar në qeveri e më pas në Parlament janë të shumta për Shqipërinë. Rishikimi i periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë Eurosh. Gjithashtu, Shqipëria përfiton rritje të investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë Euro, dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350’000 Euro në 700’000 Euro. Ndërsa memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz, (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftesimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale;

Tap shprehu vullnetin për të përmbushur disa detyrime të tjera për sa i përket sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar, mundësinë e kufizimit të kohëzgjatjes së MQVP-së në 25 vite në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara, zgjatjen e afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë dhe dhënien e të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse TAP lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër prites.

“Kjo marrëveshje e amenduar i krijon mundësinë Shqipërisë që të trajtohet tashmë në mënyrën e duhur dhe të ribalancojë angazhimet e saj kontraktuale si vend pritës i gazsjellësit duke maksimalizuar përfitimet. Qeveria e Shqipërisë mirëpret angazhimin e TAP për vazhdimin e projekteve të investimit në dobi të komuniteteve lokale, në infrastrukturën energjitike dhe atë të transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Shqipëria është vendi i parë që firmosi me TAP Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në prill 2013. Bazuar mbi përcaktimet ligjore të kesaj marrëveshjeje, pala shqiptare kishte të drejtën të kërkonte përshtatjen e termave të saj për të siguruar trajtim të barabartë dhe kushte jo diskriminuese.

/ Top Channel

Comment

*