Mbi ekspozitën fotografike “Shkodra – familja, shtëpia, historia ime”

Qerim Vrioni

Para disa ditësh në qytetin e Shkodrës u çel Ekspozita Fotografike “Shkodra – familja, shtëpia, historia ime”, organizuar nga organizata GO2 me mbështetjen e GIZ. Ajo ishte fryt i fotove, më e hershmja e tyre e vitit 1863, në pronësi të qytetarëve të cilët iu përgjigjën thirrjes së organizatës për t’i paraqitur publikut në një veprimtari që i kushtohej qytetërimit të vjetër dhe të ri shkodran. Paraqitja e fotografive u bë në oborrin e një shtëpie dykatëshe shumë të vjetër shkodrane (thuhet 300-vjeçare) të Familjes Halili, e cila me bujari e kishte vënë në dispozicion të organizatës e, nëpërmjet saj edhe për të gjithë shkodranët artdashës. Vështrimi i fotografive u shoqërua edhe me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër mbi historikun e disa prej fotografive të ekspozuara, madje u shpërndanë edhe nderime simbolike nga një juri për qytetarët të cilët kishin sjellë fotot më mbresëlënëse.

Vështrimi i fotografive të krijonte përshtypjen e një udhëtimi në historinë e qytetit të vjetër verior, për të njohur kësisoj banesat, shtëpitë, e po ashtu edhe ngjarje familjare e shoqërore, dasma e funerale, dukuri natyrore, por edhe përditshmëri pa kurrëfarë ngjyre, thënë më shkurt, të shkuarën e një qyteti me histori të rëndë siç është Shkodra. Shumica e fotove ishin pa emër autori, por ato të gjitha kishin të bashkëngjitur subjektin ose temën e secilës, madje përgjithësisht, me emra, datë, vend dhe shkakun e shkrepjes së fotografisë. Ato ishin realizuar nga fotografë profesionistë dhe amatorë, por shkrepjet e tyre jetuan dhe do të jetojnë në sajë të subjekteve, sepse ky ishte objektivi kryesor i metodologjisë së përzjgedhur: sjellja e rrëfimeve njerëzore përmes fotografive

Pjesa më e madhe tyre ngërthente gjini të ndryshme të fotografisë, si familjare, historike, arkitekturore, etnografike, foto dasme, sportive etj., dhe kjo përbën një tregues edhe për nivelin artistik të ekspozitës. Në foto shihen shumë banesa të cilat sot nuk janë më, mbi themelet e tyre ngrihen ndërtesa të reja, duke zhdukur pjesë të historisë, ato qëndrojnë para syve të shikuesve vetëm nëpërmjet fotografive, e kjo është magjia e saj, mban të gjallë kujtesën historike për brezat e sotëm dhe të nesërm. Dhe dihet mirë se një vlerësues i një qytetërimi përbëhet edhe nga shkalla e kujtesës historike, çka sot mendoj se me pangopësinë për ndërtime vend e pa vend, objektet e rralla historike, brezave të mëvonshëm do t’u mbetet t’i shohin vetëm nga fotografitë (nëse për fat të mirë do të ketë të tilla).

Në eksponatet e paraqitura nuk të bien shumë në sy brendësitë e banesave, sidomos shpërfaqja e jetës kulturore të shkodranëve, bibliotekat dhe pikturat nëpër muret e shtëpive, orkestrat popullore, por sidomos edhe ndonjë piano. Thuhet se Shkodra në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kishte aq piano sa kishte e gjithë Shqipëria. Thuajse e njëjta gjë mund të thuhet edhe për bibliotekat publike, si për nga numri ashtu edhe përsa i përket pasurisë së tyre. Po ashtu, për mendimin tim, mungonte shpalosja (ose zgjedhja e fotove) e harmonisë  fetare midis besimeve të ndryshme brenda qytetit. Të mos harrohet se një Shkodran i Madh, Vaso Pasha, ka shkruar se “Feja e shqiptarit asht shqyptarija”, e natyrisht, edhe përvoja e tij jetësore nga qyteti i lindjes e ka nxitur për këtë thënie lapidare. Por me sa mësuam, organizatorët kishin zgjedhur këtë herë vetëm eksterierin e banesës, duke e lënë interierin, harmoninë fetare etj, objekt të ekspozitave të ardhshme. Ekspozita e parë ishte për fotografinë me biçikletë, e dyta për banesën, ndërsa në vitin 2019, sipas tyre, tema e zgjedhur është: Jeta kulturore në qytet.

Ekspozita “Shkodra – familja, shtëpia, historia ime”, shoqërohet edhe me katalogun përkatës, shenjë e dallueshme kjo për seriozitetin e saj, veçse riprodhimi i fotove në të, për mendimin tim, nuk është në lartësinë e duhur. Në fotografitë bardhë e zi, që janë shumica, me vështirësi gjen të zezë të plotë dhe të bardhë të pastër, kështu që fotot duken pak si të pluhurosura dhe pa qartësinë e nevojshme.

Veprimtaria kulturore “Shkodra – familja, shtëpia, historia ime”, përpos pak sugjerimeve të mësipërme dashamirëse, mbetet një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur edhe nga qytete të tjerë të vendit, duke i kryer kështu një ndihmesë të vyer kulturës shqiptare e duke sendërtuar kujtesën historike të një kombi, si një vlerë e patjetërsueshme e vitalitetit të tij.

Siç e theksuam edhe më sipër, ekspozita fotografike u zhvillua në mjediset e jashtëme të një shtëpie 300-vjeçare shkodrane, por si qershi mbi tortë qëndron fakti se në këtë shtëpi banojnë prej disa dhjetëvjeçarësh pronarët autentikë. Kësodore, vështirë se mund të gjendej ndonjë vend më i përshtatshëm për të shpërfaqur vazhdimësinë e traditave familjare, shoqërore dhe historike se sa kjo shtëpi e vjetër e Familjes Halili. Kjo përbën edhe një meritë të veçantë të organizatorëve të saj, Eltjana Shkreli dhe Irhan Jubica, të cilët meritojnë përgëzime dhe inkurajime për të tjera organizime të tilla.

Qerim Vrioni, Tiranë, prill 2018

Comment

*