Mbresa vjeshte

Sadik Elshani

Vjeshtë në natyrë…

Secila stinë e ka bukurinë, magjepsjen e vet, na sjell dicka të këndshme, na frymëzon, na bën të ndihemi mirë, na ngjallë kujtime, mall. Në këtë çast është stina e vjeshtës me tërë bukurinë e saj, ngjyrat e mrekullueshme, pemët plot fruta, vreshtat plot me rrush. Secili e përjeton këtë stinë ndryshe, secilit i ofron diçka ndryshe. Poetët, kompozitorët, piktorët e mëdhenj janë frymëzuar nga kjo stinë, nga koloriti (ngjyrëshmëria), bukuria e saj. Na shfaqen përpara fytyrës sonë pikturat magjepse të piktorit francez, Claude Monet (1840 – 1926) e shumë piktorëve të tjerë. Por, secili e përjeton, ndjen ndryshe, në mënyrën e vet karakterristike, të veçantë. Migjeni i ndjeshëm e melankolik në vjershën e tij të njohur, “Vjeshta në parakalim”, e ndjen vjeshtën, sidomos vjeshtën e vonë, me atë zymtësinë, ftohësinë e vet. “Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona”, është ky varg që ngërthen thelbin e kësaj poezie dhe gjendjen shpirtërore të poetit në stinën e vjeshtës. Është edhe një poezi tjetër shumë e njohur me motive vjeshte, poezia e poetit të njohur francez, Jacques Prevert (1900 – 1977), “Les feuilles mortes”, që në shqip përkthehet, “Gjethet e vdekura”. Por, përkthimi në anglisht dujket më i përshtatshëm, “Autumn lieves” (“Gjethet e vjeshtës”). Vargje që sjellin në kujtesë çastet e lumtura të dashurisë dhe mungesën e së dashurës, sidomos në kohën kur gjethet e vjeshtës fillojnë të bien. Po aq e bukur është edhe kënga me të njejtin titull, kënduar nga Yves Montand, Edith Piaf e shumë këngëtar të tjerë të njohur.

 

Vreshtat mahnitëse të Suharekës/Therandës

Koha e vjeshtës më sjell mall e kujtime të këndshme nga një kohë e largët, koha e fëmijërisë dhe rinisë sime në vendlindje, Shuarekë/Therandë (Kosovë). Pikërisht shkuarja në vreshtën tonë dikur vonë pasdite, gati në buzëmbrëmje. Suhareka/Theranda është e njohur për vreshtat e saj qe ndodhen kryesisht në kodrinat në anën veriore dhe verilindore, por edhe në rrafshnaltën e Shirokës në pjesën jugore e jugpërendimore. Vreshtat i japin një pamje mahnitëse, madhëstore natyrës së qytetit tonë, ato pamje mbresëlënëse ta kënaqin syrin kur i shikon. Përbërja e tokës, argjlore – gëlqerore dhe klima e përshtatshme, ditët e nxehta, netët e freskëta janë kushtet themelore për rritjen e hardhisë së rrushit. Vreshtat janë një pasuri, pjesë e qytetërimit të një vendi. Cilësia e verërave, rakisë, konjakut dhe prodhimeve të tjera të rrushit përbëjnë një nga traditat më të hershme bujqësore e prodhuese të popujve të vjetër. Cilësia e këtyre prodhimeve i japin edhe një prestigj vendeve prodhuese, një lloj krenarie e identiteti kombëtar.

 

Përjetim i papërshkruar

Për mua shkuarja në vresht në buzëmbrëmje ishte një përjetim i papërshkruar. Pasi i kisha kryer detyrat e shtëpisë dhe i kisha përgatitur lëndët për ditën e nesërme, atëherë e merrja shportën ose kofinin dhe nisesha në këmbë drejt vreshtës. Kjo ishte edhe një sheti e bukur shlodhëse, një sheti nëpër një ekspozitë të gjallë që vetëm piktorja vjeshtë ka mundur të pikturojë pamje të tilla shumëngjyrëshe. Të ngjallte atë përjetimin sikur je duke shkuar në një koncert, shfaqje të bukur teatrore. Hardhitë e mbushur plot rrush, pemët e mbushura me fruta, kundërmonte era e këndshme e mollëve, daedhave, pjeshkëve, ftonjve ta kënaqnin zemrën e shpirtin, te ripërtrinin, ta freskonin mendjen, të frymëzonin. Nga kodrinat e vreshtave shfaqet një pamje madhështore gati e tërë Rrafshit të Dukagjinit: ne jug Bjeshka e Mushtishtit (pjesë e vargmaleve të Sharrit), larg në jugperëndim, Koritniku e Pashtriku dhe në përendim, në horizont majat madhështore të Bjeshkëve të Namuna – Alpeve Shqiptare. Qielli i kaltërt, ajri i freskët e i pastër, në përendim qielli i përflakur nga përendimi i diellit prapa Bjeshkëve të Namuna krijonin një mjedis magjik, përrallor. Ishin ato edhe vitet kur thurja poezi, ku bukuritë e natyrës shpëfaqeshin në vargjet e mia…

Janë këto përjetime, kujtimi që nuk mund të harrohen kurrë, janë ajo lidhja e fortë dhe e padukshme me vendlindjen, vitet e rinisë. Vitin e kaluar, në fillim të tetorit isha në vendlindje dhe nuk mund ta përfundoja vizitën pa i vizitur vreshtat. Kuptohet, me kalimin e kohës dhe mungesën e kujdesit shumë vreshta kishin ndryshuar. Hardhitë e vjetra të vreshtës sonë në formë kaçube vellau i kishte prerë dhe kishte mbjellur hardhi të reja në stilin e plantacioneve moderne. Kishte mbjellur edhe disa pemë. Pra, nuk ishin më ato vreshta të rinisë sime, por për mua ishte i njejti përjetim, e njejta kënaqësi shpirtërore dhe e njejta pamje madhështore që e përshkrova pak më lart.

Philadelphia, 15 nentor, 2020

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Comment

*