Mbresa

Julika Prifti

Meqe ne Shqiperi, 1 qershori ishte Festa e Femijve, une kisha kujtime te mirëpritura e te dashura per kete dite nga femijeria ime. Njësoj siç festohej dita e mësuesit, dita e gruas, dita e punetoreve etj, mendoja se vleresohej eksistenca e femijve nga prindërit, gjyshërit e te afërmit. Vec kesaj, qershori sillte edhe pjekjen e qershive edhe mbase me kryesorja per moshataret e mi, mbarimin e shkollës dhe fillimin e pushimeve verore.

Ky 1 qershor me emocionoi jo aq per kujtimet e fëmijërisë sesa per festimin e nje date te shënuar per Shoqërinë Pan-Shqiptare Vatra, pikerisht 106 vjetori i krijimit te saj nga Noli e Konica. Kisha marre pjese ne disa darka e kremtime te përvjetorëve te Vatres, qekur kisha ardhur ne Nju Jork. Por ne kete pervjetor babai do te nderohej per punën e aktivitetin e tij prej shume dekadash. Babai erdhi ne Amerike ne moshën kur shume njerëz dalin ne pension, po e vazhdoi punën ne nje vend te ri, larg mëmëdheut e miqve te tij, larg burimit te pare te krijimtarise me te cilën ishte rritur, dhe larg lexuesve dashamires. Por si njeri optimist dhe plot energji, ai u angazhua ne Vater me detyren e sekretarit dhe dhe per gati dy dekada iu kushtua punëve ne sherbim te shoqates, me thirrjet per ndergjegjesimin ne arenen e opinionit publik amerikan dhe nderkombetar, me pjesemarrjen ne demonstrata, e protesta ne UN etj, me diskutime e takime me kongresmene e senatore amerikane, vizitat ne Shqiperi dhe Kosove etj. Pjese e kesaj fushate ishin botimet e dy librave me platforme gjithekombetare per te ardhmen e shqiptareve, te quajtur Kombi dhe Shekulli 21.

Kur babai fliste ai kurdohere thoshte dicka qe te mbetej ne mendje, nje histori qe te prekte, nje mesazh qe te bënte pjese aktive te dhe te jepte arsye per te jetuar me shprese per nje te ardhme me te mire. Pjese e elokuences se tij ishte humori i tij qe e bente sallen te shpërthente ne te qeshura. Nuk kam dëgjuar njeri tjetër te flasë aq bukur sa babai im pavaresisht nga forumi apo madhesia e tubimeve apo ceremonive, ne shkollën time, ne klubin e shkrimtareve, ne takimet me lexuesit, ne skenat e teatrit apo ne televizion. Ai dinte t’i drejtohej e t’i fliste çdo auditori me mjeshterine e nje folesi te sprovuar dhe e dinte sesa mund te degjonte audienca. Babai kishte nje diksion te paster, ze te forte e te qarte. Ai e dinte si te ngrinte e te ulte zërin qe fraza te tingëllonte dhe te kishte efekt te degjuesi. Kete e ndieja kur na lexonte tregimet, përrallat, dramat apo komeditë, përkthimet apo esetë, sapo e perfundonte se shkruari vepren. Ai vinte në shtepi me faqet ende me doreshkrimin e tij ose te shtypura ne makinen e shkrimit dhe teksa lexonte rreshtat rrjedhshem, une e kisha te lehte te shikoja personazhet e tij te flisnin e debatonin para syve te mi. Ai ishte fare i lirshëm sepse ai ishte vetvetja.

Kete 1 qershor kur prezantuesja e mbremjes festive, paraqiti nje biografi te permbledhur te punës se tij, une kujtova vitet e shkuara kur babai ishte energjik e i shëndetshëm dhe i afrohej mikrofonit me shkathtesi. Si 86 vjecar, trupi i tij eshtë mpakur në gjatesi dhe peshe, flokët jane rralluar e thinjat janë shtuar, shpatullat janë pak te rrumbullakosur, kembet jane dobesuar, syzet e leximit rrine mbi hunde gjithë ditën, dhe hapat janë zvogëluar ndjeshëm. Nje shkop i gjate i eshte bere shok i pandare dhe zëri i ka ndryshuar. Nuk eshte aq i qarte e nuk kap tonalitete te larta si me pare. E pashe babanë te ngrihej me ngadalë e te ndihmohej per te bere rrugën nga tavolina kryesore tek podiumi ne mesin ei sallës se restorantit Marina del Rey. Ne nje krah e ndihmonte z/kryetari i Vatres, Agim Rexha, dhe ne krahun tjetër, anetari i deges se Miciganit, Alfons Grishaj.

Zoti Alfons Grishaj beri paraqitjen e veprimtarisë artistike te babait. Nuk foli gjate por beri prezantim artisitik te figurës se babait si shkrimtar e veprimtar. Babai nxorri nga xhepi shkrimin e përgatitur e filloi te lexonte. Zeri nuk i kumbonte si dikur e nëse mikrofoni levizte pakez ne sallën e madhe fjalët nuk dëgjoheshin mire. Zoti Alfons e hoqi mikrofonin nga stativi dhe u kujdes qe fjalët e shkrimtarit te dëgjoheshin nga te gjithë. Dhe atëherë une fillova te dëgjoj “ zërin” e babait me te cilin isha mesuar qysh femije. Ne fund duke e larguar fjalen e shtypur ne leter, ai iu drejtua salles me nje mbyllje te improvizuar aty per aty. “Tani dua te them edhe diçka tjetër. ….

Aty ai u shnderrua ne oratorin qe ka qene kurdohere. Duke falenderuar per nderimin nga Federata, babai tha se vete pervjetori 106 eshte tregues se Vatra e kaloi sprovën e saj. “Kjo Vatër nuk ka per tu shuar “ shqiptoi babai me entuziasme dhe gjithë salla ishte ngritur ne kembe e duartrokiste ngrohtësisht. Ndonese aty ishim mbledhur ne ate darke te festonim nje pervjetor, babai si edhe Vatra nuk njohin moshe.

Comment

*