Mbreti italian Viktor Emanueli III nuk do Skënderbeun, por kurorën e tij

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

(Shkrimi pesëdhjetë e katërt i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

 

Vdekja e papritur dhe krejt e parakohshme e Thimi Nikës, 69 vjeç, gazetar por historikisht edhe drejtues i rëndësishëm i medias shqiptare, punonjës i Shërbimit të Jashtëm Shqiptar në sektorin e Diasporës, veçanërisht edhe koleksionist në nivelin e një dijetari të spikatur të kujtesës kombëtare, në homazh të tij, më riktheu tek një episod të dy-tre muajve më parë.

Kur revista “Koleksionisti”, në krye të së cilës ai qe prej dhjetë vitesh, doli në numrin 31 të saj me një temë speciale: jubilaren e “Vitit të Skënderbeut”, të cilën ngjarje shqiptarët e kanë dëshiruar të jetë si kryenderimi i heroit të tyre të madh nacional në këtë mot të 550 vjetorit të vdekjes së tij.

Ky edicion i kësaj reviste është aq i plotë dhe profesional, me kaq shumë informacion, gjetje dhe interpretime të reja për Gjergj Kastriotin, saqë mund të konkurojë botimin e çdo instituti të specializuar.

E çelur me studimin e filatelistit Jovan Basho, në profesion mjek, bashkëpunëtor i parë i revistës “Koleksionisti”, lexuesi gjen një hollësi mbresëlënëse. Seria e gjashtë e pullave të para të qeverisë së Ismail Qemalit, pra e shtetit të porsapavarësuar shqiptar, ka qenë me pamjen e Skënderbeut.

Ajo është emetuar në 1 dhjetor 1913. U shtyp me standartet më moderne të kohës, në Torino të Italisë.

Kjo pullë me portretin e Gjergj Kastriotit vendit në hapat e para të sovranitetit të tij të mëvetësimit nuk do t’i shërbente vetëm si motiv shpirtëror dhe ideor frymëzimi atdhetar, por edhe për të grumbulluar burime financiare në një arkë të porsakrijuar dhe ende të mbetur bosh.

Sipas Jovan Bashos, u parashikua që shitja masive e kësaj pulle të krijonte futjen në buxhetin e varfër të Shqipërisë ende të panjohur mirë prej bashkësisë ndërkombëtare, të rreth 600.000 frangave.

Koleksionisti Basho shkruan se në 1914 mbi pulla me pamjen e Skënderbeut Esat Pasha bëri një gjest flagrant megallomanie personale dhe mospatriotizmi: mbi të, pra portretin e Gjergj Kastriotit,vuri shenjë zotërimi me unazën e tij të gishtit.

Në studimin e dytë të edicionit të revistës “Koleksionisti”, me autor Fotaq Andrean, ky provon me dokumentet që ka gjetur së fundi se pamja e parë e pikturuar i Skënderbeut është tre-katër dekada më i hershme nga çfarë është pranuar deri tani. Koleksionisti e studiuesi Andrea këmbëngul se portreti i parë dhe tërësisht origjinal i Gjergj Kastriotit ndodhet në kodikun “De Romanorum Magistratibus” të Andrea Domenico Fiocco-s, Romë, 1465. Ky kodik gjendet sot në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit.

(E informojmë lexuesin se historianët me profil njohjen e veprës dhe jetës së Gjergj Kastriotin mundësinë e pikturimit të pamjes së tij e kanë kushtëzuar me fundvitin 1466, pra një mot më pas, kur kryekalorësi shqiptar shkoi për vizitë pune në Romë dhe ndenji atje tre muaj).

Koleksiosti i shumënjohur Bajram Peçi në analizën e tij “Medalja e Skënderbeut që u përdor si simbol në pullën e postës, monedhën e dekoratat e shtetit shqiptar”, rrëfen një gjë befasuese. Sipas studiuesit Peçi, falë kërkuesit Aurenc Bebja, u zbulua se një portret i Gjergj Kastriotit në një medalje, i bërë publik në faqen e parë të gazetës “Përlindja e Shqipërisë” në 7 mars 1914, ka për autor skulptorin dhe medalistin Heinrich Kautsch.

Tek studimi “Urdhri i Skënderbeut” i Filip Rrumbullakut, botuar në revistën “Koleksionisti” dëshmohet historia e përdorimit të emrit të Gjergj Kastriotit në dekorimet shtetërore. Ato nisin që në 1925 me Ahmet Zogun, duke e bërë në historinë tonë politikanin dhe pushtetarin e parë që e çeli këtë traditë të këtij urdhri. Ky Urdhër mbeti edhe pas ikjes së Ahmet Zogut, por pushtuesit italianë i bënë disa ndryshime.

Pas çlirimit, me ardhjen në pushtet të njerëzve të PKSH-së, kjo dekoratë, nga që ishte e periudhës së Zogut, u refuzua. Në tetor 1945 qeveria e re, shkruan Rrumbullaku, “krijoi një dekoratë me një paraqitje të ndryshme nga ajo e kohës së Zogut, ku portreti i tij mbështetet mbi simbolin e yllit komunist”.

Këtu e ndërpresim vështrimin e përgjithshëm mbi numrin e fundit të revistës “Koleksionisti”, referim që e kryem në homazh të kryeredaktorit të saj Thimi Nika.

Dhe po i kthehemi librit të tij enciklopedik mbi filatelinë shqiptare, i pari i këtij lloji në historinë tonë, fitues i një medaljeje të argjendtë në konkursin më të fundit ndërkombëtar.

Atje i paharuari Thimi, mes shumë të tjerash episode interesante, ka edhe një që lidhet me trazirën që shkaktoi mbreti italian Viktor Emanueli III në gjestin e mbrapësht të përvetësimit të imazhit dhe të famës evropiane të Skënderbeut.

Po e tregojmë përse bëhet fjalë.

Pas fillimit të agresionit fashist italian të 7 prillit 1939, i cili përfundoi vetëm pas dyzetë e tetë orësh dhe në disa pjesë të vendit edhe më vonë, në 9 prill u krijua në Tiranë struktura e parë e pushtetit të ri dhunues: Komiteti i Përkohshëm Administrativ. Duke qenë se ky mekanizëm nuk do të qe i përhershëm, në 12 prill u bë mbledhja e 150 vetëve të së ashtuquajturës “Asamble Kushtetuese”, e cila shpalli përmbysjen e Ahmet Zogut dhe krijimin, në formën e një“bashkimi personal”, të Shqipërisë si pjesë të Italisë.

Dy shtetet, nën një mbret, Viktor Emanuelin III, do të qenë një. Kryeqytet do të ishte Roma, si edhe qeveria e saj në komandë të asaj që ndodhte tashmë në provincën me kryeqendër Tiranën.

Kështu u likujdua pavarësia e Shqipërisë së shpallur në 28 nëntor 1912.

Por Musolini dhe monarku italian nuk u mjaftuan as me pushtimin ushtarak, as me prishjen e sovranitetit territorial dhe as me ozurpimin e qeverisjes. “Bashkimi personal” u duhej edhe më shumë entuziast e spektakolar nga sa qe menduar fillimisht për t’i hedhur pluhur syve të botës.

Duhej që kurora simbolike dhe historike e Skënderbeut, një përkrenare e tij, të cilën herë pas here kishte provuar ta vinte në kokë Ahmet Zogu, të ndryshonte kaptinë: të vendosej tek ajo e mbretit italian, shtati i të cilit ishte sa një e treta e trupit të Gjergj Kastriotit.

Madje në Romë urdhëruan që kjo të ndodhte me ceremoni. Nuk do të ishte Viktor Emanueli, i cili për ta vënë në kokë kurorën e kryeheroit të shqiptarëve do të vinte në Tiranë, por do të qenë një turmë përfaqësuesish të këtyre të fundit që do ta sillnin nga atdheu i tyre dhe po ata do t’ja vinin mbi kaptinë monarkut italian.

Poshtërsia e atyre që e kryen këtë turp, me në krye Shefqet Vërlacin, nuk ka fund, siç është e dhimbshme ndjenja e poshtërimit që u përjetua kur kjo hata ndodhi, tek jo pak bashkëkombës, të cilët ndodheshin mes dërgatës në rrethana shtrëngimi.

Në 16 prill ishte dita kur shqiptarët e ardhur nga Tirana si përfaqësues të Asamblesë Kushtetuese, i vunë në kokë Viktor Emanuelit III kurorën e Gjergj Kastriotit. Kështu xhuxhi Viktor u bë “mbret i Italisë dhe i Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë”.

Poshtërsitë dhe fyerjet megjithatë duhet dhe mund ta kenë një limit. Kështu çfarë u bë deri tani nga ozurpatorët e pavarësisë së Shqipërisë duket plotësisht e mjaftueshme për t’u mbyllur. Por jo. Viktor Emanueli III vërtet qe frikshëm i shkurtër, veç pangopësinë për pushtet dhe poshtërrim të një populli tjetër, e kishte të madh.

Thimi Nika në librin e tij “Historia e Filatelisë Shqiptare ” rrëfen se shërbimi postar shqiptar nisi dy ditë pas pushtimit, më 9 prill, punën e vet. Emisioni i parë i pullave nga tetë gjithsej gjatë tërë periudhës së pushtimit italian, iu kushtua mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese. Ndoc Naraçi, drejtori i Përgjithshëm i Postave, Telegrafeve dhe Telefonave me siglën “Tepër urgjent” dhe prot. 4044, datë 12 prill 1939, pra pikërisht ditën e mbledhjes së Asamblesë, iu drejtua kryesisë së Komitetit Administrativ, duke i thënë se pullat që ndodheshin ende në qarkullim duhej të sursharzhoheshin (mbishkruheshin) me fjalët “Pushteti i Përkohshëm”.

Pullat me mbretin italian.

Po atë ditë Këshilli i Komitetit Administrativ vendosi që sursharzhimi të bëhej me fjalët “Mbledhja Kushtetuese 12.4.1939”. Pastaj ai menjëherë urdhëroi Postë Telegraf Telefonat për ta vënë në zbatim direktivën që të nesërmen në mëngjes.

Studiuesi, gazetari, diplomati dhe koleksionisti Thimi Nika rrëfen në librin e vet se në dy pulla të emisionit ordiner të shërbimit të ri postar ishte portreti i Skënderbeut. Pasi shkresat bënë rrethqarkullimin e tyre nga drejtoria e përgjithshme e PTT-ve tek ministria e Punëve Botore, u mbyll cikli burokratik i propozimit dhe në 23 qershor 1939 lënda iu dërgua në Romë Intituti Poligrafik Italian.

Ky sendërtoi dy bocete dhe ato kryen rrugën e kthimit dhe mbërritën në Tiranë në Ministrinë e Punëve Botore. Jemi në fillim të korrikut. Që prej këtij çasti ky dikaster ia përcolli dy bocetet Këshillit të Ministrave dhe ky më 5 korrik u shpreh se në lidhje me pullat ordinere me portretin e Skënderbeut vendimi do të merrej më vonë.

Më 27 korrik 1939, tregon Thimi Nika, me urdhër të Mëkëmbësit të Përgjithshëm në Shqipëri Françesko Jakomoni u njoftua drejtori i përgjithshëm i PTT-ve Ndoc Naraçi se boceti i përgatitur nga Instituti Poligrafik në Romë me portetin e Skënderbeut nuk qe miratuar dhe se duhej bërë një bocet tjetër.

Pas më pak se një jave një letër tjetër urgjente, nisur nga Roma më 1 gusht 1939, do të mbërrinte tek drejtori Naraçi, ku i thuhej se kishin nderin t’i përcillnin Tiranës bocetin e ri të përgatitur nga Instituti Poligrafik i Shtetit.

Ky qe me portretin e mbretit perandor në profil, duke shpjeguar “që asht për t’u zëvendësue Efigjen e Skënderbeut, e cila nuk u pranue prej Ministris së Punëve të Jashtme”. Doemos të Italisë, sepse Shqipëria të tillë nuk kishte që nga 7 prilli.

Në vijim, shkruan i paharuari Nika, lëvizin me ngut dy shkresa brenda pesë ditëve, që të dyja me siglën “Tepër urgjent”.

Në16 gusht dhe 21 gusht 1939 do të dërgoheshin në Ministrinë e Punëve Botore për t’u bëri miratimi i bocetit me efigjen në profil të M. së Ti. Mbretit Perandor që do të figurojë mbi pullat postare ordinere prej 5 dhe 65 qind”

Miratimi nuk vonoi. Më 29 gusht doli vendimi nr. 533 i Këshillit të Ministrave i firmosur nga Shefqet Vërlaci. Ai anullonte vendimin e bocetit të tre muajve më parë me portretin në profil të Skënderbeut dhe autorizonte zyrat kopetente të përdorimin e atij me Viktor Emaluenin III.

Dhe duke qenë se mashtruesit janë edhe hileqarë por edhe bufonë, nga Romë-Tirana zyrtare u urdhëroi të bëheshin dhe shpërndaheshin disa pulla të tjera, të cilat do të maskonin poshtërsinë e bërë me Gjergj Kastriotin dhe veprën e tij për liri, aspak për t’i shërbyer ndonjë pushtuesi të vjetër apo të ri.

Kështu u prodhua dhe u shpërnda një pullë ordinere me pamjen e një shqiptari nga Veriu të veshur me kostum kombëtar, një e dytë me një burrë nga Jugu, po ashtu edhe ai me kostum kombëtar. Pulla e tretë paraqiste një grua nga Veriu me veshje femërore kombëtare dhe e katërta të një gruaje nga Jugu.

Pulla e pestë jepte pamjen e Kalasë së Krujës.

Të tjerat me rradhë: Ura e Mesit, Baptiseri i Butrintit, Teatri i Butrintit.

Spektakli i rrufjanëve në Tiranë dhe në Romë tashmë kishte mbaruar, por nuk i duartrokiti kush. Ca më shumë historia.

Kjo i fishkëlleu.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 tetor 2018

Pullat demagogjike të pushtimit italian

Comment

*