Mbyllen operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave nën rrënoja

Kryeministri më pas u përball me zemëratën dhe shqetësimin e banorëve në lagjen e Kombinatit në Tiranë, pasi mijëra sosh në kryeqytet janë pa strehë

Denion Ndrenika

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen e operacioneve të kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Konfirmohet se tërmeti u mori jetën 50 qytetarëve në Thumanë të Krujës, Durrës dhe Laç.

Më shumë se 900 persona u lënduan, ndërkohë që 41 të tjerë u nxorën nga gërmadhat. Mes viktimave ka katër fëmijë dhe dy shtetas të Kosovës.

Tre të lënduar janë dërguar jashtë Shqipërisë për kurim, 4 janë në spitalin e Durrësit dhe 34 në spitalin e Tiranës.

Në Durrës, Tiranë, Laç është shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme. Zoti Rama në mbledhjen e qeverisë në mëngjes paraqiti gjendjen në zonat e goditura dhe ndihmën për popullatën.

Kryeministri më pas u përball me zemëratën dhe shqetësimin e banorëve në lagjen e Kombinatit në Tiranë, pasi mijëra sosh në kryeqytet janë pa strehë:

“Duam ekspertë për të vlerësuar pallatet. Viktimat e radhës i bie të jemi ne?!”, i tha kryeministrit njeri banor.

“Unë këtu kam qenë dhe i kam njerëzit e familjes time në këtë hall. Pse do të jeni viktimat e radhës?! Mos u fut në pallat, por shko te qendra sociale që të mos kesh qiellin mbi kokë. Do të më lini ta mbaroj se ka të tjerë shumë më keq se ju?”, – tha zoti Rama.

Tërmeri i 26 nëntorit 6,4 shkallë Rihteri ishte më i forti që pas prillit 1979 në Shkodër.

Comment

*