Mbyllet përkohësisht Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë

Tiranë, 23 shkurt 2018 – Xhamia historike e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, ka mbyllur dyert përkohësisht pasi do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit.

Kjo është konfirmuar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ai ka thënë për “Gazeta Shqiptare” se Xhamia e Et’hem Beut do t’i nënshtrohet restaurimit pas kaq shumë vitesh, sipas marrëveshjes së arritur mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Gurra ka treguar se procesi i restaurimit do të nisë zyrtarisht të hënën dhe pritet të zgjasë deri në dy vjet. Gjatë kësaj kohe, në këtë xhami nuk do të ketë as shërbesa fetare.

Marrëveshja, e cila është firmosur javën e kaluar mes Ministres Mirela Kumbaro dhe kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, parashikon restaurimin e 5 monumenteve kulturore të besimit islam: Xhamia Mbret, Berat; Xhamia e Beqarëve, Berat; Teqeja e Helvetive, Berat; Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë; Xhamia e Pazarit, Gjirokastër;

Xhamia e Et’hem Beu do të mbyllet pas 27-vjetësh të rihapjes për lutje. Prej vitit 1967 e deri më 1991, kjo xhami ishte monument kulture që ruhej nga shteti, pa iu ndryshuar funksioni, siç kishte ndodhur me xhami të tjera, të cilat ishin shndërruar në vatra kulture apo në magazina.

Xhamia e Et’hem Beut, e cila njihet edhe si simbol i kryeqytetit shqiptar, përveç për lutjet e besimtarëve, ishte e hapur edhe për turistët. Ajo mbetet një nga vendet më tërheqës të atyre që e vizitojnë kryeqytetin shqiptar, qofshin ata të huaj apo shqiptarë nga trojet tjera etnike. (r.m.)

Comment

*