300 të rinj nga diaspora u trajnuan për 700 vende pune në administratë (zë)

Në Jalë të Vunoit në Himarë të Vlorës, trajnimi u zhvillua me seminare për punësimin në administratën vendore dhe qendrore në përputhje me programet e të dy shteteve shqiptarë Shqipërisë dhe Kosovës

Denion Ndrenika

300 të rinj nga Shqipëria, Kosova, trevat etnike të Shqipërisë jashtë kufijve dhe diaspora kryen shkollën verore në Gjirin e Jalës në detin Jon.

Jala është pjesë e fshatit Vuno të Himarës në Vlorë, 5 kilometra larg rrugës për në Sarandë në jug të Shqipërisë.

300 të rinjtë u trajnuan për 700 vende të lira pune në administratën publike në në pesë ditë radhazi në shkollën verore.

“Aseti më i madh dhe përparësi që kemi krahasuar me vendet e zhvilluara është rinia, mosha e re e popullsisë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë potencial të madh në të mirë të zhvillimit të vendeve tona. Sikundër duhet t”ju japim të rinjve tanë shanse të njëjta me atë që ata gjejnë në vendet e zhvilluara”-tha ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati tha se “rëndësia e këtyre organizimeve është gjithashtu lidhja e të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë”.

Trajnimi u zhvillua me seminare për punësimin në administratën vendore dhe qendrore në përputhje me programet e të dy shteteve shqiptarë.

Në 2015 pas trajnimit të njejtë u punësuanme kontrata 1-vjeçare 200 të rinj në administratën publike.

Programi i praktikave të punës për të rinjtë deri në 21-26 vjeç me diplomë “Bachelor” zhvillon aftësitë profesionale dhe të njeh administratën publike për ti shërbyer shtetit.

Ministri Murati, i pranishëm në ceremoninë mbyllëse të dielën, theksoi se “në kuadër të projektit të punës praktike në institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe të projektit tonë, të krijojmë mundësi që studentët të ndjekin këtë program”.

Ai tha se “një pjesë e madhe e studentëve, e të rinjve vijnë në Kosovë”, andaj është “vendosur që të krijojmë një hapësirë që të shfrytëzojmë, përvojat, dijet dhe t’i afrojmë me vendin dhe institucionet e vendit”.

Ministri Blendi Klosi theksoi se praktika tremujore pranë administratës është formulë e sukseshme që të rinjtë të shohin nga afër si funksionon ajo si dhe të njihen me mundësitë për karrierë dhe rrugët që duhen ndjekur.

Zoti Klosi e quajti të plotësuar punën me ministritë kur tha se “edhe ne në Shqipëri e kemi një ministri të Diasporës dhe kjo është ministria që drejton Valoni”.

“Ne nuk kemi nevojë si shtet që të punojmë me dy ministri për Diasporën. Na mjafton një. Por, duhet që rrjedhat e të rinjve shqiptarë që ndodhen nëpër botë, të jenë të pëtrbashkëta. Nuk ka pse ne të kemi iniciativa të ndara”-tha ai.

Më shumë se dy mijë aplikime janë dorëzuar në vitin 2016 dhe praktika njihet si përvojë pune nëse përfshihesh në administratën shtetërore.

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito tha se kanë konkurruar 32 mijë kandidatë dhe vetëm vitin e kaluar kemi patur 1000 pozicione të hapura dhe vetëm 60% e tyre të plotësuara.

“Nëse të gjitha akuzat e shpifjet e rëndomta në këtë vend do të ishin të vërteta nuk do të kishte asnjë pozicion të paplotësuar. Sepse nëse do të kishte politizim, dhe të vendosnim njerëzit që fitojnë konkurset do t’i kishim plotësuar të gjitha vendet. Fakti që vetëm 65% e vendeve janë plotësuar vitin e kaluar është garanti më i mirë që ky sistem funksionon”-tha zonja Harito.

Comment

*