“Presidenti Trump është shumë krenar për Kosovën”

McMaster shpreh mbështetjen e fortë amerikane për Kosovën

 

Uashington, 8 shkurt 2018 – Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Herbert R. McMaster, shprehu mbështetjen e fortë amerikane për Kosovën, raporton Zëri i Amerikës.

Në një pritje në Uashington, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, McMaster përcolli përshëndetjet e Presidentit Donald Trump.

“Dua t’jua sjell përshëndetjet e Presidentit tonë. Presidenti Trump është shumë krenar për Kosovën, krenar për atë që ju keni arritur dhe shumë krenar për marrëdhëniet tona me Kosovën”, tha ai.

Gjenerali McMaster tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kosovën në aspektet e ndryshme të përparimit të shoqërisë dhe në angazhoimet e saj ndërkombëtare:

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju ndërsa ju forconi institucionet demokratike, mbroni të drejtat e njeriut, përballeni me korrupsionin dhe krijoni një shoqëri të përgjegjshme ndaj sundimit të ligjit. Ne do të qëndrojmë me ju ndërsa ju forconi ekonominë dhe pakësoni papunësinë, sidomos mes të rinjve të Kosovës. Ne do të qëndrojmë me ju ndërsa ju mbani angazhimet tuaja ndërkombëtare dhe rigjallëroni dialogun me Serbinë për të kapërcyer një nga kapitujt më të vështirë të historisë dhe të kujtesës”, tha ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Herbert R. McMasters ishte mes një grupi amerikanësh që morën pjesë në ceremoni, mes të cilëve kishte ligjvënës, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit dhe zyrtarë të sigurisë kombëtare.

Gjenerali McMaster tha se kishte qenë vetë në Kosovë në vitin 1999, si komandant skuadre, në kohën kur sapo kishte mbaruar konflikti.

“Më bëri mjaft përshtypje forca e popullit, i cili sapo kishte dalë nga konflikti, shpirti i tyre pozitiv dhe fakti që ata filluan menjëherë të ndërtonin të ardhmen e tyre. Prandaj, festimi i këtij përvjetori është një privilegj i madh”, tha zoti McMaster.

“Që nga viti 2008, – tha ai, – ju keni mbajtur zgjedhje të drejta dhe të besueshme si dhe e keni shtrirë sistemin tuaj juridik dhe të gjykatave në të gjithë vendin”, tha ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha se SHBA investuan rreth 24 miliard dollarë për t’u dhënë fund konflikteve në rajon, duke përfshirë 1.8 miliard dollarë në formë ndihme të drejtpërdrejtë për Kosovën.

Ai përmendi marrëveshjen prej 1 miliard dollarësh që Kosova nënshkroi vitin e kaluar me një kompani amerikane për termocentralin. Kjo, tha ai, do të forcojë pavarësinë e vendit, do të zgjidhë kërcënimet e ndotjes dhe i tregon botës se Kosova është e hapur për biznesin.

Zoti McMaster tha se Kosova ka qenë një forcë për paqen dhe begatinë në një rajon që historikisht ka qenë i pllakosur nga konflikti dhe grindjet. Ai shtoi se çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë krenar për këto suksese dhe amerikanët janë krenarë gjithashtu.

Në pritje ishin edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

(r.m.)

Comment

*