MD Vasili u thotë prokurorëve “mos nxirrni sekretin hetimor”

“Sekreti hetimor s’mund të jetë pronë e publikut dhe as një kuriozi tjetër që mund ta përdorë atë për të gjithë qëllimet” tha ministri Petrit Vasili

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, kritikoi prokurorët për nxjerrjen e sekretit hetimor të dosjeve të rëndësishme kriminale.

Vasili tha se në momentin kur dosja bëhet “pronë” e publikut e vërteta deformohet dhe nuk bind askënd në gjykatë duke bërë që të akuzuarit t’i shpëtojnë dënimit.

“Me rëndësi mbetet ruajtja e sekretit hetimor. Sekreti hetimor s’mund të jetë pronë e publikut dhe as një kuriozi tjetër që mund ta përdorë atë për të gjithë qëllimet.

Është kyçi i suksesit pasi kudo ku ky sekret hetimor cenohet cilësia e hetimit bie shumë.

Dhe kur elementët e hetimit bëhen pronë e publikut, ato i largohen shumë të vërtetës, të deformohet e devijohet vërteta në proces dhe pastaj të kemi një dosje hetimore e cila në gjykatë pastaj nuk bind askënd.

Dhe kjo bën që ata të cilët do të donim t’i shikonim të dënuar, t’i shpëtojnë dënimit”, u shpreh Vasili.
Vasili vlerëson bashkëpunimin me Prokurorinë

Vasili e vlerësoi si shumë efikas bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësië dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku shpejtësia me të cilën komunikon, tha Ministri, duhet të merret si shembull bashkëpunimi dhe nga institucionet e tjera.

Vasili: Vlerësoj bashkëpunimin e vazhdueshëm me prokurorinë, një bashkëpunim efektiv, i shpejtë dhe efikas.

Zvarritja e ndjekjeve të çështjeve të caktuara penale, zvarritja në marrjen e informacionit ka qenë një kohë e fituar nga ata që janë kundërshtarë të drejtësisë dhe janë në krahun e krimit të organizuar dhe jo krahun tonë.

Shqiptarja.com/OraNews

Comment

*