Me 106 vota Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese pa konsensus

Hiqet koalicionet parazgjedhore të përbëra, hapen pjesërisht listat e deputetëve

Nga foltorja e Kuvendit ku mori fjalën për të argumentuar ndryshimet kushtetuese, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një mesazh partnerëve ndërkombëtarë ndërsa theksoi se kjo është një cështje tërësisht shqiptare.

 Ashtu sikundër pritej nuk ka surpriza në votim me 106 vota pro dhe 10 kundër parlamenti votoi sot për ndryshimet kushtetuese, ndërsa 6 deputetë kanë munguar në seancë.

Me shumicë votash parlamenti miratoi sot marrëveshjen e arritur mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare, për të ndryshuar nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës së Republikës, në të cilat synohet të ndalohen koalicionet parazgjedhore mes partive si dhe të vendoset një pragu për ndarjen e mandateve.

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të rivalëve të tij politikë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhin po ashtu edhe për presidentin Ilir Meta apo dhe Sali Berishën.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë tha se nuk është ‘kundër’ koalicionit Basha-Kryemadhi, apo dhe me presidentin.

“Ata që janë jashtë, me Saliun, janë një e zezë që sulmojnë të kuqen si demi. Politika është përballje idesh dhe alternativash,. Është sport i vështirë. Ty të solli këtu ai koalicion, ti je si një vagon mallrash. Ai cift ne na duhet bashkë, duke i patur ata kemi edhe baba Xhiken bashke me ta edhe ‘dixhitalin e Lalzit’ dhe kemi bandën e të kartëtëve që do ia tregojmë shqiptarëve mirë. Por me sistemin normal. Kush është? Thanë e duam si letonia?! Ok. Po të shohim Holandë. Një grumbullim partisë në një sigël, në një listë. Jo si njerëzit që turren nëpër arra. Andej janë futur ballistët nëpër pula. Ai vjen tek ty dhe thotë; do të votojë programin. Dhe ballisti i ka vjedhur pulën. Dhe vjen këtu e ha kofshën. Myslymi kupton, por bën sikur nuk kupton. Të ndryshosh sistemin zgjedhor, do të ndryshosh konfiguracionin. Ti je bishti, jo lopata (I drejtohet Gjuzit) Sistemin po e prekim tek 5 qershori jo këtu. Po prekim mekanizmat e tij. Është shpjeguar nga komisioni i Venecias. Kështu është kur disa kanë ngelur tek legjendat e ballit, ose merrni këtu ato që shkruan opozita presidenciale.”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga ndalimi i koalicioneve parazgjedhore aktuale të përbëra dhe sot konfirmoi se do të fshihen.

Rama koalicionet e përbëra parazgjedhore në Shqipëri i quajti një shpikje shqiptare, tipike hile që nuk janë në asnjë vend të OSBE, nga Vancouver në Vladivostok.

Sipas Ramës modeli që ishte deri tani ishte një tren me 40 vagonj ku vota shkonte për lokomotivën, por edhe vagoni i dytë sillej si lokomotivë.
Rama thotë se ky model koalicioni rëndon mbi standardin dhe me votimi ne sotëm nuk do të jetë më.

”Këtu sot kjo votë është me dinjitet. është vendimmarrja jonë. Tërësisht e përputhur me standardet ndërkombëtare. Ambicien për ta bërë Shqipërinë vend demokratit. Më shumë përgjegjësit për të zgjedhurit ndaj zgjedhësve. Që përkthehet në punë dhe jo në sherr.
Dëshiroj të vazhdojn ta dëgjojnë këtë mesazh partnerët tanë. Këtu mendoj se duhet ta dëgjojnë edhe ata kolegët tanë që janë në rrugë, që shkuan vetë.
Ligjvënësit duhet të jetë i ndërgjegjshëm që në sistemin zgjedhor të garantojë lidhjen e drejtë dhe të ndershme, mes kandidatit dhe votuesit, subjektit që e përfaqëson më mirë. Nëse ka një mekanizëm që nuk garanton votën e lirë të ndershme, atëhere është sistemi unikal në OSBE i koalicioneve të përbëra. Nuk e ka asnjë vend nga Vancouver në Vladivostok. Shpikje shqiptare, tipike hile. Që rëndon mbi standardin.
Lidhjen e drejtë dhe të ndershme, çfarë lidhje e ndershme është kur ti i thua votuesit ke një tren me 40 parti dhe nuk ke mundësi t’i shohësh ata nëpër vagona. Hidhe votën këtu te vagoni që do të kapi dora, dhe vota jote nuk i shkon atyre që janë në vagon, por te lokomotiva ose vagoni i dytë. Dhe Vagoni i dytë sillet si lokomotivë. Këtë nuk e ka askush, dhe këtë do e fshijmë. Një hile që ka karakterizuar zgjedhjet dhe ka mohuar vullnetin e shqiptarëve.
Churchilli thotë kush nuk ndryshon mendim është budalla. Dhe unë jam shumë i qetë sot që pavarësisht se nuk kam një mendim siç e ka Myslimi e Hajdari, çdo bëjnë listat e hapura, aman kjo është ajo që do populli.”- tha Rama.
Nga foltorja e Kuvendit ku mori fjalën për të argumentuar ndryshimet kushtetuese, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një mesazh partnerëve ndërkombëtarë ndërsa theksoi se kjo është një cështje tërësisht shqiptare.

Ndër të tjera Rama komentoi edhe deklaratat e një ditë me parë të ambsadores Yuri Kim e cila tha se do të jenë në pritje duke parë nëse palt do të mbajnë fjalën.

“Më lejoni t’u përcjell një mesazh të gjithe miqve e partnerëve dhe uroj ta dëgjoj sic është këtë mesazh të një parlamenti sovran, i një qeverie sovrane dhe kryeministri sovran. Po e nis me cfarë thotë Venecia për sistemet zgjedhore: Shtetet kanë marzh të gjerë vlerësimi, pasi janë vendime politike.

Ndaj miqtë tanë duhet të dëgjojnë se ky është vendim i parlamentit dhe i takon shtetit shqiptar të vendosë, nuk kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren e SHBA apo të BE. E them këtë sepse u bënë 30 vjet dhe s’mund të bëhen edhe 30 të tjera nëse vazhdojmë mos I themi gjërat sic janë. Nuk është përgjegjësi e ambasadores së SHBA Berlinit apo Parisit që ne prej 30 viteh kërkojmë zgjidhjen e problemeve tona në anglisht. Dhe për këtë ata meritojnë respect. Por kur dëgjon ambasadoren e SHBA që thotë do i ndjekim a do e mbajnë fjalën nuk më vjen mirë, jo për veten time po për të gjithë ne.- u shpreh Rama.

Çfarë tha dje ambasadorja e SHBA:

Gjatë javëve të fundit, Ambasadorja Kim ka pasur biseda të shumta mbi reformën zgjedhore me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha, anëtarë të Këshillit Politik mbi Reformën Zgjedhore, si dhe me një sërë ekspertësh e të tjerë. Ajo ka nënvizuar tri pika:

Së pari, marrëveshja e 5 qershorit, e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të.
Së dyti, Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin.
Së treti, në të njëjtën kohë, edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë.

Për këto arsye, ne e kemi lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur nëpërmjet bisedimeve ndër-partiake; përshëndetëm miratimin në Parlament në 23 korrik të kodifikimit të marrëveshjes së 5 qershorit; dhe nënvizuam gjithëpërfshirjen dhe transparencën me të cilat partitë arritën marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare.

Partitë duhet të përfshihen në Këshillin Politik me mirëbesim. Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre.

Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar./BalkanWeb

 

Comment

*