Më 14 dhjetor, Kosova me ushtri të vet

*Harry Bajrakari

Më 14 dhjetor 2018, Kosova bëhet me ushtri. Kjo ditë do të hyjë në historinë e kombit, si ngjarje e jashtëzakonshme. Parlamenti i Kosovës, para disa ditësh, unanimisht ka miratuar Projektligjin e paraqitur nga Qeveria e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri . Më 14 dhjetor bëhet finalizimi ligjor nga Kuvendi i Kosovës dhe fillon rrugëtimin e saj si ushtri. Formimi i ushtrisë do të mbështetet nga SHBA, Britania e Madhe dhe shtete të tjera anëtare të NATO-s. Me këtë hapet rruga, ku në një të ardhme jo të largët, Kosova të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike.
Përpjekjet e Kosovës, më në fund, po kurorëzohen që edhe kjo ta realizojë të drejtën e vet për formimin e ushtrisë saj, si çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran në botë. Ushtria jonë do të ketë mundësi të ruajë me dinjitet dhe përgjegjësi kufijtë në tërë territorin dhe njëkohësisht të jetë forcë ruajtëse e paqes dhe sigurisë në rajon.
Kosova ka bërë përgatitje graduale e të suksesshme që ta ketë ushtrinë, duke dërguar vite me radhë pjesëtarët e FSK-së në shkollim dhe stërvitje në SHBA dhe në disa vende të tjera evropiane, anëtare të NATO-s. Kjo forcë e Kosovës, oficerët dhe kadetët e saj, kanë zënë ndër vendet e para në gara të ndryshme, në shtetet ku ato janë organizuar. Ky sukses flet se do të kemi një ushtri profesionale, moderne dhe kompetente për t’i dalë zot vendit në rrethana të ndryshme.
Me formimin e ushtrisë, me hyrjen në NATO të Maqedonisë dhe pastaj të Kosovës në këtë Aleancë Veriatlantike, rajoni i Ballkanit do të përfitojë shumë në aspektin e paqes dhe të sigurisë.
Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes. Ajo nuk do të kërcënojë askënd, siç pretendon Serbia dhe aleatët e saj. Ajo do të mbështesë të gjithë qytetarët, pa përjashtim, dhe do të ruajë ata nga të gjitha rreziqet e mundshme. Kështu Kosova po realizon të drejtën e vet legjitime, si shtet i pavarur dhe sovran.
Më 14 dhejtor, në Kosovë, Shqipëri, tek shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës do të jetë një ditë suksesi dhe ditë feste që do të hyjë në historinë e kombit.

Harry Bajraktari,
New York, 2018

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur dhe themelues i gazetës Illyria

Comment

*