Më 1986, Marka Gjok Cara ia dorëzoi Papës dosjen e krimeve të Enver Hoxhës

Dashnor Kaloçi

Historia e rrallë dhe e dhimbshme Marka Gjok Carës nga Spaçi i Mirditës i cili në vitin 1952 u detyrua që të arratisej nga Shqipëria pasi ndiqej nga Sigurimi i Shtetit si strehues i grupeve të rezistencës antikomuniste të Pukës e Mirditës me në krye familjen Mirakaj, Mëlyshi, Gjonmarkaj etj., dhe si e ndihmoi atë Cub Marka Gjoni nga fshati Kçirë i Pukës që i mbajti dy vajzat e vogla, njëra e sapolindur…?! E gjithë ngjarja, sipas dëshmive të bashkëshortes, Lezes, 100 vjeçare, me banim në Itali, të së bijës, Gjystes, dhe nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Belgjikë…

 

Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç është e njohur tashmë, pas ardhjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës në pushtet, në nëntorin e vitit 1944, shumë nga kundërshtarët e tij politikë, pjestarë të formacioneve ushtarake të Ballit dhe të Legalitetit, por edhe antikomunistë e nacionalistë të paangazhuar në këto organizata nacionaliste, nuk pranuan të largoheshin nga Shqipëria, por qëndruan në male, pjesa më e madhe kryesisht në Veriun e Shqipërisë, ku, në periudhën 1944-1954, organizuan rezistencën antikomuniste, gjatë së cilës u vranë qindra shqiptarë dhe po kaq u internuan apo burgosën në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku familje të tëra provuan drama të tmershme që akoma nuk janë shlyer nga kujtesa dhe kanë lënë gjurmë e vrragë të thella tek ata që i provuan dhe te pasardhësit e tyre.

Por, edhe pas gati 30 vjetësh nga shëmbja e atij regjimi, (me gjithë punën tejet voluminoze të Institutit për Evidentimin Studimin dhe Pasqyrimin e Krimeve të Komunizmit), historia e vërtetë se çfarë ndodhi me ata njerëz që qëndruan nëpër male duke u ndeshur dhe luftuar edhe me armë me një nga regjimet më të egra komuniste të gjithë Evropës Lindore, duket se është ende e paplotë dhe ajo do të vazhdojë të plotësohet nga dëshmi gojore të atyre njerzve që i vuajtën ato dhe i provuan mbi kurriz ato tmerre.

Një prej tyre është dhe historia e dhimbëshme e Marka Gjok Carës me origjinë nga Spaçi i Mirditës, për të cilën bën fjalë dhe ky shkrim që publikohet ekskluzivisht për gazeten TemA, sipas dëshmive të familjarëve të tij, bashkëshortes, Lezes 100 vjeçare me banim në Itali dhe e së bijës, Gjystes, e nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Belgjikë.

Marku emigrant politik në Itali, Belgjikë e Kanada

Pas largimit nga Shqipëria Mark Cara me bashkëshorten Lezen dhe njerzit që e shoqëronin qëndruan për disa kohë në një kamp azilantësh në Jugosllavi ku kishte dhe shumë shqiptarë të tjerë të arratisur në pritje për të fituar azilin politik për në vënde të ndryshme të Perëndimit, gjë të cilën ata e fituan vetëm pas disa muajsh kur ia dha e drejta për të shkuar në Itali. Menjëherë pas vajtjes në Itali, Marka Cara kontaktoi organet kompetente italiane si dhe Organizatën Ndërkombëtare për Refugjatët Politik (IRO) e Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, ku ju kërkoj zyrtarisht që të ndërmjetësonin pranë qeverisë shqiptare që ata t’u mundësonin që dy vajzat e vogla që kishin lënë në Shqipëri, t’u dërgoheshin atyre në Itali.

Por edhe pse IRO dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bënë të gjitha demarshet pranë autoriteteve zyrtare shqiptare dhe në disa prej përfaqësive diplomatike të saj si në Romë e Paris, ajo gjë jo vetëm që nuk iu plotësua, por ndaj familjes së tyre në Shqipëri, kryesisht Gjelës së Pal Gjonit, që mbantë dhe rriste dy vajzat e tyre (Gjysten dhe Anxhen), u shtua më tepër represioni dhe dhuna verbale, pasi nga ana e njerzve të Sigurimit i kërkohej asaj që t’i shkruante së bijës që të kthehej në Shqipëri, pasi jeta e dy vajzave ishte në rrezik…?!

Por nënë Gjela nuk pranoi kurrë që t’ju shkruante së bijës dhe Markut dhe me shumë mundime dhe sakrifica i rriti vajzat pa ja shtrirë dorën “pushtetit popullor” dhe Gjysten ajo arriti ta martonte sapo mbushi 16 vjeç, duke e dhënë te dera e Mëlyshve, për Zefin, të birin e Frrok Mëlyshit, të cilin në 27 korrik të viti 1949, komunistët e ekzekutuan dhe kufomën e tij pasi e lidhën pas makinës së Mehmet Shehut, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Rrëshenit e në fund e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine. Ndërsa Gjystja u martua me Zef Mëlyshin dhe krijuan familjen e tyre e jetuan në Laç të Kurbinit ku ata ishin të internuar, e bija tjetër e Markut dhe Lezes, Anxhja, nuk pati fatin të martohej, pasi ajo vdiq shumë e re nga një sëmundje që i kishte ardhur për shkak të peripecive të shumta që kishte kaluar që kur kishte lindur.

Mark Cara në audiencë te Papa Gjon Pali

Pas disa vitesh qëndrimi në Itali, Marku me bashkëshorten dhe disa nga njerzit e tij besnik që e shoqëruan kudo, emigroi si azilant politik në disa shtete të tjera të Perëndimit, si Belgjikë, Spanjë, Kanada, etj. Gjatë atyre viteve që ishte emigrant politik në ato shtete, Marku u angazhua në veprimtarinë politike të diasporës shqiptare duke aderuar me Lëvizjen e Legalitetit të Mbretit Zog, ku morri pjesë në të gjitha mbledhjet dhe kongreset që zhvilluan legalistët në vëndet perendimore. Për kontributin që Marku dha në atë formacion politik, ai u ftua dhe morri pjesë në dasmën e Princ Leka të zhvilluar në Madrid më 10 tetor të viti 1970, ku ishin të pranishëm me dhjetra shqiptarë të tjerë nga mërgata politike dhe kryesisht besnikë të Monarkisë.

Që nga viti 1952 kur Marku u stabilizua si emigrant politik në Itali dhe deri në vitin 1991 kur dhe u shëmb regjimi komunist në Shqipëri, ai kreu një aktivitet të jashtëzakonshëm në mërgatën politike shqiptare në shtete të ndryshme të Perëndimit, duke kontaktuar dhe ndihmuar shumë shqiptarë që arratiseshin nga Shqipëria për t’i stabilizuar ata për në shtetet ku fitonin azilin politik. Po kështu përveç kësaj, në kontaktet me të arratisurit shqiptarë, Marku mbante shënim dhe evidentonte të gjitha peripecitë e tyre, si p.sh. njerzit që ata kishin nëpër burgjet e regjimit komunist në Shqipëri, torturat që iu bëheshin atyre në qelitë e Hetuesisë dhe burgjeve ku vuanin dënimet, të vrarët në kufi teksa tentonin të kalonin klonin për t’u arratisur, të dënuarit me vdekje dhe ata që vdisnin në burgje e internime etj etj, duke arritur që të krijonte evidence të sakta për qindra e qindra familje individë dhe familje shqiptare që vuanin nën regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës.

Të gjitha ato Marku i mblodhi në një dosje voluminoze që e mbante të fshehur më shumë kujdes, pasi ai gjatë gjithë kohës ishte nën survejimin e agjentëve të Sigurimit të Shtetit shqiptar që vepronin në të gjitha vëndet e Perëndimit nën petkun e diplomatit dhe rënia e asaj dosje në duart e Sigurimit të Shtetit, ishte me shumë pasoja jo vetëm për ata që kishin dëshmuar për Markun me shkrim, por edhe për familjet e tyre që kishin lënë në Shqipëri. Nisur nga ky fakt, pra për rëndësinë që kishte ajo dosje voluminoze me dokumente dhe dëshmi rrënqethëse nga ferri komunist në Shqipëri, por edhe për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar mbi ato që po ndodhnin nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Marka Cara vendosi që t’ja dorzoi ato Papa Gjon Palit të Dytë në selinë e tij në Vatikan.

Për këtë gjë, Marku u konsultua edhe me disa nga miqtë e tij të ngushtë dhe kryesisht me vëllezërit Gjon dhe Ndue Pjetër Gjonmarkaj, të cilët jo vetëm që ia aprovuan atë gjë, por Gjoni si gazetar dhe shef i Seksjonit Shqip të Radio Vatikanit, ndërhyri dhe shpejtoi procedurat zyrtare që duheshin për takimin e Markut me kreun e Selisë së Shënjtë në Vatikan. Dhe ajo gjë u realizua shpejt, e Papa Gjon Pali i Dytë më 30 korrik të vitit 1976 e priti në audiencë Marka Gjon Carën së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, gjë e cila veç të tjerash duket dhe nga fotoja që po publikojmë në këtë shkrim, ku Marku me dorën e tij poshtë saj në dialektin mirditor ka shkruar:

“U denca me Papën Shenjet Zyrtare, (me 30.VII. 1986). Në emën të Emigracionit dhe të Popullit Shqiptar. Ku janë dorzu krejet Dekumentat e Vujtjeve Trishtuese të mar popullit ton nan Diktaturën Komuniste, Burgje, Kampe, Pushkatime, E Tqera këto Gjinden në Vatikan për gjithmonë.

Papa Gjon Pali e përgëzoi Marka Carën për atë punë kolosale që kishte bërë prej vitesh dhe mes të tjerash në fund të fjalës së tij të shkurtër u tha të pranishmëve: “Do të lutem edhe për vëllezërit tanë katolikë dhe gjithë popullin shqiptarë në anën tjetër të Adriatikut, që Zoti t’i ndihmojë dhe t’u ndriçojë rrugën e tyre…”. Kështu u mbyll audience që dha Papa Vojtila për emigrantin politik Marka Gjok Cara, i cili me atë veprim u bë një nga shqiptarët e vetëm që denoncoi zyrtarisht pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, (personalisht te Papa Gjon Pali i Dytë) një pjesë nga krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, dosje e cila edhe sot ndodhet në arkivat e Vatikanit, në pritje për t’u publikuar një ditë si një dëshmi e gjallë se çfarë tmerresh ka kaluar një pjesë e popullit shqiptar në një nga periudhat më të errta të tij në vitet 1945-1991.

Kthimi i Markut në Shqipëri në 1993

Gjatë periudhës së emigacionit politik në shtete të ndryshme të Perëndimit, Marka Gjok Cara me bashkëshorten Lezen lindën edhe pesë fëmijë të tjerë (katër djem) por ata i mbante shpresa që një ditë të shikonin dhe të takoheshin me vajzën që kishin lënë në Shqipëri, Gjysten, e cila gjithashtu jetonte me shpresë për t’i parë prindërit e saj që e kishin lënë vetëm tre vjeçe. Po kështu përveç mallit që e kishte zhuritur prej vitesh për të bijën që se kishte parë kurrë që nga ajo natë korriku e vitit 1952 kur ai me bashkëshorten u larguan nga Shqipëria, Marka Cara kishte dhe një hall tjetër më të madh që e dëshironte prej vitesh dhe “mezi kishte pritur të vinte ajo ditë e lume” që ai të kthehej në Shqipëri.

Ai dëshironte të shkonte dhe njëherë te kulla e Cub Marka Gjonit (nëfshatin Kçirë të Pukës), mikut të tij besnik që pranoi dhe ia mbajti e ia rriti dy vajzat, Gjysten dhe Anxhen, duke marrë përsipër të gjitha peripecitë e dhunën e regjimit komunist ndaj tij personalisht dhe familjes së tyre, e cila ishte nën survejim ditë e natë për shkak se Pal Gjoni ishte në burg politik si “armik i popullit”. Marka Cara donte të kthehej te shtëpia e tyre për ta falenderuar në bazë të gjithë zakoneve që përmbante kanuni.

Kjo gjë e mundonte shumë dhe gjatë gjithë kohës që ishte në azil politik në shtete të ndryshme të Perëndimit, Marka Cara u thoshte familjarve të tij: “Do i madhi Zot me ardh ajo ditë e lume dhe me thkaj (kthehem) dhe njiheri ku kulla e Cub Gjonit, s’dojsha gja tjetër. Nëse s’do ia arrij asaj dite, amanet e keni prej meje me shku atje s’parit, se qaj burr m’i mbajti e m’i rriti ato dy cuca…”

Dhe ajo gjë u bë realitet, pasi Marku erdhi në Shqipëri në vitin 1993 dhe në aeroportin e Rinasit atë e priti e bija, Gjystja me bashkëshortin, Zef Mëlyshi, tre djemtë, (Frroku, Marjani dhe Nduja), etj. Siç tregon nipi i tij i madh, Frrok Mëlyshi (që prej vitesh jeton në Bruksel), ai takim i nënës së tij, Gjystes, me të jatin, Markun, mes lotësh dhe përqafimesh, nuk ka penë që ta përshkruaj…?! Pas takimit me të bijën dhe familjen e saj në Laç të Kurbinit, para gjë që kërkoi dhe bëri Marka Cara, ishte “me shku ku kulla e Cub Marka Gjonit”, gjë e cila ia realizua menjëherë.

Gjëja tjetër që kërkoi dhe bëri Marka Cara ishte finacimi për ringritjen e një kishe në afërsi të Fush-Arrëzit, (Kisha e Shmasjnit) ku ai ishte lutur shënjtit të saj, para se të shkonte për të marrë bashkëshorten Lezen, mesnatën e 10 korrikut 1952, kur dhe u largua nga Shqipëria me kokën prapa, pasi kishte lënë aty dy vajzat e vogla. Dhe dëshira e Markut për financimin e rindërtimit e asaj kishte që ndodhet edhe sot pak pa shkuar në Fushë-Arrëz u bë realitet falë dhe ndihmës të autoriteteve vendore të asaj kohe në rrethin e Pukës si, deputetët Simon Puta e Marash Ibraj, Kryetari i Partisë Demokratike të rrethit të Pukës, Gjergj Sokoli etj.

Pas rindërtimit të asaj kishe në vitin 1993, Marku pati rastin të vinte dhe disa herë të tjera në Shqipëri për të vizituar Mirditën dhe Pukën ku kishte lënë plot miq e dashamirë, siç ishte kulla e Cub Marka Gjonit në Kçirë, dhe në ato vizita e kudo që ai shkonte, e shoqëronte nipi i tij, Frrok Mëlyshi, i cili ishte dhe njeriu që Marku donte dhe çmonte më shumë. Marka Gjok Cara jetoi gjatë dhe ai ndërroi jetë në moshën 97 vjeçare më 27 nëntor të vitit 2013, duke u përcjellë me shumë nderime nga dhjetra bashkatdhetarë dhe familja e tij për në banesën e fundit në Vila Latina (provincë afër Romës) ku ai jeto vitet e fundit të jetës me familjen e tij.

Ndërsa bashkëshortja e tij besnike, Lezja (99 vjeç) dhe e bija Gjystja, (71 vjeçe) jetojnë ende “për me tregue”, copza nga nga kalvari i gjatë i vuajtjeve që pësoi familja e tyre dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar nën regjimnin e egër diktatorial të Enver Hoxhës, siç janë dhe këto që përshkruam më sipër në këto shkrim.

(Panorama)

mark-5

Comment

*