Më 8 shtator hyn në fuqi marrëveshja me Italinë për patentë-shoferë

Tiranë, 16 gusht 2019 – Nga data 8 shtator 2019, shqiptarët që udhëtojnë në drejtim të Italisë nuk do të kenë nevojë të pajisjen me patentë ndërkombëtare shoferi.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, i ka njoftuar qytetarët shqiptarë që banojnë në Itali ose që e vizitojnë Italinë se javën e dytë të shtatorit do të hyjë në fuqi  marrëveshja për konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve, e arritur mes dy vendeve.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, ka shkruar Cakaj.

Gjithashtu, ai i ka njoftuar shtetasit shqiptarë se lejet e reja të drejtimit të pertsonave që qëndrojnë në Itali deri në 3 muaj nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.

Cakaj ka thënë se Shqipëria i ka bërë të njëjtat përpjekje edhe me shtete të tjera ku ka komunitete shqiptare, por për arsye dhe procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk kanë përfunduar ende me marrëveshje.

“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, ka shkruar Cakaj.

(r.m.)

Comment

*