Me shumicë votash, Prof. Dr. Flamur Mrasori zgjidhet Kryetari i ri i Bordit të BQK-së

Prof. Dr. Flamur Mrasori

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës sot me shumicë votash zgjodhi Prof. Dr. Flamur Mrasori për Kryetar të Bordit të BQK-së
Z.Mrasori ka punuar në BQK për mbi 11 vite ku ka ushtruar funksione të rëndësishme, përfshirë funksionin e Sekretarit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe të Këshilltarit të Guvernatorit.
Gjatë periudhës së shërbimit të tij në BQK, ai ishte i përfshirë në të gjitha proceset e rëndësishme për realizimin e objektivave të BQK-së. Si kryesues i Komisionit për Integrime Evropiane të BQK-së, z.Mrasori ishte pjesëmarrës në procesin e dialogimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Po ashtu, z.Mrasori ishte pjesëmarrës i rregullt i delegacionit të BQK-së në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Po ashtu, dy herë ka qenë Zëvëndësguvernator i përkohshëm i Republikës së Kosovës në FMN gjatë takimeve vjetore.
Z. Mrasori është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Më datë 26 janar 2018 është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe më datë 5 shkurt 2018 është emëruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës në pozitën anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Comment

*