Medvegja, kjo dhimbje shqiptare!

Emin Azemi

Lidershqipi shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medevegjë duhet të lirohet nga iluzioni se Prishtina dhe Tirana mund t’u sjellin atyre prosperitet kombëtar, në kuadër të një Serbie e cila gjithnjë e më tepër po bëhet më dinake me politikat e saj antishqiptare.

Ky lidership, bashkë me intelektualët e kësaj ane që ndodhen aktualisht në Kosovë, duhet urgjentisht të përpilojnë një strategji tjetër të veprimit politik, duke intensifikuar aksionin diplomatik në qendrat e vendosjes në Europë dhe Amerikë

Të dielën në Medevegjë u mbajtën zgjedhjet për Asamblenë komunale, ku partia e Aleksandar Vuçiqit e ka fituar shumicën absolute, duke grumbulluar mbi 60% të votave të përgjithshme.

Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se shqiptarët do t’i kenë vetëm 3-4 ulëse në Asamblenë lokale, nga gjithsej 25 që ka ajo.

Florim Sahiti nga Lista Partia për Veprim Demokratik i ka fituar vetëm 273 vota, ndërsa koalicioni “Alternativa për Ndryshim-Partia Demokratike”, i udhëhequr nga Marco Saljihu, i ka marrë 392 vota.

Pesha e votës shqiptare në këtë rajon po zbehet në mënyrë drastike. Në përbërjen e kaluar, shqiptarët i kanë pasur 8 asamblistë në Kuvendin komunal të Medvegjës.

Një prej arsyeve që fuqia elektorale e shqiptarëve po bie është se shumë qytetarë të Medvegjës, të cilët janë shpërngulur në Kosovë, kryesisht në komunën e Fushë Kosovës, që nga viti 2015, janë fshirë nga regjistrat civilë. Këtë e ka konfirmuar edhe kandidati për kryetar nga radhët e shqiptarëve, Muharrem Salihu, i cili ka thënë se, krahasuar me 4 vjet më herët, në listën e votuesve janë rreth 4 mijë votues më pak.

Disa aktivistë të shoqërisë civile kanë alarmuar se Serbia po vazhdon t’i shkelë të drejtat e shqiptarëve në tri komunat, sidomos në komunën e Medvegjës, duke ua fshirë adresat e vendbanimeve në regjistrat civilë. Një gjë e tillë ua ka pamundësuar atyre edhe nxjerrjen e letërnjoftimeve. Kjo po kualifikohet si fushatë e egër e Beogradit kundër shqiptarëve në Medvegjë.

Liderët e Preshevës, Bujanocit e Medevegjës nuk arritën të ndërtojnë një strategji tjetër, që do t’i largonte nga letargjia e pritjes së mbështetjes nga Prishtina e Tirana dhe do t’i afronte nga diplomacia e aksionit dhe shpresës e Brukselit e Uashingtonit.

Zgjedhjet e fundit në Medvegjë dëshmuan në fakt se lidershipi i Luginës së Preshevës nuk ka kurrfarë strategjie, kurse ato pak ekskursione që i kanë bërë në Prishtinë e në Tiranë mund t’u shërbejnë vetëm si copëza të zbehta të një kartoline që nuk ka kurrfarë adrese shpëtimi.

Politika e Beogradit ka luajtur në dy karta.  Në njërën anë, teksa ka zhvilluar dialogun me Prishtinën, e ka sforcuar imazhin e viktimës në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Në anën tjetër ka zhvilluar një politikë tinëzare, por shumë aktive, antishqiptare në Medvegjë dhe në komunat tjera. Serbia ka qenë e lirë të bëjë çka të dojë me shqiptarët e Medvegjës e Bujanocit, madje edhe duke i shkulur komplet nga regjistri civil, ndërkohë që nga Presheva i ka dislokuar në Vrajë disa nga degët më vitale të administratës komunale dhe gjyqësore.

Prishtina dhe Tirana nuk kanë kurrfarë ideje konkrete mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe vazhdojnë t’i projektojnë politikat kombëtare sipas një dioptrie gati bizare që nuk prodhon kurrfarë mirëqenieje për këta shqiptarë. Moskoordinimi i qeverive të Tiranës dhe Prishtinës për çështje me interes të veçantë kombëtar ka bërë që Beogradi të intensifikojë politikat e programimit demografik, social e territorial, duke e reduktuar prezencën shqiptare në parametra të enklavave të përthara.

Lidershqipi shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medevegjë duhet të lirohet nga iluzioni se Prishtina dhe Tirana mund t’u sjellin atyre prosperitet kombëtar, në kuadër të një Serbie, e cila gjithnjë e më tepër po bëhet më dinake me politikat e saj antishqiptare.

Ky lidership, bashkë me intelektualët e kësaj ane që ndodhen aktualisht në Kosovë, duhet urgjentisht të përpilojnë një strategji tjetër të veprimit politik, duke intensifikuar aksionin diplomatik në qendrat e vendosjes në Europë dhe Amerikë.

Pse duhet të harrohet shembulli i Kosovës, e cila asnjëherë nuk do të mund të çlirohej dhe të pavarësohej sikur të mos vepronte fuqishëm lobi shqiptaro-amerikan dhe solidariteti ndërkombëtar diplomatiko-ushtarak, në krye me SHBA. Sikur Kosova të mbështetej vetëm në shpatullat e hajthme të Tiranës, ajo edhe sot e gjithë ditën do të ndodhej nën thundrën serbe.

Presheva, Bujanoci e Medevegja, pas krejt kësaj përvoje, duhet të mësojnë përfundimisht se ku ndodhen shpatullat që vënë në lëvizje krahët e shpëtimit të tyre kombëtar.

Comment

*