Mendimi i ekspertëve për Radikën

(Studim shkencor-inxhinjerik & juridik mbi krijimin e rezervuarit artificial të Lukovës)

 

Të përgjithshme

Pellgu ujëmbledhës i lumit Radika ndodhet në pjesën perëndimore të Maqedonisë (treva e Dibrës) me kordinata gjeografike 41°33.1´ – 20°37.3´. Vendmatja hidrometrike Ura e Boskovit me kuotë 592.24 m mbi nivelin e detit është hapur në vitin 1958 (sipas buletineve jugosllave).
Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës të lumit Radika sipas buletinit hidrologjik jugosllav të vitit 1954 është F = 866 km2 në Urën e Gorenicki. Në vitin 1958 në Urën Boshkut u vendos vendmatja hidrometrike mbi lumin Radika me sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës F = 751 km2 dhe gjatësi L = 67 km.
Zanafilla e lumit Radika është përroi Crni Kamen i cili buron nga shpatet veriore të malit Vraca (në jug të vargmaleve të Sharrit). Përroi Crni Kamen merr drejtimin perëndimor dhe mbas 7 km. ndërron rrjedhën në drejtimin jug-perëndimor.
Në bazë të disa hulumtimeve në botimet maqedonase rezulton se prurja mesatare shumëvjecare e lumit të Radikes të jetë rreth 25 m3/s.
Ndërhyrja njerëzore në lumin Radika
Në vitin 1949 krijohet liqeni artificial i Mavrovës (270 milion m3 volum dhe 13.7 km2 sipërfaqe liqeni) duke ndërtuar një digë. Me pas në vitet 50-të krijohet një sistem ujor (bifurkacion) që kthen ujërat e Radikës në liqenin e Mavrovës dhe me anë tunelesh e kalojnë ujin nga liqeni i Mavrovës në hidrocentralet Vrutok e Raven për ta larguar përfundimisht në drejtim të lumit Vardar. Ndërtimi i kësaj kaskade hidrocentralesh është bërë në vitin 1957 dhe faza e dytë në 1973.
Në fund të lumit të Radikës është ndërtuar rezervuari i Dibrës për hidrocentralin e Spiljes në vitin 1969 (viti i funksionimit të hidrocentralit). Ka një volum 520 milionë m3, nga i cili volumi i dobishëm është 223 milionë m3 dhe sipërfaqja e vetë liqenit është 12.2 km2.
Marrëveshjet shqiptaro-jugosllave për Radikën
Në kuadrin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve për ujërat kufitare, janë zhvilluar disa takime (mbledhje protokollare) të komisioneve të përbashkëta shqiptaro-jugosllave ndër vitet: 1947; 1956; dhe ajo e vitit 1962; Në mbledhjen e vitit 1962, u mor vendimi se do të merret uji nga pjesa e sipërme e Radikës në drejtim të lumit Vardar, me sasi të përgjithshme prej 250.000.000 m3 ose 8.00 m3/sek, në vit mesatar, (më poshtë në faksmilen e konkluzioneve të komisionit dy palësh është pika 6 që flet për lumin e Radikës).
Është e rëndësishme të përmendet fakti se tërsia e këtyre marrëveshjeve bilaterale ndër vite, nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, mbi marrëveshjet ujore, nuk është sot adekuate dhe në përputhje me konventat dhe direktivat ndërkombëtare të cilat kanë hyrë në fuqi pas viteteve 90-të.
Mund të përmendim konventën për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare, hartuar në Helsinki, më 17 mars 1992.

faksimile Radika

Siç u tha më sipër, nga “Marrëveshja Shqipëri – Jugosllavi” e vitit 1962 parashikohej të merreshin 8 m3/s nga lumi i Radikës së Sipërme në drejtim të lumit Vardar. Sipas informacionit të ELEM (Korporata Energjitike e Maqedonisë) pretendohet se aktualisht nga lumi i Radikës merren mesatarisht 4.9 m3/s në vit me luhatje nga maksimum 20 m3/s deri në minimum 0.4 m3/s. Fakti që pala maqedonase nuk e ka marrë ujin e parashikuar në marrëveshjen e vitit 1962, u jep atyre “argumentin” që të hartojnë projektin e Fushës së Lukovës.

 

Projekti i Fushës së Lukovës
Ky projekt është prezantuar nga “Korporata Elektrike e Maqedonisë” (ELEM) dhe mbështetet nga qeveria maqedonase, pra është projekt shtetëror dhe është në kuadrin e Strategjisë Energjetike të Maqedonisë. Ideja e projektit ka filluar që në vitin 1989 dhe tani shteti maqedonas ka paguar 3 milionë dollarë për përgatitjen e projektit në fazën e avancuar të gatshëm për të kërkuar një borxh prej 62 milionë euro për hartimin e projekt fizibilitetit me mbështetjen e Bankës Botërore.
Projekti ka dy faza: 1- ndërtimi i një dige 71 metra të lartë në pjesën e sipërme të Radikës, Fusha e Lukovës, në kuotën 1550 metra mbi nivelin e detit. Kjo digë do të mundësojë grumbullimin e 39 milionë m3 ujë; 2 – ndërtimi i një kanali rreth 20 km. të gjatë që grumbullon të gjithë ujërat që zbresin nga masivi malor i Korabit në një kuotë 1620 metra mbi nivelin e detit. Ky kanal do t’i çojë këto ujëra në rezervuarin e Lukovës. Fillimisht është thënë se sasia e ujit që do të kalojë në rezervuar do të ishte 2.5 m3/s por nga të dhënat e përpunuar së fundi nga ELEM, sasia e ujit shkon deri në 4.17 m3/s. Këtu ka një mospërputhje informacioni të marre nga ELEM. Jemi të mendimit se vlera 4.17 m3/s është vlera që ata mendojnë të jetë pjesë e këtij projekti. Përfitimi për ata është mjaft i madh.
Ujërat e këtij rezervuari do të shfrytëzohen disa herë para se të derdhen në liqenin e Mavrovës dhe më pas në lumin Vardar. Poshtë kësaj dige do të ndërtohet në një fazë të dytë një hidrocentral i ri (Crni Kamen fuqi 5 MË). Më pas ujërat do të kalojnë në hidrocentralin ekzistues të Verbenit (kuptohet që hec-i i Verbenit do të fuqizohet më tej) dhe pastaj kalojnë në liqenin e Mavrovës për t’u mos u kthyer më në shtratin e Radikës.

Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të ujërave të Radikës.

Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të ujërave të Radikës.

 

 

Konkluzione:
-Për mendim tonë si ekspertë, projekti për marrjen e 2.00 m3 uji nga lumi i Radikës për në Vardar është i parealizueshëm, si në aspektin tekniko-fizik, si në aspektin e të drejtës ndërkombëtare të mbrojtjes së ujërave dhe liqeneve ndërkombëtare e ndërkufitare.

Autorët/Ekspertët:
Prof. Dr. Molnar Kolaneci
Ing. Hidrolog: Tefik Jegeni
Jurist: Dok: Saimir Shatku

Comment

*