“Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë shtypjes është përqeshja më të”

Intervistë me Kryetarin e subjekti politik “Partia e Fortë”, Visar Arifaj

 

Intervistoi: Bekim Salihu

 

“Illyria”- z.Arifaj, pse është krijuar “Partia e Fortë”?

Rrjedha e ngjarjeve politike në Kosovë e ka bërë të pashmangshme krijimin e një Partie të Fortë. Nga niveli tejet i lartë i kënaqshmërisë që ne e kishim për partitë e tjera ishte vetëm zgjidhje logjike që Partia e Fortë të krijohet si një parti ombrellë e cila do të përfshinte të mirat e secilës parti tjetër.

 

“Illyria”- A me të fortë jeni ju apo Hashimi, Isa e Ramushi?

Partia e z. Thaçi mbanë emrin Partia Demokratike e Kosovës, ajo e z. Mustafa është Lidhja Demokratike e Kosovës, e z. Haradinaj—Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kurse vetëm partia jonë quhet Partia e Fortë. Logjikisht, nëse ndonjëri nga këta të tjerët do të ishte më i fortë, këto emërtime do të dukeshin më ndryshe. Asgjë nuk është koincidencë.

 

“Illyria”- z.Arifaj, emërtimi i partisë që përfaqësoni a do të thotë se partitë tjera në Kosovë janë të dobëta?

Jo, në asnjë mënyrë. Këtë më së miri do ta shpjegoja me një analogji duke iu referuar serialit të shumë shikuar gjatë fëmijërisë sime, “Power Rangers” me heronj . Aty secili nga heronjtë kishte ngjyrën dhe fortësinë e vetë. Secili nga ne fëmijët e kishte nga një ngjyrë të preferuar. Mirëpo kur situata ishte më e vështirë dhe telashet ishin më të mëdha ata përforcoheshin me robotë që në rastet më kritike kombinoheshin të gjithë në një mega-robot për ta luftuar të keqën. Njësoj edhe Partia e Fortë është ky Mega-roboti (“Megazord” në terminologjinë e serialit) i politikës kosovare i cili zotëron forcën e kombinuar të të gjitha partive tjera.

 

25 - pf“Illyria”- z.Arifaj, jeni parti e regjistruar, madje edhe e certifikuar për zgjedhje. Në vokabularin e juaj politik përdorini ironinë dhe humorin në përshkrimin e gjendjes, pse?  

Komedia përveç anës zbavitëse, është edhe një formë e shprehjes që vë në pah shumë mangësi të dukurive që zakonisht i marrim si normale. Njëkohësisht, komedia i bën njerëzit më vështirë të nënshtrueshëm duke qenë se shpesh mënyra më e suksesshme për të mbizotëruar ndaj një shtypësi është përqeshja me të. Ne si parti që e ka synim pushtetin, kuptohet, jemi shumë kundër këtyre mënyrave të shprehjes dhe në asnjë rrethanë nuk do t’i përdornim ato.

 

 “Illyria”- z.Arifaj, Si kandidatë për Kryetar të Prishtinës, çfarë u premtoni qytetarëve të Prishtinës, pasi që ju keni konkurruar vetëm në kryeqytet si parti?

Ne do t’u premtojmë qytetarëve të Prishtinës çfarëdo që ata kanë dëshirë të dëgjojnë nga një kandidat. Duke e pasur synim kryesor votën e qytetarin ne asnjëherë nuk do të hezitojmë të thurim fjali të ëmbla dhe premtime për zhdukjen e të gjitha problemeve komunale, madje madje edhe premtime për zhvillim. Që premtimet të jenë më të besueshme ne do t’i shpjegojmë në pika të shkurtëra se si edhe mund të realizohen ato. Kuptohet, shpjegimet do formulohen ashtu që të duket konfuze për qytetarin e thjeshtë por në të njejtën kohë të duket sikur ne e dijmë shumë mirë se si realizohet ajo. E tëra është tek përshtypja.

 

“Illyria”- z.Arifaj, si i vlerësoni ju kundër-kandidatët tuaj në kryeqytet?

Unë kam respekt për të gjithë kandidatët dhe i çmoj për guximin që kanë treguar duke garuar kundër nesh në këto zgjedhje. Jam i sigurt që do të jetë një garë e qytetëruar dhe me mirëkuptim. Të gjithë ne, kandidatët, kemi parapavi të ndryshme mirëpo ajo që na bashkon të gjithëve është dëshira jonë e padiskutueshme për pushtet.

 

“Illyria”- z.Arifaj, çfarë synon “Partia e Fortë” në vështrim afatgjatë?

Partia e Fortë synon që në një të ardhme të shtrihet edhe nëpër komuna tjera e pse jo edhe në shtete tjera. Çdo vend që për synim e ka demokracinë është e nevojshme që ta ketë një Parti të Fortë e cila e ngritë atë në një nivel më të lartë demokratik.

 

“Illyria”- Z.Arifaj, “Partia e Fortë” ka deklaruar disa herë që synim e kanë si t’i kontrollojnë tenderët dhe paranë publike, a vlerësoni që partitë tjera në Kosovë kanë dështuar në këtë pikë?

Në asnjë mënyrë partitë tjera nuk kanë dështuar në kontrollimin e tenderëve dhe parasë publike. Ajo që ka munguar deri më tani është një vizion i qartë se çfarë duhet të bëhet me to. Është e vërtetë se mjaft mirë është menaxhuar profiti personal i përfaqësuesve politik, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme dhe mendoj se Kosova ka potencial shumë më të madh se që është treguar deri më tani. Partia e Fortë është ajo të cilës më së shumti duhet t’i besohet paraja publike.

 

“Illyria”- z.Arifaj,  partia juaj është e vetmja që të gjithë të anëtarësuarit e saj janë nënkryetarë vetëm ju jeni kryetar. Si është të jesh kryetar i shumë nënkryetarëve?    

Titullin e nënkryetarës apo nënkryetarit secili prej tyre e ka fituar me meritë të plotë dhe me punën që e ka treguar ndër vite. Fakti që nuk është asnjë anëtar i thjeshtë e të gjithë janë nënkryetarë vetëm se tregon për një kualifikim të lartë që ata kanë dhe është një privilegj për mua të jem i rrethuar me një skuadër të tillë. Ai që mbetet anëtar i thjeshtë nuk e meriton as ta mbajë atë titull andaj edhe nuk mund të mbetet pjesë e Partisë.

 

“Illyria”- z.Arifaj, A keni raporte me partitë tjera në Kosovë, nëse po, me cilin?

Ne kemi raporte të shkëlqyeshme me secilën parti dhe jemi të hapur që pas fitorës tonë cila do prej tyre që të dëshirojë mund të aderojë në rradhët e Partisë së Fortë. Kuptohet standardet e kualifikimit për nënkryetarë vlejnë për të gjithë njësoj.

 

“Illyria”- z.Arifaj, Çfarë qëndrimi keni për ndërmarrjet publike në Kosovë si Trepça, duhet shitur këto ndërmarrje apo jo?

Kosova duhet shitur çdo pasuri që e ka në pronësi. Në këtë mënyrë, me profitet e gjeneruara nga shitjet, ne mund të sigurojmë një jetesë shumë më të mirë për shumicën prej nesh për një periudhë afat-shkurte gjë që nuk do të ishte problem për ne. Problemi do të bartej kryesisht tek gjeneratat e reja që do t’i trashëgonin hallet tona mirëpo ky do të ishte problem i tyre e jo i yni.

2 Responses to ““Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë shtypjes është përqeshja më të””

Read below or add a comment...

  1. sidita says:

    une doja nje menyre jetese me te mire ne shqiperi ok ……………………..

  2. sidita says:

    dua pergjigje

Comment

*