Mërgata legjendare e Amerikës

Nga Shefqet Saliu

Këto ditë të para dhjetori (2020) u botua libri im “Mërgata legjendare e Amerikës” në Tiranë. Libri shtjellon emigracionin shqiptar në Amerikë duke u nisur nga vajtësit i parë, ku arbëreshët i kanë fillesat në vitet 20-të të shekullit 19-të, ndërsa shqiptarët e trevave etnike në dekadat e fundit të këtij shekulli dhe deri ata të ditëve të sotme. Trajton vështirësitë dhe përpjekjet e tyre për t’u organizuar përmes shoqataave, hapjes së shkollave shqipe, ngritjen e kulteve fetare, kishës ortodokse, pastaj të xhamisë së myslimanëve, teqesë së bektashinjve shqiptarë dhe kishës katolike, integrimin e mërgimtarëve në jetën amerikane, pjesëmarrjen e tyre në luftëra në radhët e ushtrisë së SHBA, ndërtimit të bizneseve, studimeve në universitete, etj.

Deri në botimin e këtij libri u desh një studim gjithëpërfshirës, duke filluar nga kontakti me njerëzit e moshave e shtresave të ndryshme dhe një punë studimore të madhe përmes librave, gazetave, arkivave, muzeumeve, me revistat, shoqatat, veprimtaritë kulturore, si dhe një interesim plot kërshëri për të mësuar e njohur edhe hollësi e imtësi, personazhe të jashtëzakonshëm si Fan Noli dhe dijetarë të tjerë e patriotë të mëdhenj të mërgimit të hershëm shqiptar deri të sotmit.

Gjatë kësaj pune ndesha në një fakt të panjohur nga shumëkush, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë gjenden thuajse në të gjitha shtetet e SHBA-së, deri në ishullin e ngrohtë Hawai’i në Oqeanin Paqësor e në shtetin e Alaskës së akullt, që shqiptari mesdhetar do ta karakterizonte si vend me gjysmëviti terr e gjysmëviti me diell që nuk perëndon. Eshtë inkurajues fakti që emigracioni shqiptar në Shtetet e Bashkuara është bërë shumë i madh, mjaft veprues e ndikues, ai është plotësuar me individë në mënyrë masive nga të gjitha trojet shqiptare. E veçantë është ardhshmëria sidomos në vitet ’90-të – pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri dhe nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999 . Ata jetojnë të organizuar në komunitete në më shumë se 76% të shteteve (40), në më shumë se 130-140 qendra të mëdha banimi, ndërsa shqiptarë të veçuar ose të paorganizuar akoma mirë në shoqata duket se banojnë në të 50 shtete të Amerikës.

Janë të panumërt mërgimtarët shqiptarë të suksesshëm në Amerikën e madhe, si dijetarë të shquar, astronautë zbritur në Hënë, mjek nobelist, biznesmenë të suksesshëm, inxhinierë të njohur dhe artistë me famë botërore. Pa e bërë mitike, kjo diasporë realisht ka qenë aktive që nga zgjimin e kombit, që në krye të herës së saj dhe deri në ditët e sotme.

Mërgata shqiptaro-amerikane është legjendare për disa arsye: Ajo është e madhe numerikisht. Ka shoqata me ndikim të forta deri në Kongresin e Senatin amerikan. Janë edukuar individë dhe personalitete të fuqishëm e mjaft ndikues dhe këta i përkasin këtij vendi – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këto faktorë, kjo mërgatë ka mundur të bëjë shumë për çështjen shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, gjë që nuk kanë arritur ta bëjnë mërgimtarët në shumë vende europiane, sepse politikat e atyre shteteve janë pa ndikim botëror, dhe mërgimtarët shqiptarë pa ndikimin e duhur në politikën e atyre shteteve.

Por, ndaj kësaj mërgatës, autori nuk mban vetëm qëndrim brohoritës. Nëse ndikimi i shqiptaro-amerikanëve ka qenë i jashtëzakonshëm për fatet e atdheut – sidomos mbrojtjes së Shqipërisë nga copëtimi, si dhe çlirimi e pavarësia e Kosovës, – së brendshmi edhe kjo mërgatë vuan dukuri të atdheut: vijon ndarja e ballafaqimi për çështje të politikës historike dhe të ditës, gjë që i dobëson shoqatat, mjaft individë i mbanë larg tyre dhe veç njëri-tjetrit.

“Mërgata legjendare e Amerikës”, pa e mitizuar është vërtet e tillë. Ajo të fut në botën e kësaj mërgate duke e vështruar atë nga brenda përmes sistemit kapilar në territorin e Shteteve të Bashkuara, organizimit në shoqata të panumërta dhe përfshirjes të individëve me personalitet të lartë. Në libër shërbehet mjaft informacion; sillen plot rrethana; jepen deri hollësi që paraqesin interes; dhe në mbyllje një shtjellim me pretendime, ku e gjen veten secila familje dhe çdo individ, për arsyen e njohur, ngaqë trojet shqiptare tashmë është vend tipik emigrantësh në shkallë botërore: s’ka rëndësi se ku janë mërgimtarët, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Europën Perëndimore, apo në çdo vend tjetër të planetit, por sepse – siç thuhet jo krejt me humor – ata i gjen edhe te eskimezët.

Kur mbaron së lexuari këtë libër krijon një përfytyrim të plotë për këtë mërgatë, por edhe për Shtetet e Bashkuara me shumëllojshmëri kulturore.

I dua rrënjët e mia. Shpresoi diçka të kem mbjellë… 

2 Responses to “Mërgata legjendare e Amerikës”

Read below or add a comment...

  1. dardan says:

    Bravo patriot i vertete!

    • Saliu Shefqet says:

      Mirenjohje, faleminderit i nderuar Ruben.

Comment

*