Mërgata shqiptare heziton të investojë në Maqedoni

Rol i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit përmes remitencave por jo edhe me investimin e kapitalit në vendlindje.   Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore barrierat për investime janë të natyrës institucionale, infrastrukturore dhe aftësive të brendshëm të kompanive

 

Zejnulla Veseli

Shkup, 6 qershor – Mërgimtarët shqiptarë hezitojnë të investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni dhe sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, barrierat  kryesisht janë të natyrës institucionale, infrastrukturore apo që kanë të bëjnë me aftësitë e brendshme të kompanive. Diaspora si faktorë kyç që dukshëm ndikon në zhvillimin e qëndrueshmërisë  ekonomike të Maqedonisë meriton trajtim më të mirë nga ana e Qeverisë dhe se kjo sipas OEMVP-së mund te arrihet vetëm me krijimin e një strategjie të mirëfilltë në fushën e që ka të bëjë me tërheqjen e investitorëve të jashtëm, në veçanti ata nga diaspora

Menderes Kuqi, kryetar i OEMVP-së thotë se investitorët nga diaspora jo se janë të diskriminuar me ligj për të investuar në vendlindjen e tyre por të mësuar nga praktikat e vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë në bazë të ligjeve të qëndrueshme ata si barrierë kryesore e shohin krijimin e një legjislacioni të favorshëm nga Qeveria e Maqedonisë për krijimin e të gjitha hapësirave dhe të infrastrukturës ligjore për investime nga diaspora.

“OEMVP-ja mban lidhje te vazhdueshme me diasporën shqiptare duke ofruar atyre ndihmë dhe për të mbështetur ata që kapitalin e tyre ta investojnë dhe në Maqedoni. Por shteti është ai që duhet t’ju ofron lehtësime ligjore dhe të gjejë format më ta favorshme që të stimulon diasporën që investimet e tyre t’i orientojnë drejt vendlindjes”, ka thënë Kuqi.

Mërgata jonë, thotë Kuqi  në forma të ndryshme, kontribuon në buxhetin e Maqedonisë  përmes parave që u dërgojnë familjeve të tyre, por këto para shkojnë vetëm për konsum dhe jo edhe për të investuar.

“Diaspora nuk po trajtohet si duhet nga institucionet e vendit dhe se atyre nuk po u krijohen kushtet e duhura për të investuara në vendlindje. Mirëpo në anën tjetër duhet rritur vetëdija dhe edukimi i njerëzve që dërgojnë remitancat, se si ato mund të shfrytëzohen në mënyrë më të mirëfilltë mund të shfrytëzojnë kapitalin e tyre për të gjeneruar mjete të mëtutjeshme, e jo të përfundojnë vetëm për konsum”, thotë Kuqi.

Ndryshe nga kryetari i OEMVP-së, Kuqi ministri i Ekonomisë Valon Saraçini shprehet se mërgimtarët e kanë pasur, e kanë dhe gjithmonë do ta kenë derën e hapur në çdo institucion nëse ata dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në vendlindje.

“Tërësisht jemi të përqendruar në kthimin e tyre në Atdhe, dhe në mundësimin e të gjitha kushteve që ata të mund të hapin bizneset e tyre këtu. I sigurojmë se investimet e tyre do të jenë të sigurta, stabile dhe ne do të ju mundësojmë edhe përkrahje në sferën e logjistikës, por gjithashtu edhe në sferën legjislative dhe besoj se në një afat shumë të shkurt kohor edhe përfaqësues të mërgimtarëve tonë do të vizitojnë Maqedoninë”, thotë Saraçini

Ndërkaq sa i përket çështjes se ku dëshirojnë dhe çfarë dëshirojnë mërgimtarët të investojnë, Saracini thotë se gjatë takimeve që ka pasur me mërgatën ata dëshirojnë të investojnë në qytetet nga burojnë, për shembull kërçovarët janë të interesuar për të investuar në minierat në rrethin e Kërçovës dhe në Zonën e lire ekonomike në Kërçovë, struganët propozuan plane në sferën e turizmit në Strugë, kishte interesim për ndërtimin e sistemeve solare për prodhim rryme, hidrocentrale të vogla dhe fusha tjera

“Lehtësimet që ne si Ministri e Ekonomisë dhe si qeveri ua ofrojmë investuesve potencialë, në këtë rast mërgimtarëve janë të shumta, dhe të gjitha janë në favor të investuesve. Të gjitha ata që vendosin të investojnë në zonat e lira ekonomike kanë beneficione në drejtim të përjashtimit nga taksat  me atë që në 10 vitet e para janë të liruar nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat dhe  përjashtohen në masën 100% nga tatimi mbi të ardhurat personale për një periudhë prej 10 vitesh, kështu që efektivisht shkalla e tatimit mbi të ardhurat personale është 0% “, thotë Saraçini

Pastaj sipas ministrit Saraçini toka në zonat e lira ekonomike jepen me qira në periudhë afatgjate, respektivisht deri në 99 vjet dhe se si investitorë ata janë  të liruar nga pagesa e taksës për rregullimin e tokës ndërtimore në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe nga tarifat për marrjen e lejeve të ndërtimit.

Ndërkaq eksperti ekonomik Nasir Selimi shprehet se është koha e fundit kur qeveria duhet t`i trajtojë mërgimtarët si investitorë potencial.

“ Pra, minimumin që duhet të bëjë ajo, t`i trajtojë ata njëlloj sikurse investitorët tjerë të drejtpërdrejtë të huaj. Nëse ndaj investitorëve të huaj tregohemi korrekt dhe të kujdesshëm, atëherë pse të mos silleni ngjashëm edhe me mërgimtarët tanë. Aq më tepër kujdesi dhe interesi duhet të jetë më i madh, pasi këto të fundit, pra mërgimtarët, janë shtetas të këtij vendi me të gjitha të drejtat dhe obligimet sikurse të tjerët. Çdo sjellje tendencioze, nënçmuese madje edhe diskriminuese, herët a vonë do të reflektohet negativisht në jetën dhe ekonominë tone” thotë Selimi, profesor ne Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Sipas Selimit, mërgimtarët gjatë  periudhës së shkurtër sa janë në vendlindje, duhet të gëzojnë lehtësira nw marrjen e dokumenteve nga administrata dhe institucionet tjera në vend lidhur me investimet në Maqedoni.

“Përndryshe maltretimi i tyre, nga ana e administratorëve , dhënia e ryshfetit, i bëjnë ata që shumë pak të mendojnë të investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni. Bile në të shumtën e rasteve mërgimtarët tanë gjithnjë e më pak  mendojnë të kthehet edhe për pushime në Maqedoni”, thotë Selimi.

Comment

*