Mesazhi i Luigj Gurakuqit, në përvjetorin e vrasjes

Frank Shkreli

Frank Shkreli

Ja edhe një përvjetor i një atdhetari të madh dhe njërit prej figurave më të shquara të historisë së kombit shqiptar – Luigj Gurakuqit (19 Shkurt 1879 -02 Mars 1925) — “vjen e shkon”, siç duket ashtu si në të kaluarën, pa e përmend kush dhe pa u kujtuar nga askush, madje as në përvjetorin e vrasjes të tij.

Kujtuar ose jo, përmendur ose jo — zyrtarisht ose jo zyrtarisht, doni a s’doni — Luigj Gurakuqi prapseprap flet, nepërmjet veprave historike dhe me rolin që ai luajti në sigurimin e pavarsisë së Shqipërisë, si bashkpuntori më i ngusht i Ismail Qemalit dhe përmes shkrimeve që ka lënë trashëgimi në historinë e kombit. Por, ai flet edhe nepërmjet shënimeve të historianëve si, ndër të tjerë, Stefanaq Pollo dhe të kujtimeve të bashk-kohasve të tij të cilët e kanë njohur dhe që kanë bashkpunuar me ‘të sa ishte gjallë, personalitete të kombit, si Fan Noli dhe Ernest Koliqi, Mihal Grameno, Pandeli Cale, e të tjerë.

Stefanaq Pollo ka vlerësuar figurën, veprimtarinë dhe rolin kombëtar që ka luajtur Gurakqui në lëvizjet politike të asaj kohe duke theksuar se, ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore në këtë çerek-shekulli ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij.” Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ”Po të kemi parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirsitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”
Fan Noli — jeta dhe veprimtaria e të cilit shëndrit gjithashtu në historinë e kombit shqiptar — dhe Luigj Gurakuqin ishin shokë e bashkpuntorë të ngushtë. Në të vërtetë, ishin aq të afërm me njëri tjetrin sa që Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan atë “Vëlla”, dhe “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”. “Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin, “aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj.” Noli do i jepte Gurakuqit dikasterin e Ministrisë së Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltarë të ngushtë që ishin e mori Gurakuqin me vete në delegacionin shqiptar, në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924.
Ndërsa Ernest Koliqi që e kishte njohur Gurakuqin për së afërmi si sekretar i tij në vitin 1924 thotë se ai kishte veti që sot u mungojnë shumë politikanëve dhe personave publikë. Ajo që e dallonte Luigj Gurakuqin nga të tjerët, ka shkruar Koliqi, “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, në kundërshtim. Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë kleresh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rijë, rrymash të ndryshme. Mbretënonte harmonia aty ku Ai qëndronte.” Koliqi shkruante duke theksuar mëtej personalitetin frymëzues dhe tërheqës të Gurakuqit që ai nuk kishte njohur as parë ndër shqiptarë, “Një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi. Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…. besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji….”, përfundon vlerësimin e tij për Gurakuqin, Ernest Koliqi.
Vlerësimet e bashkohasve të tij pa tjetër që sjellin dritë për personin dhe për punën e Luigj Gurakuqit, por janë fjalët e tija të drejtë për drejta, ato që mbartin mesazhe me rëndësi madje edhe për gjëndjen aktuale politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë. Ato janë mesazhe për mbarë klasën e sotëme politike shqiptare kudo, por sidomos për përfaqsuesit e popullit në dy parlamentet shqiptare dhe më gjërë. Dihet se në kohën e Gurakuqit, parlamenti shqiptar kishte në radhët e veta personalitete të dalluara, ndër të tjerë, si Fan Noli, Ali Klisura, Stavro Vinjau e Bahri Omari, me kryetar të opozitës si Luigj Gurakuqi. Ishin këta individë, përfaqsues të kombit shqiptar, të cilët nuk kishin të sharë të ishin atëherë, ose sot, pjestarë të cilit do qoftë parlament të Evropës ose të Kongresit amerikan.
Ata e merrnin seriozisht detyrën e deputetit. Jo si një post për t’u shpërdorur dhe për t’u përdorur për interesa personale e partiake, por si një privilegj që u kishte akorduar populli, me përgjegjësi dhe rëndësi kombëtare. Në krahasim me debatet e sotëme në dy parlamentet shqiptare, Luigj Gurakuqi, në debatet e tija dallohej për maturinë në argumentimet e tija dhe gjithmonë, “Përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë, por jo fyese, ndërtuese dhe jo rrënuese”, siaps Ernest Koliqit. Ai e bënte detyrën e tij patriotike, ashtu si i thonte ndërgjegjia, sipas një letre dërguar Gurakuqit nga Pandeli Cale, e në të cilën ai shprehte besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të Gurakuqit.
Është interesant fakti se si Luigj Gurakuqi e shikonte rolin e një anëtari të Kuvendit të Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924 — jo shumë ndryshe nga problemet me të cilat përballet edhe sot Shqipërisë – por i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të kuvendit të asaj kohe me mesazhin aktual edhe për sot,duke u shprehur se si përfaqsues të popullit, “Populli na ka tregue edhe udhën që do të ndjekim. Populli na thotë: Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”
Kush mund të thotë se ky mesazh i Gurakuqit i vitit 1924 nuk tingëllon aktual edhe sot? Mesazhi i tij sot dhe gjithmonë, për klasën politike dhe për mbarë shooërinë shqiptare kudo, është edhe mesazhi i Gurakuqit, një vit pas pavarësisë së Shqipërisë, më 1913: “Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.” (Marrë tekstualisht nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913)

Në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919, e në të cilin duket se i drejtohet pikëspari vetvetes por dhe të tjerëve që të reflektojnë. Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale. Ai shkruante ndër të tjera: ”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë. Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë”, është shprehur Gurakuqi.
Sot më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë për shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale, të cilët kanë punuar e punojnë për të mirën e përbashkët të shqiptarëve, siç ishte Luigj Gurakuqi. Nëqoftse doni shembuj, janë kujtimin e Luigj Gurakquit, gjeni shembullin e burrënisë, të nderit, e të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë shqiptare, por edhe përfaqsues i kulturës perëndimore, i cili gjithë jetën e tij – megjith rrethanat e vështira politike dhe ekonomike nën të cilat jetoi – ai u mundua gjithmonë të sjellë ujin në mulli të atdheut të vet dhe të interesave të tij.

Pa shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale që përfaqsoheshin nga Luigj Gurakuqi, historia e kombit shqiptar do të mbetej e zbrazët dhe e varfër. Kujtimi i tij kombëtar dhe mesazhet e tija gjithnjë aktuale, po të dëgjohen, shërbejnë drejtë një harmonie dhe bashkpunimi edhe sot, në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Për ndryshe, pa kujtimin e tij të denjë, pa urtësinë dhe fjalët e matura dhe pa vlerat, në bazë të cilave ai jetoi dhe veproi dhe pa të “Njëmendtën ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, kam drojë se “I vdiq Ora Shqipënisë.”

Frank Shkreli

Tre të Mëdhejtë e Kombit Shqiptar – Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda.

Tre të Mëdhejtë e Kombit Shqiptar – Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda.

 

One Response to “Mesazhi i Luigj Gurakuqit, në përvjetorin e vrasjes”

Read below or add a comment...

  1. Ismail says:

    GURAKUQI POET E PATRIOT I FLAKET
    Në 92-vjetorin e vrasjes
    Nëno moj,mbaj zi për vllanë
    Me tre plumba na e vranë
    Na e vran’ e na e shanë
    Na I thane tradhtor.
    Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia
    Kështu e pat filluar Noli elegjinë e Tij te famshme”Syrgjyn-Vdekur”, per mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpunëtorin e Tij Luigj Gurakuqi , të vrarë më 2 Mars 1925 në Bari të Italisë. Noli pati shkas e arsye të madhe ta vajtojë”Katilinarqe” në nivel personal e kombëtar, historik e poetik këtë martir të Lëvizjes Kombëtare. Të vajtojë,duke kuvenduar,duke informuar popullin shqiptar, Shqipërinë-Nënën për këtë humbje të madhe, për vrasjen e Luigjit, patriot të flakët e vigan. këtë poet e arsimdashës te madh. Gurakuqi filloi herët të merret me vargënime, sigurisht i shtyer nga entuziazmi I Rilindasëve para Tij, e veçmas nga mësuesi I madh I Tij, Plaku I nderuar, Jeronim de Rada,”Duke ndëgjuar zanin e Tij të fikët, e tue pa sytë e tij të mekur”,Kur Ai e përmente Shqipërinë dhe Skëndërbeun, para nxënësit të Tij dhe poetit të ardhshëm, I dha shkas e motiv, të shkruajë edhe ai diç për këtë strall që e përjetoi nga kjo flakë e madhe patriotike. Shkrimet e Gurakuqit,nuk janë vetëm dëshmi e një akumulimi patriotik, sa edhe mllef ndaj dukurive negative, që atij I dukeshin në letërsi dhe sistemin politik e shtetëror të otomanëve të urrejtur nga poeti I ri. Një numër tjetër vargjesh të Gurakuqit, janë mall e konsideratë ndaj shokëve, veçmas ndaj Filip Shirokës, Hil Mosit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, Në vragje e tilla, kemi edhe asosh që bëjnë çortim, ndaj një pjese shkrimesh, të cilat, sipas Gurakuqit, nuk shohin dritë për të tilla poezi, jo të nivelit artistik. Ata poet, nëse Gurakuqi ka menduar vetëm për një pjesë te veçantë, janë bastardhuesit e gjuhës dhe vargnimit shqip.
    O t’falitun,ku e xut këtë dituni
    Fort jeni tuj gabue
    / T’falun atdhetarit të Kosovës/
    Gurakuqit I çante zemra, se këta ishin shkollarët shqiptarë, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, që atë culture, nuk e sjellnin për të mirën e atdheut dhe gjuhës së tyre shqipe. Gurakuqi kërkonte nga të rinjtë, që të këndojnë si “Alkej e Safo për Vegjilin”, ose të atillë që, këndojne si Bajroni “ qi t’Tepelenit iu pat këndue luanin”. Më duket se. Gurakuqi për një kërkesë të tillë, kaq të prer e mohim kaq të thellë, nuk kishte lexuar e vlersua nivelin e poetikës shqipe, andaj duket paksa kërkesë e madhe. Ndoshta Gurakuqi, nuk kishte pjekuri artistike e as moshë, që të kërkojë edhe më pak, të gjykojë aq rrept letërsine dhe krijuesit e letërsisë shqipe dhe të lëshojë nën nivelin që ishte. Dihet se,, në mesin e krijuesve të asaj kohe, kishte të tillë, që kënduan mirë për shqiptarët e Shqipërinë, për ngjarjet dhe kohën e tyre, kishte Bajrona e Safo të merituar, Si Naimi Frashëri e Jeronim De Rada, këtë të fundit, Gurakuqi pati fatin, ta kishte mësues. Ate se nuk e çmoi sa lypej e meritueshëm poezinë shqipe, Gurakuqi e dëshmoi edhe në veprën e Tij, ”Vargnimi I Gjuhës Shqipe”, botuar më 1906. Në të cilen mendimet teorike, nuk I ilustroi nga brumi I letërsisë shqipe, por me ate nga letërsia e huaj, të cilën me gjasa e njihte më mirë. Pra, Gurakluqi nuk I përmente disa penda të spikatura të kohës. Ndërsa adhuronte disa të tjera, të cilat në krahasim me të parat, ishin më të ulëta, në pikëpamje të nivelit letrar, artistik e ideor. Si duket natyrshëm ishte paksa karakter I vrullshëm në vlerësim ashtu siç ishte edhe në jetën praktik, I tillë mund të ketë qene edhe ne vlerësim letrar e artistik. Andaj, edhe disa mendime teorike në veprën e përmendur nuk mund të qëndronim shumë në kohë. Për mendimtar mund të merret, se Ai u përpoq të thot diç edhe për vargnimet origjinale të letrësisë shqipe të kohës. Në poezinë “Qëndra” e cila konsiderohet për kryevepër poetike e Gurakuqit, nuk na del aq mendimtar, aq sa duhej të dali dhe çfarë ishte në jetën praktike. Kuptohet,poetët mendimar jane më të rrallë, ne marrim Naimin, që ze krye në këtë drejtim, Ndërsa tentimet e Gurakluqit, janë vetëm tentime pozitive për kohën. Të cilat nuk janë vazhduar më tej. Këtu nuk kemi romatizëm djaloshar, por stoizëm stabil para vështërsive.
    Veç nji qëllim I naltë,t’ban me durue
    e zemrën ta forcon
    ner kundershtime s’vyen kurr me u ligshtue
    mjerë ai qi nuk duron.
    Kjo më duket është poenta e kësaj poezia, të cilën poeti, që ishte burr, që rrallë lind malësia, edhe në jetë e praktikoi.
    Për sa vjersha kushtuar miqve e bashkeveprimtarëve, vendlindjes e atdheut.Vlen të përmenden, Elegjia kushtuar motës së vdekur,”Tuf lulesh,kujtim i të dashunve”, ku më dukët se, vërehet një sentimentalizëm dhëmbjeje e pikëllimi, sa lexusin e benë të derdh pak lot. Gurakuqi, ka ditur të vërejë ngjarjet e ta lexon kohën, për të cilat ishte I interesuar dhe ato t’I shënojë edhe në vargjet e Tija. Kështu, “Dita e 29 tetur 1900” dëshmon për ndjeshmërinë e Tij patriotike, kushtuar arbëreshve të Zarës, që nderuan Skënderbeun. Këto kanë të bëjnë me edukimin e formimin e Tij patriotik prej malësori e atdhetari të përkushtuar. Luigj Gurakuqi shkroi edhe një numër të vogël poezish për të vegjlitë, me të cilat dëshmon për aftësitë dhe nivelin e përgatitjes së tij prej pedagogu. Ato pak vargje që I botoi në”Kendimet”, janë pasqyrë dëshmuese të një njohësi të mirë e të afërt për të vegjëlitë. Për pedagog,ai do të tregohet edhe në Normalen e Elbasanit 1909,në të cilën ishte Drejtori i parë i sajë, e njëheri edhe hartuesi I shumë teksteve për nxënësit e sajë Gurakuqi duke bërë kështu përpjekje në krijimtari e punë patriotike, dosido iu desht të largohet nga krjimtaria letrare. Këte e bëri,siç thot Akademik Rexhep Qosja,duke parë se puna patriotike, ishte shumë më efikase dhe e domosdoshme që nuk kishte kohë për pritje, se sa krijimtaria letrare”, Ai e la herët krijimtarinë, edhe pse “me ato pakëz shkrime e pakez përkthime” që bëri mbetët në vend të merituar në historinë ë letërsisë shqipe. Luigj Gurakuqi, më shumë ishte njeri I aksionit e veprimit praktik kombëtar e intelektua. Kështu më 1908, në emër të delegatit të Shkodrës dhe arbëreshve të Italisë, mori pjesë në Kongrsin e Manastirit, për çështje të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Gurakuqi dha mendimin se, “edhe kombi shqiptar, duhet të marr rrugën e qytetërimit,si gjithë kombet e qytetërura”, E kur Shqipëria ishte nën zgjedhën e otomanëve, u hap shkolla e parë e mësuesisë shqiptare, e njohur me emërin “Normalja e Elbasanit” më 1909.Kjo ishte ngjarje,sa e madhe,aq edhe rëndësisë së domosdoshme për arsimin e popullit tonë. Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhovani e intelektualët të tjerë, punuan me nxënësit e kësaj shkolle, në përgatitjen e kuadrove “ si me mujt mirë me sherbye” arsimit kombëtar në shkollat e ardhshme në gjithë hapësirën etnike shqiptare. Nxënësit e kësaj shkolle u bënë pishtarët e arsimit tonë anë e mbanë, ku flitej shqipja. Poashtu,,këta bijë udhëhoqen edhe luftën për të mirën e popullit dhe Shqipërisë. Merita e dorës së parë, I bije hise, Drejtorit të parë me shkokë, të kësaj shkolle, si edhe për qëndresën e tyre rezistueëse, që këtë shkollë ta rihapin përseri më 1911., pasi turqit e mbyllën si të rrezikshme. Po ashtu Gurakuqi në aktivitetin e Tij në lëmin e gjuhës shqipe, ka merita për iniciativën e Tij, që më 1916, të merr pjesë të punojë e kontribojë në formimin tash më të njohuren “Komisija Letrare” në Shkodër, që njihet si veprim I parë konkret për fillimin e njësimit të gjuhës letrare kombëtare.
    Për Gurakuqin më së shumti mund të themi,Gurakuqi veprimtar kombëtar e parlamentar në ballë të opozitës dhe përball kundërshtarëve të jashtëm politik e kombëtar, si dhe publikimet e Tija në gazetat dhe revistat e kohës, si: Albania, Fjamuri i Arbërit e të tjera. Poashtu, ështe I njohur bashkëpunimi i Gurakuqit me shumë poet e patriot, si me Shiroken, Nolin, Skiroin, Fishtën e të tjerë.Bashkëpunoi ngusht me Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Isa Boletinin e Plakun mjekerr bardh Ismail Qemailin e Ded Gjo Lulin.Kur shihen me kend punoi, me kend qëndroi, kuptohet edhe ku ishte e kush ishte Luigj Gurakuqi. Me këto përsonalitete madhore historike, patjetër Gurakuqi kaliti patriotizmën e Tij e do të mbetët personalitet I madh në historine shqiptare. Për fatin e Tij të mirë, kjo ishte kohë e vrullit dhe e lavdisë sonë historike. Patrioti stoik, i menqur, i matur dhe enciklopedik, mik i veprës e përparimit, u gjet i pranishëm e në ball të oraginizimit e veprimit në data të lavdishme të historisë sonë kombëtare, u lavdua,më 28 nëntor 1912, që ishte në krahun e djathët të Plakut Mjekër Bardh Ismail Qemailit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi mbi pesë shekullor Otoman, në Vlorën Heroike, ku pat thënë: Kjo zgjedhë duhet të jëtë e fundit” dhe për shqiptarët,”Kjo festë asht e mrekullueshme dhe e madhërishme”.
    Me 1921/24 Gurakuqin e shohim Deputet të Shkodrës në Parlamentin shqiptar në Qeverinë e Zogut, vrasësit të tij të ardhshëm, në pushtetin e të cilit Gurakuqi shihte ”pushtetin e hurit dhe të litarit”. Veprimet kundër Zogut në parlament gjithmonë I kishte në mbrojtje të interesave të fashtarësisë, dhe cdo herë foli në të mirë dhe mbrojtjen e tyre, Foli shumë për emancipimin e femnrës shqiptare, ishte I ashpër dhe I hapur, sa pati guxim, që Zogut para syve t’ia thot fjalët të shkruara nga Noli drejtuar mbretit satrap, “birit i Kainit,Tabdil si bari”, “sternip I Nasradinit”. Zogu edhe pse u mundua t’ia ndal gojën ketij “zemer hekuri”,kurrë nuk ia arriti qëllimit. Gurakuqi për Shqipërinë ishte patrioti xhevair I shtenjët, që siç thot historiani me kompetencë I historise së letërsisë shqiptare Rexhep Qosja, ” Nuk ka ditur, as nuk ka dashur t’i bëjë punët vangavinga”. Pas vrasjes së Avni Rrusteit, u bë nxitje e favorshme për kryengritje, të cilën e udhëhoqi fan Noli, dhe mu nga kjo kryengritje, nuk vonoi dhe u kororizua me formimin e njohur të Qeverisë Demokratike, Revulucioni e Qershorit më 1924.Edhe pse nuk pati jetë të gjatë, nga armiqët ziliqar sërbë dhe intrigave të me sllavët e kundërshtarëve tjerë, Jehona e tij qëndroi për shumë kohë e njihet në histori e dëgjohet edhe sot në Shqipëri dhe gjitha trojet etnike shqiptare. Gurakuqi ishte dorë e djathët e Qeverisë Demokratike shqiptare të Nolit, ku kreu detyrën e Ministrit të Arsimit. Qosja me të drejtë thotë:”Humbëm Qeverine Demokratike, që askush nuk e pati para nesh në Ballkan”. Ishte Qeveri e parë e këtij lloji në siujdhesën tonë. Pas këtij dështimi, Gurakuqi me shokë, shkuan në emigrim, për tu përkatitur e pritur nje ditë të përshtatshme të rikthimit. Por, Zogolli përgatiti mercenar të soji të vetë, që mos ta gjente edhe njeherë e liga mbretërore, i ndoqi, i vrau i shau dhe i zhduku këta patriot atdhetarë, me dorë tradhtare të mercenarëve, Vrau edhe Gurakuqin ndër të parët me 2 Mars 1925 në Bari të Italisë, Gurakuqi mbeti syrgjyn-vdekur, si edhe Bajram Curri e Hasan Prishtina më vonë në Selanik dhe dyfsih u hakmorr ndaj Avni Rrustemii pse ia vrau dajën e mikun më besnik të sërbëve, Esat Pash Toptanin. Luigj Gurakuqi, patrioti atdhetar e burrështetin emblematic, qe nuk ishte e as nuk mbeti “syrgjyn”.Pasi që tash afro një shekull, brez pas brezi, shqiptarët e mësojne, e lexojnë e shohi në përmendore të materializuar kudo në hapësirat shqiptare. Vepra letrare, pedagogjike e sodomos personaliteti I Tij historik është i gjallë dhe shërben symbol guximi e përparimi shqiptar, me të drejtë Noli e mbyll elegjinë për Gurakuqin me një gradacion rrefimi të një përshkrimi krenar.
    Nëno moj-ç’është përpjekur
    gojë-mjaltë e zemër hekur
    syrgjyn-gjall e syrgjyn vdekur
    ky vigan liberator.
    Artikulli eshte dergua ne Redaksin e dneruar. Pres te botohet. Autori

Comment

*