Meta: “Gjykata Kushtetuese po kapet nga mazhoranca”

Tiranë, 13 nëntor 2019 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka sqaruar bazën ligjore të vendimit të tij për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kërkuar gjithmonë  që të marrë masa administrative për të mos lejuar dy vakanca në të njëjtën kohë dhe e ka kritikuar kreun e këtij organi se  ka vendosur vetë kohën për listat e vakancave që janë dërguar.

“Ka qenë një kërkesë e qartë zyrtare e Presidentit që të mos kemi këtë situatë ku dërgohen në të njëjtën kohë dy vakanca në kohë të ndryshme që i takojnë  Presidentit të Republikës. Nëse Presidenti do të vendoste në atë mënyrë siç donte të impononte kreu i KE, jo vetëm Presidenti do të bënte një shkelje të hapur të Kushtetutës, por njëkohësisht Presidenti, për shkak të numrit të kufizuar, mund të akuzohej nga Parlamenti jo vetëm se e shkeli Kushtetutën por e la Parlamentin në pamundësi për të zgjedhur”, ka thënë Meta, citon Panorama.

Ai ka kujtuar se krijimi i Gjykatës Kushtetuese “sipas Kushtetutës dhe jo sipas lojërave që synojnë kapjen e saj” është vënë kusht nga Bundestagu gjerman.

“Radhitja nuk është rastësi është për të ruajtur balancat se si krijohet Gjykata Kushtetuese. Është e shprehur shumë qartë që Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime të njëpasnjëshme. Tani jemi në momentin që kemi katër vakanca: dy të Presidentit dhe dy të Parlamentit, për të cilat duhet ruajtur balancat që i ka parashikuar Kushtetuta. Kur KED e kryen një proces dhe nga ky proces dalin shumë pak emra për gati po kaq vende, atëherë çdo zgjedhje që bën Presidenti ndikon edhe tek listat e Parlamentit. Çdo gjë tjetër është një sofizëm dhe një marrëzi shumë e qart”, është shprehur Presidenti Meta.

Sipas tij, mazhoranca e ka keqpërdorur kryetarin e KED, në mënyrë që Presidenti të vihej në një situatë të vështirë gjatë procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. (r.m.)

Comment

*