Meta: Gjykata Speciale u themelua me sforcim, krimet i bënë serbët

Presidenti Ilir Meta tha se presidenti Hshim Thaçi dhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli do t’i përballojnë me dinjitet aktakuzat e Gjykatës Speciale

Knid Ndrenika

LIVE – Komunikimi javor me mediat

Posted by Ilir Meta on Friday, June 26, 2020

Presidenti Ilir Meta dha mesazh për largpamësi, urtësi dhe unitet përballë akuzave të Gjykatës Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tha se presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli do t’i përballojnë me dinjitet dhe përgjegjshmëri aktakuzat e Gjykatës Speciale duke e quajtur zhvillim mjaft sfidant.

Kur presidenti Thaçi ishte në aeroportin e Rinasit për të udhëtuar në Kosovë nga Vjena, zoti Meta u ritheksoi gazetarëve mbështetjen dhe bindjen e plotë për vlerat e luftës çlirimtare.

Presidenti Meta dha mesazh për largpamësi, urtësi dhe unitet dhe tha se është në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetarët e Kosovës.

Zoti Meta ritheksoi pakënaqësi për themelimin e Gjykatës Speciale dhe fajësoi Serbinë si luftënxitëse që nuk është dënuar:

“Miratimi i kësaj gjykate ka qenë një akt i sforcuar, i shtyrë ku në radhë të parë është pala që nuk është dënuar aq saç duhet, që e shkaktoi atë luftë, genocid, që e humbi atë dhe që s’mund të pranojë këtë realitet të ri që ka ndihmuar stabilitetin e rajonit, shteti i ri i Kosovës. Vrasësit e vëllezërve Bytyçi, kanë edhe funksione publike”.

Duke theksuar se është i gatshëm për çdo tryezë dhe bisedë, presidenti vëren se nuk është koha për protagonizëm:

“Është momenti për urtësi, unitet në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kudo dhe nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë”

Ai shtoi se në momente sidomos sfidash ata e rrisin përgjegjësinë, fitojnë urtësinë që duhet realizojnë unitetin, bashkojnë vizionet.

“Do ta përballojnë me shumë dinjitet, për të konfirmuar drejtësinë e luftës së UÇK-së, për të rrëzuar këtë strategji tepër të gabuar dhe provokative”-tha presidenti Meta.

Presidenti vërejti gjithashtu se për 20 vjet shqiptarët madje më shumë se nga një herë, fituan mbi akuzat e strategjisë së Beogradit për njollosjen e luftës dhe rrënimin e shtetit të Kosovës me pavarësi të konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Comment

*