Meta i përgjigjet Ramës, e mbron vendimin për mosdekretimin e Cakajt

Tiranë, 10 janar 2019 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e tij që të mos e dekretojë Gent Cakajn për ministër për Evropën dhe Punet e Jashtme.

Meta, në një postim të shkurtë në Facebook, ka bërë të qartë se Cakajn nuk e ka dekretuar për shkak të qëndrimit të tij lidhur me pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ai është shprehur i vendosur ta mbrojë vendimin e tij “deri në sekondën e fundit” të të qenit President i Shqipërisë.

“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, ka shkruar Meta.

Kryeministri Rama e ka quajtur si “të turpshëm” vendimin e Presidentit Meta që të mos e dekretojë Cakajn për shef të diplomacisë së Shqipërisë. Ai i ka kontestuar kredencialet e Cakajt për këtë pozitë, e cila konsiderohet si njëra ndër pozitat më të ndjeshme për vendin. (r.m.)

Comment

*