Meta: Jap dorëheqje, nëse Venecia deklaron se e kam shkelur Kushtetutën

Tiranë, 13 shtator 2019 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se do të japë dorëheqje, nëse Komisioni i Venecies vlerëson se ai e ka shkelur Kushtetutën.

Meta e ka bërë këtë deklaratë duke u përgjigjur në pyetjen se a do të japë dorëheqje nëse Komisioni i Venecias do të shprehet se presidenti ka shkelur Kushtetutën.

“Nëse Venecia thotë që Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën, ku e ka shkelur dhe si e ka shkelur, patjetër (do të jap dorëheqje).  Unë kam dhënë dorëheqjen nga kryeministër, edhe pse nuk kishte lidhje me mua, vetëm për të mos e bllokuar vendin. Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti e ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë”, është shprehur Meta në një intervistë për Syri tv.

Por, ai ka shtuar se është i bindur që nuk e ka shkelur Kushtetutën në asnjë pikë.

“Jam 100 për qind i bindur që e kam respektuar Kushtetutën, siç e kanë shkelur ata Kushtetutën”, ka theksuar ai.

“Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Ka bërë vetëm një tejkalim të një afati të Kodit Zgjedhor. E kam mbrojtur Kushtetutën në mënyrë të shkëlqyer, Kam bërë çcdo gjë për të mbrojtur reformën në drejtësi”, ka shtuar ai.

Duke u përgjigjur se me çfarë do të merret, nëse konstatohet se e ka shkelur Kushtetutëen dhe detyrohet të japë dorëheqje nga pozita e Presidentit, Meta ka thënë se ai do të vazhdojë të merret me politikë.

“Patjetër, unë në politikë do të vazhdoj. Do të mbroj edhe interesin kombëtar që është vënë në pikëpyetje. Një atdhee  kam, të tjerë mund të kenë edhe dy. Unë do ta mbroj interesin kombëtar, deri në ditën e fundit”, është shprehur ai.

“Unë një atdhe e kam. Sorosi i ka dy, tre”, ka shtuar Presidenti Meta.

(r.m.)

 

Comment

*