Meta me delegacionin e Venecias: Herë pas here, janë “çmontuar” mekanizmat kushtetues

Tiranë, 13 shkurt 2020 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë për të dhënë opinion profesional lidhur me mospajtimet mes Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“BalkanWeb” raporton se Presidenti Meta ka thënë se Shqipëria, me ndihmën e Komisionit të Venecias, në vitin 1998 kishte hartuar një kushtetutë të mrekullueshme, por, sipas tij, herë pas here, janë “çmontuar” mekanizmat “check & balance” të kushtetutës.

“Bëmë një kushtetutë të mrekullueshme me Komisionin e Venecias dhe që u votua referendum nga populli shqiptar në ‘98. Profesor Caco në atë kohë, Buchichio kanë bërë një punë të mrekullueshme. Por,që atëherë ne harruam çfarë ndodhi dhe herë pas here i kemi çmontuar mekanizmat ‘check&balance’ të Kushtetutës sonë. Komisioni i Venecias ka bërë më të mirën e tij. Ashtu siç e bëri edhe për reformën që ne miratuam në kushtetutë për drejtësinë, e cila u votua me 140 vota nga 140 deputetë, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë isha kryetar i Parlamentit në atë kohë dhe jam krenar për atë arritje sepse pata mundësi për ta imponuar atë konseneus vetëm duke përdorur rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka thënë  ai.

Meta ka folur me delegacionin edhe për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe për ceremoninë e betimit, të miratuara nga mazhoranca në Kuvend, të mërkurën.

Ai e ka quajtur çështje tepër të thjeshtë çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Unë kurrë nuk do të thirrja Venecian për një çështje kaq të thjeshtë, për të lexuar thelbin e kësaj çështjeje. Anëtari i parë emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë. Edhe dy fëmijë të klasës së parë e lexojnë qartë”, është shprehur Meta.

“Meqë parlamenti ju bëri pyetjet, isha i detyruar t’ju pyesja edhe unë që ta merrnit të plotë informacionin. E kisha të domosdoshme këtë hyrje, pasi më kanë çmendur gazetarët duke më pyetur!”, është shprehur Presidenti Meta në takim me delegacionin e Komisionit të Venecias.

Kreu i Shtetit e ka ngritur shqetësimin edhe për korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat i ka cilësuar si probleme shqetësuese.

“Vendi ka disa probleme shqetësuese me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka theksuar ai. (r.m.)

Comment

*