Meta: Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Shqipërisë

Tiranë, 11 janar ë019 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është kundërpërgjigjur ashpër Kryeministrit të vendit, Edi Rama, për atë që ai e ka quajtur “kërcënim” ndaj tij.

Meta, në një postim në Facebook, ka drejtuar akuza të rënda në adresës të Ramës, ndonëse atij nuk ia ka përmendur fare emrin.

Meta ka thënë se “ai” (lexo: Rama) “bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

E pastaj ka theksuar se “nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

Replikat në distancë midis dy krerëve më të lartë të shtetit të Shqipërisë erdhi pas vendimit të Presidentit Meta që të mos e dekretojë për ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme kandidatin e propozuar nga  kryeministri Rama, Gent Cakajn.

Metaj, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, ka gjetur argumente që e pengojnë dekretimin e Cakajt ministër të jashtëm. Ndërkaq, Rama e ka  quajtur të turpshëm vendimin e Metës, duke hedhur poshtë argumentet që i ka përdorur ai për të refuzuar kandidaturën e Cakajt.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para.

(r.m.)

Comment

*