Meta: Politika do transformim rrënjësor, për vendin mbi egon individuale a partiake

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, mori pjesë në një takim me vajza dhe gra të Njësisë 7 në Tiranë

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, etj.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, z. Meta, u shpreh se LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes, sepse askush në familje nuk sakrifikon më shumë se gruaja.

“LSI-ja punon që t’u jap një shans të gjithëve, por në veçanti LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes.

Sepse paqja sociale fillon te familja dhe pastaj vazhdon në shoqëri dhe kudo.

Në programin tonë, mbështetja dhe fuqizimi i gruas përfaqëson një prioritet të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”, – tha Kryetari i LSI-së .

Gjithashtu, z. Meta theksoi se LSI i kushton një rëndësi shumë të madhe edhe edukimit të të rinjve, dhe sidomos të të rejave, që nga një moshë fare e re e në vazhdimësi.

Kryetari i LSI-së tha se i duhet kushtuar rëndësi të ardhmes dhe perspektivës të politikës shqiptare në përgjithësi.

“Besojmë që politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor, që nuk ka të bëjë thjesht me individët dhe me njerëzit, por me kulturën e tyre.

Kultura që ne duam është e një klase politike e një gjenerate politike e cila punon me përgjegjësi, punon në ekip.

Synon të mirën publike dhe vë disa prioritete mbi egon individuale apo edhe partiake në interes të vendit, të komunitetit dhe të shoqërisë”, – deklaroi z. Ilir Meta ndër të tjera gjatë takimit.

Comment

*