Meta porosit qeverinë për luftën kundër paligjshmërisë dhe diplomacinë

(Rishkruar) Presidenti Ilir Meta tha se beson te puna e qeverisë për dialog me opozitën, eurointegrimin dhe forcimi i rolit kyç të Shqipërisë në Ballkan

Denion Ndrenika

Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij u betuan për përkushtim në kryerjen e detyrës. Ceremonia e betimit të qeverisë u zhvillua pragmbrëmjen e së mërkurës përpara presidentit Ilir Meta.

Presidenti uroi qeverinë për sukses dhe përparim në drejtimin e vendit. Disa porosi zoti Meta i dha për luftën kundër paligjshmërisë, dialog me opozitën, zbatim të reformës në drejtësi dhe për politikën e jashtme:

“Të krijohen sa më shpejt institucionet e reja të Drejtësisë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimit të klimës së biznesit, forcimin e sigurisë kombëtare, luftën kundër terrorizmit dhe çdo kërcënimi që vjen nga jashtë.

Qeveria dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë dhe përmbushjen e të gjitha reformave kycce me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian”.

Presidenti i kujtoi qeverisë qenien e Shqipërisë me rol kyç për qëndrueshmërinë dhe përparimin ballkanik:

“Ndaj besoj se Qeveria e re do të punojë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit tonë pasi vetëm përmes bashkëpunimit do të garantojmë një të ardhme evropiane për të gjithë shqiptarët në rajon dhe popujt e tjerë”.

Qeveria e dytë e zotit Rama pas mandatit 2013-2017 është më e vogla në historinë e Shqipërisë me 15 anëtarë, përkatësisht 11 ministra, dy ministra shteti, kryeministrin dhe zëvëndëskryeministrin.

 

Comment

*