Meta: Rama e ka dëmtuar procesin e njohjeve të Kosovës, e kishte propozuar edhe ndarjen e saj

Tiranë, 8 tetor 2020 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama në raport me Kosovën.

Meta ka thënë se Rama e dëmtoi procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës me deklaratat e tij për një president të përbashkët Kosovë-Shqipëri.

“Si mundet që në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë të thotë në Parlamentin e Kosovës se pas disa vjetësh do ta kemi një president të përbashkët. Pala tjetër (Serbia) reagon me vrap dhe thotë se këta kanë plane. Nuk është rastësi kjo. Kjo do të thotë që Kosova nuk duhet të jetë shtet, nuk duhet të njihet, sepse një ditë do të aneksohet nga Shqipëria”, ka thënë Meta  në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Presidenti Meta e ka akuzuar kryeministrin Rama se e ka dëmtuar Kosovën edhe me veprime e sjellje të tij të tjera. Ai ka thënë se Rama e kishte paditur në gjykatë kryeministrin e Kosovës, Ramush  Haradinaj, me qëllim që ta defaktorizonte Kosovën në dialogun me Serbinë, ndërsa padinë e kishte tërhequr pasi e dinte se në gjykatë do të provohej se ai e kishte propozuar ndarjen e Kosovës.

“Çfarë do të thotë kur kryeministri i Shqipërisë e hedh në gjyq kryeministrin e Kosovës (Ramush Haradinajn). Pse e bën këtë gjë? E hedh në gjyq, sepse merr porosi për të defaktorizuar Kosovën në procesin e negociatave. E dyta. Pse u tërhoq nga gjyqi pas disa muajsh? Sepse ai tjetri (Haradinajn) do të provonte se ky (Rama) e kishte propozuar ndarjen e Kosovës. Jam 1000 për qind i sigurt për këtë“, ka thënë Meta.

(r.m.)

Comment

*